Mehmetali REXHEPI
Të nderuar garues për zgjedhjet e pushtetit lokal në Kosovë, të 14 tetorit 2021! Nuk mund të heshtë e të mos shpreh mbresat e mia, tashmë një përvojë, jo aq e shkurtë, për kulturën e votimit për kandidatët e balotazhit për kryetarë të komunave në Kosovë, më 14 nëntor 2021.
Kësaj radhe të zgjedhjeve, u shfaq një nivel e vetëdijesim më i baraspeshuar i popullit. Po ashtu, edhe kandidatët mëtues për qeverisje komunash, qenë paksa më të përmbajtur në premtimet e tyre për vijimin ose marrjen e mandatit… Është për t`u theksuar se u përdor një gjuhë më e kujdesshme, pa fyerje, pa nënçmime, pa kërcënime… Konkurruesit për kryetarë, që me shpalljen e rezultateve të numërimit të votave, pranuan rezultatin e kundërkandidatit dhe uruan fituesit, domethënë nuk kontestuan rezultatin e tjetrit. Këto sjellje dëshmuan për nivelin e standardizimit të kulturës në skenën politike të Kosovës. Tek ne nuk janë rrethanat për luks politik për akëcilin mandatarë komunash… Përse? Ndodhemi mes trusnive gjeostrategjike, veçmas kërcënimeve dhe veprimeve hegjemoniste të Serbisë, e shtyrë nga Rusia për shpërbërjen e pavarësisë së Kosovës! Nga pikëpamja ekonomike dhe rrethanat e këtilla, Kosova nuk po mund të këndellet dhe, si pasojë kur papunësisë i rëndohet krimi e korruptimi, jo funksionaliteti institucional politik, dëshpërimi i popullit, veçanërisht i brezit të ri, hap shtigje për zbrazje të pandalshme, për largimin nga atdheu ?!… Pararendësit tanë, gjyshërit e baballarët këtë atdhe, me vuajtje e gjak dëshmorësh e lanë trashëgim për ne… Mijëra e mijëra vite burgimi përjetuan atdhedashësit tanë, për ta ruajtur Dardaninë!… Të papërshkrueshme dhe shekullore janë masakrat, dëbimet sllave-ortodokse dhe vuajtjet sizifiane mbi ekzistencën shqiptare!!!
Ja ku jemi… Kjo mënyrë e votimit, me ndonjë përjashtim parregullsie, mund të pohojmë pa modesti: është model votimi për gjysmën tjetër të kombit, për Shqipërinë Perëndimore dhe, madje për Ballkanin… Jemi nën ndikimin, fatmirësisht, të sferës Euro-Atlantike dhe, përmes zgjedhjeve dëshmohet vizioni ynë përcaktues, drejtimi i synimit… Zëvendësimi i bartësve të praktikave të vjetra politike me bartës të rinj,… Vullneti për ndryshime praktikash qeverisëse të korruptuara, është një rikthim shpresash, pothuajse të venitura, për politikë-bërjen e Kosovës. Tashmë kandidatët shpresë-dhënës nuk i shohim vetëm brenda një subjekti të cilit i përkasim, por kemi filluar t`i përjetojmë si përfaqësues të institucioneve, të cilat dalin jashtë kornizave të tyre partiake. Gjithsesi,ky është një emancipim i bërjes politikë te ne. Le të shpresojmë se nga premtimi tek e bëra nuk do të kemi një det në mes, por një lumë, që do të mund të kapërcehej më lehtë.