Shkruan: Avni Rudaku
“Tri vjet pas katastrofës së Çernobilit në Ukrainë në vitin 1986, Jugosllavia e mbylli programin e saj bërthamor dhe reaktorin e saj të vetëm në periferi të Beogradit. Serbia është mbështetur prej kohësh në burimet e saj të bollshme të qymyrit të lirë për të furnizuar me energji ekonominë e saj, edhe pse e errësoi qiellin e saj me kryeqytetin Beograd që renditet rregullisht si një nga qytetet më të ndotura gjatë dimrit. Pothuajse 70 për qind e energjisë elektrike të Serbisë vjen nga termocentralet me qymyr, të cilat shkaktuan rreth 15,000 vdekje vetëm në vitin 2021 të lidhura me ndotjen, sipas një raporti nga Agjencia Evropiane e Mjedisit. Duke u përballur me një afat të BE-së në vitin 2050 për t’u larguar nga qymyri, zyrtarët tani po shqyrtojnë nëse do të heqin ndalimin e gjatë për ndërtimin e centraleve bërthamore në vendin ballkanik.”(AFP, Beograd, 11.9.2024)
Edhe vendet e tjera fqinje të Kosovës, si Maqedonia e Veriut, ishte përfshirë në një nismë me Slloveninë, në bashkëpunim me SHBA-të, për reaktorët e vegjël bërthamorë për energji elektrike dhe largim nga qymyri, ndërsa aktualisht “Sllovenia ka një reaktor bërthamor në funksion, Centralin bërthamor Krško, me kapacitet neto total prej 688 MW(e), i cili prodhoi 5333 GWh në vitin 2023 ose 36.8% të prodhimit total të energjisë elektrike në Slloveni. Centrali bërthamor Krško filloi funksionimin komercial në vitin 1983 dhe mori Miratimin Mjedisor për të zgjatur jetëgjatësinë e tij nga 40 në 60 vjet në janar 2023.”(https://cnpp.iaea.org/public/countries/SI/profile/highlights)
Edhe Kroacia ka hise në centralin bërthamor slloven. “Me 50 për qind të aksioneve të saj në termocentralin e përbashkët bërthamor kroato-slloven në Krško, Kroacia ka përvojë të konsiderueshme në teknologjinë bërthamore. Qeveria kroate mbetet e hapur për të zhvilluar një termocentral të dytë bërthamor me Slloveninë në të njëjtin vend.”(https://www.trade.gov/…/croatia-nuclear-energy-plans…)
Kosova, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina e Qipro, mbesin larg mundësisë për të menduar reaktorët e vegjël bërthamorë për energji elektrike. “Rumania ka dy reaktorë bërthamorë që gjenerojnë rreth 20% të energjisë elektrike të saj. Reaktori i parë i vendit filloi të funksionojë në vitin 1996 dhe i dyti u vu në punë në maj 2007. Mbështetja qeveritare për energjinë bërthamore është e fortë.”(https://world-nuclear.org/…/count…/countries-o-s/romania)
Edhe Bullgaria ka një traditë të zhvillimit të energjisë nukleare, duke pasur dy reaktorë bërthamorë, me krijim të një të tretës së energjisë elektrike. “Në janar të vitit 2023, ministri i energjisë, Rosen Hristov, hartoi një strategji energjitike e cila përfshin plane për dy reaktorë të rinj në Kozloduy dhe dy në Belene. Strategjia përshkruan përdorimin e vazhdueshëm të qymyrit deri në vitin 2030, përpara se ta ulë përdorimin e tij në zero deri në vitin 2038. Gjatë negociatave të pranimit në Bashkimin Evropian (BE) me Komisionin Evropian (KE), Bullgaria u zotua të mbyllte Kozloduy 1 dhe 2 deri në fund të vitit 2002 dhe njësitë 3 dhe 4 deri në fund të vitit 2006. Të katër njësitë ishin reaktorë VVER-440 model V-230, të cilët KE më parë i kishte klasifikuar si të papërmirësueshëm. Megjithatë, njësitë 3 dhe 4 ishin me një dizajn të përmirësuar dhe më afër dizajnit të mëvonshëm V-213 sesa çdo tjetër i klasës së tyre. Pavarësisht se një sondazh i opinionit i vitit 2005 tregonte 75% mbështetje për mbajtjen në punë të dy reaktorëve, qeveria më në fund urdhëroi që ato të mbylleshin në fund të dhjetorit 2006. Bullgaria u bashkua me BE-në më 1 janar 2007.” (https://world-nuclear.org/…/coun…/countries-a-f/bulgaria)
Pra, energjia nukleare është e jashtëzakonshme si burim për energji elektrike, çështje shëndetësore si rrezatimi kundër qelizave kancerogjene, për anije kozmike e shumë çështje të tjera të dobishme, e deri te krijimi i bombës bërthamore. Energjia nukleare është si një thikë, e cila mund të përdoret për prerje të bukës, por edhe për lëndimin ose fatalitetin e dikujt, varet mjeti i njëjtë se si përdoret, qëllimi dhe mënyra e përdorimit. Energjia nukleare është aset i rëndësishëm i shteteve të superfuqishme, të cilat kanë reaktorë të shumtë dhe e sigurojnë pjesën e madhe të energjisë elektrike prej energjisë nukleare, por edhe kanë më shumë siguri për reaktorët bërthamorë, pasi që çdo dëmtim i tyre, mund të jetë i dëmshëm për radioaktivitet si në Fukushima të Japonisë. Popullata e Kosovës me rreth 1.6 milionë banorë, me dy-tre reaktorë bërthamorë do të na kënaqte së furnizuari me energji elektrike, por mungojnë kapacitetet tona si shtet për dizajnimin e tyre, shpenzimet, mirëmbajtjen dhe sigurinë. Ne jemi shumë mbrapa për rritjen e kapaciteteve energjetike në raport me fqinjët, e lëre më me vendet e tjera të fuqishme evropiane e më gjerë. Kemi bërë gabime të mëdha gjatë këtyre vjetëve, që nuk u fokusuam as në termocentralin me qymyr, as me projektin amerikan për furnizim me gaz, ndonëse disa nisma për energji diellore dhe të erës, janë të mirëseardhura, por janë të pamjaftueshme. Prandaj, nëse ka diçka që duhet strategji urgjente kombëtare, janë investimet në burimet e qëndrueshme të energjisë elektrike, pse jo, edhe vizionin në një të ardhme, për disa reaktorë të vegjël bërthamorë në bashkëpunim me Shqipërinë, siç bën Sllovenia me Kroacinë, në rastin e sipërpërmendur. Mbështetja e SHBA-së ose e Francës, për reaktorë të vegjël bërthamorë, janë jetike. Këto dy shtete janë ndër më të avancuarat në këtë sektor.