Gjilan

Enver Shabani: Partitë opozitare votojnë kundër lirimit nga ngarkesa me taksë komunale për të gjitha bizneset

Enver Shabani, drejtor i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik (DZHE),  ka thënë se në seancën e datës 10 janar, partitë opozitare në Kuvendin Komunal të Gjilanit, (LDK,PDK dhe AAK) votuan kundër rekomandimit të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik për lirim nga ngarkesa për taksë komunale për të gjitha  bizneset që ushtrojnë veprimtaritë  e tyre afariste në Komunën e Gjilanit  për vitin 2023.

Drejtori Shabani tha se qëllimi i këtij rekomandimi ishte lehtësimi i ushtrimit të veprimtarisë së bizneseve në komunën  e Gjilanit si dhe përmirësimi i klimës së të bërit biznes në komunën tonë.

“Informojmë opinionin publik se para propozimit të këtij rekomandimi Drejtoria për Zhvillim Ekonomik ka siguruar informata sa i përket aplikimit  të taksës komunale në komunat tjera të Republikës së Kosovës duke përfshirë edhe komunat tjera në Anamoravë. Me këtë rast informojmë qytetarët dhe komunitetin e biznesit në komunën e Gjilanit se nga 38 komuna të Kosovës në 13 prej tyre bizneset nuk ngarkohen me taksë komunale ndërsa në 25 komunat tjera bizneset janë liruar nga taksa komunale në 3 vitet e fundit”, ka thënë drejtori Shabani.

Ai shtoi se situata e krijuar si pasojë e pandemisë dhe më pastaj kriza ekonomike globale duke përfshirë edhe vendin tonë, kanë shkaktuar pasoja të pallogaritshme tek bizneset në komunën e Gjilanit të cilat edhe më tutje kanë vështirësi në rimëkëmbjen e tyre ekonomike.

Drejtori i DZHE-së thotë tutje se kjo krizë ka afektuar të gjitha bizneset në komunën e Gjilanit e posaqerisht sektorët e  transportit, ndërtimit, shërbimet në fushën e hotelerisë dhe gastronomisë si dhe prodhimit e që në masë të madhe këta sektorë janë kontribuuesit kyç në punësim dhe zhvillim ekonomik lokal.

“Duke patur parasysh faktet e lartpërmendura, shqetësimin e komunitetit të biznesit si dhe gjendjen e tyre të rënduar socio-ekonomike,  DZHE ka rekomanduar  lirim nga taksa komunale për të gjitha bizneset të cilat ushtrojnë veprimtaritë e tyre afariste në territorin e Komunës së Gjilanit për vitin 2023 me qëllim të përmirësimit të klimës së të bërit biznes dhe tejkalimin e krizës socio-ekonomike dhe lehtësimin e rikuperimit të bizneseve lokale”, ka thënë drejtori, Enver Shabani.

Ai tha se DZHE poashtu konsideron se lirimi nga taksa komunale e bizneseve lokale nuk afekton qëndrueshmerinë financiare të komunës së Gjilanit dhe as kryerjen e funksioneve themelore në kompetencë të komunës.

You Might Also Like