Libri

EPI “SKËNDERBEU” I GRIGOR PËRLIÇEVIT – NJË KRYEVEPËR POETIKE

Anton Nikë BERISHA
EPI “SKËNDERBEU” I GRIGOR PËRLIÇEVIT – NJË KRYEVEPËR POETIKE
Kur i dëgjoi fjalët e Jakovit,
në çast iu ndrrua çehrja Skënderbeut;
si një përrua i vrullshëm iu lëshua
gjaku i tij njëherësh mbi fytyrë,
dhe dejt’ e tij u frynë si rrëkera,
xixa të zjarrta sytë i lëshuan,
fytyra e tij u ndez si një vullkan,
tri herë i ra tokës fort me këmbë,
tri herë u trand shtëpia nga themelet,
darkorët rreth e rrotull u tronditën,
u ngritën shërbestarët të tmerruar,
se mos tërmeti i qiellit e shembi
shtëpin’e i varros nëpër gërmadha.
(Grigor Përliçevi, nga epi “Skënderbeu”)
PËRLIÇEVI DHE TRADITA E PASUR E EPIKËS GOJORE DHE TË SHKRUAR
Vepra “Skënderbeu” e Grigoriu Stavridhu-së apo Grigor Stavrev Përliçevit , ndërlidhet me një traditë të madhe të epikës, gojore dhe të shkruar, në të cilën ai u mbështet për hartimin e epit të tij. Këtë e dëshmon edhe epi “Armatollos” , që u shpall vepra poetikisht më e ngritur në konkursin e shpallur në Athinë më 1860, me të cilën Grigoriu Stavridhu zuri vendin e parë dhe u kurorëzua si “Homeri i dytë ”.
Me të drejtë është thënë se s’ka një popull që të mos e ketë pasur e të mos e ketë zhvilluar poezinë epike, gojore dhe të shkruar, përkundër faktit se ato nuk u zhvilluan njësoj te popujt e ndryshëm dhe nuk përjetuan të njëjtën përhapje dhe të njëjtën gjallëri dhe ndikim në periudha të ndryshme kohore.
Epika gojore u zhvillua te një popull brenda rrjedhës së natyrshme të llojeve letrare që u krijuan në atë traditë, po dhe të ndikimit që pësoi nga epikat e popujve fqinjë ose me epikat me të cilat pati marrëdhënie të ndryshme. Pra, epika, gojore dhe e shkruar, lindën dhe u zhvilluan tek një populli si dukuri e veçantë brenda një kulture dhe si dukuri e përgjithshme – si lloj letrar, si fenomen epik pa marrë parasysh kohën, vendin dhe përhapjen që përjetoi në rrjedhën e zhvillimit. Me këtë fakt dhe arsyetohen afritë dhe ngjasimet e epikave të popujve dhe të autorëve të ndryshëm që jetuan larg njëri – tjetrit, ku një ndikim njëanësor ose dyanësor (për arsye të largësisë gjeografike) do të ishte të thuash i pamundur .
Në këtë rrjedhë duhet përmendur sidomos epikën gojore dhe të shkruar në Greqinë e lashtë, që ndikuan pandërmjetësisht në Grigoriu Stavridhu-n –në Grigor Stavrev Përliçevin për hartimin e epeve të tij “Armatollos” dhe “Skënderbeu”.
Kur mendohej se koha e epikës dhe e epeve kishte perënduar, Grigoriu Stavridhu, duke shkuar gjurmëve të Homerit të madh, e përftoi epin për një hero arbëror të shquar në gjithë Evropën.
Mbështetja e Përliçevit tek tradita e lashtë epike greke, sidomos tek epet e Homerit, “Iliadën” dhe “Odisenë”, nuk është e rastit. Për rëndësinë e këtyre dy epeve homerike, që dëshmojnë njëherit traditën epike gojore dhe të shkruar, bënte fjalë dhe Aristoteli në veprën “Qasje artit poetik” apo “Poetikën ” (1448 b) . Pra, “Dy poemat e mëdha homerike dhe tërë letërsia që u krijua më vonë janë vazhdim logjik i tërë krijimtarisë gojore të popullit, që u zhvillua një kohë të gjatë përpara tyre ”.
Ndikimin e epikës së lashtë greke dhe asaj latine, e theksuan një varg studiuesish të shquar të letërsisë. Kështu, Elioti, ndër të tjera, thoshte: “Gjaku i letërsisë së Evropës është i asaj latine dhe greke, jo si dy sisteme kundërvënëse, por si i njënjëshëm, për arsye se nëpërmjet Romës duhet të arrijmë te gjurmët tona të atësisë greke ”.
Këtë ndikim e përmend dhe latinisti i njohur kroat, Vladimir Vratoviq: “Ndikimi i grekëve te romakët ka qenë më i thelli dhe më intensivi në rrjedhën e pashkëputur të disa shekujve, ndërsa i etruskëve më pak i drejtpërdrejtë e më shumë i tërthortë ”.
Me fjalë të tjera, “Roli i letërsisë antike në zhvillimin e letërsisë së mëvonshme evropiane është i madh. Idetë e saj të thella rreth problemeve që vazhdimisht e kanë shqetësuar njerëzimin, të shprehura këto me një transparencë figurative dhe thjeshtësi stili që të rrëmbejnë, u futën në gjakun e asaj letërsie që do të nxjerrë më vonë Danten e Shekspirin, Gëten dhe Hygonë, e sa e sa poetë të tjerë që u freskuan në gurrën e antikitetit ”.
Kjo mbështetje e Përliçevit tek tradita para-prake epike, sidomos, ajo homerike ishte diçka e natyrshme. Thomas T. Eliot theksonte me të drejtë: “Asnjë poet, asnjë artist i cilitdo art, vetëm (i shkë-putur nga të tjerët) nuk e ka kuptimin e plotë. Rën-dësia e tij, të çmuarit e tij është të çmuarit e marrë-dhënies së tij me poetët dhe artistët e vdekur ”.
Këtë dukuri e përligj dhe ky mendim i studiuesit kroat, Milivoj Solar, ku shpërfaqen dhe veçanti të epikës si lloj letrar: “Duke marrë parasysh lëndën e poezisë epike, d.m.th. gjendjet e shpeshta historike dhe ngjarjet që përshkruhen, poezia epike më së shumti largohet nga e vërteta në kuptimin e verifikimit të fakteve historike, duke përshkruar zakonisht me emra historikë vetjet, që janë krijesa të vetat (të mëvetësishme), dhe duke u dhënë ngjarjeve historike kuptim të veçantë mitik, rëndësi dhe kuptim, që është në pajtim me gojëdhënën popullore ose me besime religjioze. Në thelb poezia epike e merr kështu lëndën e vet më së shumti nga mitologjia… ”.
Vepra epike, siç ngjet edhe në epin “Skënderbeu” të Përliçevit, dëshmon për të ashtuquajturën largësi (distancë) të rrëfimit epik nga ngjarja e dikurshme dhe nga personazhet, siç thotë Mihail Bahtini: “Duke iu falënderuar distancës epike, e cila përjashton çdo mundësi veprimi dhe ndryshimi, bota epike edhe e fiton (e merr) përfundimin e plotë jo vetëm nga aspekti i përmbajtjes, por edhe nga aspekti i kuptimit dhe i vlerës së saj. Bota epike ndërtohet në zonën e imazhit të largësisë absolute, jashtë sferës së mundësisë së kontaktit me të tashmen që lind, e cila nuk ka përfunduar dhe kështu mund të rimendohet dhe përsëri të vlerësohet .”
Për traditën e pasur dhe për ndikimet e ndërsjella të epikave, gojore dhe të shkruar, dukuri që ndërlidhet ngushtë me epin “Skënderbeu” të Përliçevit, përligjet edhe nga dhe ky mendim i studiuesit të shquar Theodor Frings-it, të shprehur në studimin Poezia heroike evropiane: “[…] vendimtare për vitalitetin dhe fuqinë e zhvillimit të formës së madhe ka qenë që, krahas me ndërrimin e ideve e me zhvillimin e ideve ishin gati si lënda (tema) tregimtare universale, si dhe skemat tregimtare universale, herë të formës perëndimore, herë të lindores, herë përrallore, herë novelistike, herë evropiane, herë mesdhetare, herë orientale; e pastaj duke u shtrirë përmbi Bizanc e, prej këndej, nëpër rrugët e daljes, duke u përhapur gjer në Rusi e në vendet nordike e nëpërmjet të Danubit e të Detit Mesdhe, duke kaluar në Perëndim, e përsëri në anët e Nordit. Temat e skemat përhapen nëpërmjet të rrugëve që rreh muzikanti, tregtari, luftëtari. Ato, së bashku me motivet, formulat, rolet e me elementin dekorativ, hapen e bëhen pjesë me një përhapje të gjithungjishme, të cilat vinë e e mbushin rrethin e zgjeruar të tyre dhe zënë vend mirë në të. Epika heroike frënge dhe epika heroike gjermane na dalin më së fundit trefish të ndërlikuara në mes të tyre: me anën e rrënjëve të përbashkëta dhe të poezisë së trashëguar lindur nga ato; me anën e disa skemave të tregimit, motiveve e formulave të përbashkëta; me anën e ndikimit të pandërmjemë të një eposi mbi një tjetër epos ”.
Pa dyshim se në këtë rrjedhë tradita epike e Greqisë së lashtë ishte dhe mbetet më domethënësja, prandaj afritë dhe ngjasimet e kulturës greke me kulturat e tjera (natyrisht edhe me atë shqiptare) janë të shumta e të ndryshme dhe shtrihen në rrafshe të ndryshme dhe në atë të mitologjisë .
Koncepti krijues i Homerit, i zbatuar në “Iliadën” dhe Odisenë”, qoftë si mënyrë e ndërtimit dhe mesazhit artistik, qoftë si mënyrë komunikimi dhe ndikimi në marrësin – lexuesin, u bë i pranishme u dëshmua në letërsinë dhe kulturën tonë sidomos nëpërmjet veprës së Fishtës “Lahuta e Malcís”, të cilën autori filloi ta botonte qysh më 1905 dhe e mbaroi më 1937, kur u botua e plotë .
Epin e vet “Skënderbeu” Grigor Përliçevi e krijoi mbi bazën e epikës homerike, sidomos të “Iliadës”, gjë që vërehet në shumë përbërës. Kështu, siç ndodh dhe në “Iliadë” , Përliçevi bëri objekt trajtimi vetëm një ngjarje nga bëmat 25 vjeçare të Gjergj Kastriotit Skënderbeut: ballafaqimin – luftën me Ballaban Pashën, i cili i priu ushtrisë otomane për pushtimin e trojeve shqiptare, në rastin konkret – marrjen e Kalasë së Krujës. Në “Iliadë” Homeri bëri objekt trajtimi 51 ditët e fundit të luftës së Trojës, përkatësisht zemërimin e Akilit, trimit të pashoq me cilësi hyjnore, të cilit Agamemnoni, komandanti i ushtrisë së akejve, ia mori të dashurën, Grizejdën:
Gjithnjë tue ndejun pranë anive t’vrullta,
mëni përbluente ai fisniku Akili;
n’asnjë kuvend ku lartësohen burrat,
n’asnjë betejë s’muer pjesë; por nga idhnimi
zemra i pëlciste, dhe për krisma armësh
e britma luftash shpirti peshë i çohej .
Në rrafshin e bërjes objekt trajtimi artistik të figurës së Skënderbeut në veprat letrare ekzistoi një traditë para Përliçevit, për të cilën do të bëj fjalë (përmbledhtas) në vijim.
FIGURA E SKËNDERBEUT NË TRADITËN LETRARE SHQIPE
Krijimet letrare në gjuhën shqipe që i kushtohen Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, zbresin në kohën e vetë ndërmarrjeve të tij ushtarake . Historiani venedikas Antonio Sabeliki (Antoni Sabellici) në udhëpër¬shkrimin e tij nëpër trevat arbërore – shqiptare në vitin 1474 bën të ditur se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu qe objekt trajtimi në këngët që këndoheshin për nderimin e tij: “[…] i mahnitur (populli) nga adhurimi i lartë i këtij burri, sikur të shikonte tek ai diçka që kalonte mundësitë njerëzore, e lartësonte kujtimin e princit të dashur me këngë solemne. Më kanë treguar burra të denjë për t’u be¬suar se mu në mes të zjarrit të luftës, kur gjithçka shungullonte nga armët e barbarëve (turqve), grumbuj vajzash (shqiptare) e kishin zakon të mblidheshin çdo ditë në sheshe, kryqëzime rrugësh të qyteteve, ku ai kish sunduar dhe të këndonin lavditë e princit të tyre të vdekur, ashtu siç bënin edhe të vjetrit në gostitë e heronjve të mëdhenj ”.
E dhëna e Sabelikit dëshmon, nga një anë, për adhurimin e madh të trimit e udhëheqësit Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, që përligjet pandërmjetësisht me këngët që i kushtoheshin edhe kur “[…] çdo gjë shungullonte nga armët e barbarëve”, dhe, nga ana tjetër, për një traditë paraprake të këndimit tek arbërorët – shqiptarët “[…] ashtu siç bënin edhe të vjetrit në gostitë e heronjve të mëdhenj ”.
Pra, dukuria e kushtimit të këngëve Skanderbegut është e lidhur ngushtë me traditën paraprake të kultivimit të këngës ndër arbërorë. Edhe brezat e mëparshme u kënduan trimave të kohës së tyre dhe trimave të mëparshëm, gjë që ndodhi edhe në shek. XV, siç na dëshmon historiani venedikas, po dhe autorë të tjerë.
Dukuria e këndimit për Skanderbegun gjen një dëshmi të pandërmjeme dhe në librin e Marin Barletit “Historia e Skanderbegut” (1508), ku thuhet se “Shqiptarët e kremtonin çdo fitore me këngë dhe me valle ”.
Për këtë traditë dëshmon edhe relacioni i Frang Bardhit i vitit 1637, ku thuhet: “Dukagjinasit, sipas zakonit të moçëm, në gostitë e veta, në rrugë dhe në punë, këndojnë me zë trimëritë e burrave të tyre të mëdhenj, sidomos të pathyeshmit Gjergj Kastriotit, të quajtur Skënderbeg ”.
Edhe të dhënat e Pukëvilit dëshmojnë se tri-mit, Skënderbe, i kushtoheshin këngë të ndryshme .
Rapsoditë e arbëreshëve të Italisë e përligjin në mënyrë të thellë traditën e bërjes objekt trajtimi poetik figurën e Skanderbegut, si, fjala vjen: “Vú spërvjeret Skanderbeku” (“Skanderbeku e Balla-bani”) ,“Hanij buk Skanderbeku”, Skanderbeku keq’ i zbet”, “Eni e klani me hjidhí ” e ndonjë tjetër .
Figura e Skënderbeut gjeti jehonën e vet edhe në lloje të tjera të traditës letrare gojore: tregime, legjenda e gojëdhëna, disa prej të cilave janë mbledhur dhe botuar .
Këtë traditë letrare e pasuruan edhe shumë shkrimtarët arbëreshë e shqiptarë me veprat e tyre të shkruara si De Rada, B. Bilota, Naim Frashëri, Mjedja etj. .
Po përmend këtu vetëm veprën e Jeronim De Radës “Skanderbeku i pafaan” (Skanderbegu i pafat), ku poeti nuk bën histori e as nuk mbështetet në argumente të mirëfillta historike të periudhës përkatëse; ajo është para së gjithash histori poetike, subjektive, histori e imagjinatës dhe mesazh i lirë poetik. Ç’është e vërteta, De Rada nuk e përmbys e as nuk e mohon historinë, po ka parasysh vetëm jehonën ose të vërtetën e mundshme të rrjedhës historike të qindvjetshit të XV-të. Nga ngjarjet dhe dukuritë që i trajtoi, ai synoi të nxjerrë kuptimësi të qenësishme, të qesë në shesh atë që do ta pasurojë përvojën e njeriut të kohës së tij e të kohëve pas tij. Poeti arbëresh e dinte se e vërteta historike është e rëndësishme për brezat, po në veprën letrare artistike parapëlqeu dhe krijoi të vërtetën e mundshme; krijoi përshtypjen ose iluzionin e të mundshmes, e reales. Historiani i mirëfilltë synon kumtin e drejtpërdrejtë, qartësinë sa më të madhe; poeti synon kumtin (informacionin) poetik, argumentimin poetik. I pari i shmanget skajshmërisht nyjetimit të gjuhës që përdor, i dyti gjakon skajshmërisht pikërisht atë – shumësinë kuptimore dhe simbolike. Në këtë rrjedhë De Rada jep një shembull sa të rëndësishëm aq dhe të rrallë në letërsinë tonë: mbi jehonën historike ose mbi jehonën e ngjarjeve të kohës së Gjergj Kastriotit – Skanderbeut, krijoi një vepër poetikisht të ngritur e të pasur, kuptimisht të rëndësishme dhe tërësore në përbërësit qenësorë, që hyn në rrethin më të ngushtë të kryeveprave të artit letrar të shkruara në gjuhën tonë.
SKËNDERBEU NË LETËRSITË E TJERA
Botimi në latinisht i veprës së humanistit tonë, Marin Barletit, “Histori e Skënderbeut” (1508-1510), sidomos pas përkthimit të saj në gjuhën gjermane (1533) e më vonë edhe në gjuhën frënge (1576) nga Jacques de Lavardin, zgjoi interesimin e historianëve italianë, gjermanë e francezë. Kjo vepër e Barletit për Skënderbeun (më vonë u përkthye dhe në anglisht, spanjisht, portugalisht, suedisht, polonisht etj.) shërbeu edhe si frymëzim për një varg poetësh, prozatorësh e dramaturgësh të huaj dhe shqiptarë .
Ngjashëm ndodhi dhe në artet e tjera, në muzikë, në pikturë etj.
Autorë të shquar të periudhës së Rilindjes evropiane si Petrus Regulus Vincentius, Patavinus Dominicus Alegzenano, sidomos Pierre de Ronsard, i çmuar “Princ i Poetëve” dhe “Poeti i Princërve të Plejadës franceze”, bënë objekt poetik figurën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Petrus Regulus Vincentius (1519-1581) botoi në ballinën e librit të Barletit “Historia e Skënderbeut” (Romë 1508-1510) një poezi, ku armiqve të tij “Skënderbeu rrufe do t’u shfaqet!”
Në vizionin poetik të Dominicus Alezegnano Patavinus (shek. XVI) Gjergj Kastrioti shqiptohet si prijës bëmash heroike, që lindi me gjak të ndritur, shquhet për trimëri si Kamiliusi i njohur ose si Cezari i pamposhtur:
Skanderbegu, me gjak të ndritur lindi,
Me shpirtmadhësi u shfaq, ky prijës bëmash heroike,
S’binte më poshtë nga Kamiliusi në madhështi,
Cezari i pamposhtur nuk i afrohej dot për trimëri
Të madhit të Epirit, që aq ndritshëm ngadhënjen.
Krenar jam për bëmat e larta të këtij princi të paparë.
Edhe Jamin Amadis (1540-1593) e cilëson Skënderbeun një trim të madh dhe të denjë për përjetësi:
Dhe Skënderbeu gjithë trimëri,
I denjë për Përjetësi,
Gjak i kulluar mbretërish të Epirit…
Në sonetin e Pierre de Ronsard (1524-1585) trimi madh, Skënderbeu, për turqit ishte “Tmerr i radhëve të tyre, llahtarë e kështjellave të tyre”.
Nga autorët e huaj që i kushtoi një poemë Skënderbeutështë poeti amerikan, Henry Vvadsvvorth Longfellovv (1807-1882) që u botua më 1863. Longfellovv, i cili çmohet poet kombëtar amerikan, e shkroi këtë poezi i nxitur nga Dora d’Istria gjatë takimit që pati me të në Amerikë.
Për këtë krijesë poetike kushtuar Skënderbeut, Fan Noli, përkthyesi dhe botuesi i saj në shqip më 1916, shkruan: “Kjo vjershë është ndofta më e bukura që është shkruar në një gjuhë të huaj për trimin tonë kombëtar dhe meritonte vendin e parë në mes të vëllimeve që kam nër ment të nxier në shesh për këndonjësit shqiptarë”.
Ja si poeti amerikan e shpreh çastin e kthimit të Skënderbeut në Krujë pas luftës së Nishit:
Skënderbeu – Yll mëngjesi i Shqipërisë.
Nga Kështjella shpejt ka rënë
Flamuri me gjysmë-hënë
Edhe populli shikon
Që në vent të tij valon
Flamur’ i Skënderit n’erë
Shkab’ e Zezë me dy krerë […]
Ja kështu Skënderi trim
Mori Krujën me rrëmbim…
Edhe poetët, kroati Atë Andrija Kaçiq Mioshiq (Fra Andrija Kačić Miošić 1704 – 1760) dhe gjermani Krug von Nidda, kënduan për Skënderbeun dhe ndërmarrjet e tij luftarake për mbrojtjen e atdheut, Arbërisë.
EPI “SKËNDERBEU” – VEPËR ME VLERA TË MËDHA POETIKE
Pa asnjë dyshim them se epi “Skënderbeu” i Grigoriu Stavridhu-it – Grigor Stavrev Përliçevit është një kryevepër letrare poetike, ku bëhet objekt vështrimi poetik luftërat mbrojtëse të kryetrimit arbëror, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun kundër ushtrisë otomane të udhëhequr nga Ballaban Pasha .
Dy çështje të rëndësishme duhet veçuar që në fillim të kësaj pjese të punimit kushtuar kësaj vepre të Përliçevit.
E para: poeti i drejtohet Muzës, virgjëreshë e fjalë-ëmbël, asaj që zhbën harresën dhe kushtëzon përjetësinë e fjalës poetike, t’i ndihmojë “Bëhu prisja ime” (f. 18) për t’i kënduar sa më denjësisht kryetrimave, siç ishte dhe Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
O muzë virgjëreshë, fjalë-ëmbël,
që u këndon heronjve, — në u dogja
nga zjarri i dëshirave të tua […]
O Muzë që mbron fjalën poetike,
armike e harresës, rikujtomë
me mirëdashje trimërit’ e larta
t’atyre luftëtarve kryetrima
që vriteshin e vrisnin, gjallëromë
edhe një herë çastet e lavdishme.
E dyta: poeti e lut Muzën për një gjë shumëfish të rëndësishme: ta mbështesë në hartimin e veprës, ta frymëzojë “me zjarr të perëndishëm” (hyjnor, f. 18), t’i japë “Penë të shkathët fali dorës sime” (f. 18) në përftimin e një vepër sa më të mirëfilltë poetike, me vlera të rrafshit sa më të lartë të mundshëm poetik dhe të mos i lejojë që të futë aty fjalë e shprehje që nuk ndikojnë artistikisht në marrësin. Poeti kërkon prej Muzës që:
Flake tutje
çdo lehje fjalëçthurur edhe boshe…
Grigoriu Stavridhu i drejtohet Muzës t’i falë aftësinë që të përftojë pamje të bukura të natyrës, harmoninë e ngritur që duhet t’i cilësojë vargjet e epit të tij kushtuar Skënderbeut:
pamjen e dashur të natyrës falmë,
me harmonin’ e hershme vishmi vargjet! (f. 18)
Poeti vepron në këtë mënyrë për arsye se barra që ka marrë përsipër: t’i shprehë poetikisht trimëritë e amshuara të Skënderbeut, është tepër e rëndë; duhej shumë mund, dije e përkushtim që krijesa e tij të dalë e denjë dhe të jetë me vlerë dhe merituese për lexuesin.
E rëndë, mundim-madhe barra ime
të rri e t’i këndoj burrit të lumë,
mbuluar me lavdi të amëshuar,
që vetëm emri i tij shkund Helikonën …
Në këtë ep Grigoriu Stavridhu nuk rrëfehen për fakte historike të ndërmarrjeve luftarake të Skënderbeut, po rrëfen poetikisht për dukuri e ngjarje që janë dhe historikisht të njohura (ose të dëshmuara); ballafaqimin e ushtrisë së Skënderbeut me ushtrinë otomane, në krye të së cilës ishte Ballaban Pasha, “Ballabani madhtor / zot pa kufi i luftës dhe i paqes” (f. 22), përkatësisht për rrethimin e tretë të Krujës (1467).
Nëpërmjet rrëfimit poetik të kësaj ngjarjeje, Përliçevi gjakoi të japë qenësinë e luftërave mbrojtëse të Skënderbeut e të bashkëluftëtarëve të tij, që nuk ishte vetëm një luftë për pavarësi tokësore, po dhe kulturore, fetare dhe shpirtërore.
Në ep ballafaqohen dy qytetërime, dy mendësi, zakone dhe doke të ndryshme, shpaloset shpirti i personazheve: nga një anë i mbrojtësve të lirisë e vendin të tyre, nga ana tjetër, i pushtuesve, që me çdo kusht dhe në çdo mënyrë, përpiqen të korrin fitore dhe t’i pushtojnë trojet e Arbërisë.
Përmes formave të ndryshme dhe përbërësve të shumtë të rrëfimit epik të gërshetuar dhe më cilësi të rrëfimit lirik, Përliçevi shqiptoi qëllimet, përpjekjet dhe fatkeqësitë e dy ushtrive, të udhëheqësve e të ushtarëve; guximin dhe frikën; motivimin për mbrojtje dhe domosdonë e fitores, ballafaqoi e kundërvuri dy botë që në qenësinë e tyre janë të kundërta, gjë që i ka mundësuar të depërtojë thellë në shpirtin e njerëzve, qoftë në rrafshin individual, qoftë në atë kolektiv.
Përliçevi nuk synoi, siç u tha, të bëjë histori, të hartojë një vepër për t’i përligjur të dhënat dhe faktet historike, për t’u dëshmuar historian që shkruan në vargje, po gjakoi të kundërtën: hartoi një vepër poetike për t’i pavdekësuar bëmat, dramatiken dhe tragjiken e luftës dhe pësimet që shkakton ajo për jetën e njeriut.
E VEÇANTA QË PËRLIGJ TË PËRGJITHSHMEN
Grigoriu Stavridhu – Grigor Stavrev Përliçevi si dhe shumë poetë paraprakë niset nga e veçanta: shqipton veprimet, trimëritë dhe flijimet e luftëtarëve (edhe të Skënderbeut dhe ët Ballabanit), të veçantat e dukurive ose të përleshjeve; synon të depërtojë sa më të thellë brenda tyre dhe t’i shprehë ato sa më denjësisht përmes tekstit poetik dhe t’u japë përmasën sa më të përgjithshme.
Në epin”Skënderbeu” vështrohen ngjarje që kishin ndodhur mbi 400 vjet më parë, për arsye se kjo i mundësoi që të dëshmojë imagjinatën prej poeti, të përftojë një botë poetike që lë përshtypjen e së vërtetës historike e të vërtetës së rrëfimit, gjë që është zbatuar edhe nga poetët paraprakë, sidomos nga Homeri.
Në qoftë se nisemi nga mendimi i Jorgos Seferis se “Poetin e bën ndjeshmëria. Intelekti, mprehtësia logjike, dija, janë gjëra shumë të vlefshme për të, mirëpo themeli është ndjeshmëria” , atëherë them se Përliçevi e përligji këtë ndjeshmëri përballë ngjarjeve dhe dukurive që i vështroi dhe përballë tekstin poetik që e krijoi. Ai ishte i vetëdijshëm se arti i fjalës – letërsia është një formë më e lartësuar e përftimit të realitetit sesa ai konkret. Këtë gjë ai e mësoi nga poetët paraprakë, sidomos nga Homeri, i cili nuk do të vlerësohej poet gjenial sikur t’i përshkruante faktet historike që lidheshin me Luftën e Trojës, po për njëmendësinë (realitetin) poetik që krijoi përmes tekstit
Është e vërtetë se Përliçevi niset nga një personalitet historikisht i njohur i shek. XV – Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i cili për 25 vjet me radhë u bëri ballë sulmeve pushtuese otomane, duke dëshmuar një dashuri dhe një flijim të jashtëzakonshëm për vendin e tij dhe për ruajtjen e lirisë së vendit të tij. Pikërisht kjo qëndresë dhe ky flijim i arbërorëve nën udhëheqjen e Skënderbeut i shërbyen Grigoriu Stavridhu si model që trimërinë dhe fitoret e tij përballë një ushtria shumëfish më të madhe dhe ushtarakisht më të fuqishme dhe të përgatitur mirëfilli, t’i shndërrojë në një simbolikë të trimërisë dhe të flijimit, pa marrë parasysh përkatësinë fisnore, kulturore dhe kohore. Teksti poetik ka veçantinë që t’i përgjithësojë gjërat dhe t’u japë përmasën e gjithëkohësisë.
Ky perceptim dhe qasje poetike në epin “Skënderbeu” përligjet jo vetëm kur shqiptohet figura e kryetrimit arbëror, Skënderbeut, i cili i mblodhi trimat e Shqipërisë dhe “i ktheu parmendat / në vegla vdekjeprurëse”. (f. 19) dhe me “shpatën jetëkorrëse” (f. 95, po dhe trimat dhe luftëtarët e tjerë, arbërorë e otomanë: secili ngërthen në vete cilësi e mëvetësi, qoftë si luftëtar, qoftë si botë e brendshme në rrethana të tilla të ballafaqimit me jetën dhe me vdekjen. Përligjet dhe përmes dy të dërguarve (kasnecëve), të Skënderbeut dhe të Ballabanit: Dinkos dhe Eminit, të plakut, Karahasanit, që të kujton Nestorin e “Iliadës”, pastaj Sinanit etj. Rrëfimi i tij (i Sinanit) jo vetëm është futur mjeshtërisht në shtjellimin e veprës, përkatësisht në rrëfimin për ballafaqimin e ushtrisë arbërore me atë otomane, po dëshmon për tmerrin që kanë sjellë luftërat paraprake dhe pasojat e tmerrshme të ushtrisë otomane. Vështirë që mund të gjendet edhe një shembull i këtillë që përmes një rrëfimi të ndërmjetme, të shqiptohet tragjika e shumëfishtë e luftës: ky rrëfim, i vënë me qëllim, sikur paralajmëron pikërisht tragjiken që do të ndodhë në betejën që ndodh më vonë, kur ndeshën ushtria e Skënderbeut me atë të Ballabanit.
QENËSI E RRËFIMIT- SHQIPTIMIT KONTRASTIK
Vepra e Grigoriu Stavridhu-së apo Grigor Stavrev Përliçevit është një vepër para së gjithash poetike dhe për këtë arsye nga teksti i saj rrezatojnë kuptimësi të shumta. Natyrisht këtë gjë e ka shkaktuar teksti i përftuar, mënyra e të shprehurit, përkatësisht gjuha poetike, mesazhet që dalin nga teksti i epit dhe tërësia që autori ka dhënë veprës për Skënderbeun “Stuhi e gjëmë, sipër kësaj toke” (f. 124) dhe Ty, Skënderbe, mburoj’ e Shqipërisë (f. 30).
Për t’u bindur për vlerat e shumta shprehëse poetike dhe për mesazhe të qenësishme artistike, që bëjnë bazën kryesore të epit, nuk duhet mund i madh: i gjen në çdo faqe.
Autori ka ruajtur me shkathtësi një drejtpeshim të jashtëzakonshëm të shtjellimit të veprës, të gërshetimit të ngjarjeve në rrethimin e tretë të Kalasë së Krujës nga ana e Ballaban Pashës, të ndërtimit të tablove, të dendësisë dhe të bukurisë së përshkrimeve, të skalitjes së personazheve etj. Edhe ndërfutjet (retardimet) e ndryshme janë shkrirë mjeshtërisht në tërësinë e veprës dhe si të tilla e bëjnë edhe më të pasur komunikimin dhe ndikimin e saj në lexuesin.
Grigoriu Stavridhu i përfton me mjeshtëri tablotë, përshkrimet, personazhet, gjendjet. Herë shquhet simboli, herë metafora, herë krahasimi, herë epiteti stolisës. Ai është dishepull i Homerit të madh. Vargjet si “si nuse-dritë n’orën e martesës” (f. 25) ;“U ktheve si i vdekuri prej Territ” (f. 47); “Të ngrysur, t’heshtur, me një gur në zemër (f. 54); “hëna e gjaktë u pa mes resh të egra” (f. 85); “dhe tokën / kafshonte me tërbim” (f. 100); “rrëkera, / si gjarpërinj, ujturbull, rrodhën fushës” (f. 123); “…për të kënaqur / Me gjakun e atij shpatën e etur” (f. 95); “E të tjerët / sikur kafshonin dheun…” (f. 99); “Kalit gojëshkumuar i kullonin / gjak thundrat” (f. 110), përligjin denjësisht rrafshin dhe cilësinë e sistemit shprehës poetik.
Dukuritë që merren në vështrimin poetik dhe mendimet që dalin nga teksti, zakonisht shprehen në formën kontrastike: të ballafaqimit e të kundërvënies. Kjo mënyrë ka bërë të mundur që ato të shprehen e të ndriçohen në mënyrë më të ndërliqshme e më të plotë, të depërtohet në qenësinë e natyrës dhe të kuptimit të tyre.
Strategjia e këtillë e shqiptimit zë fill me karakterin e vetë luftës, që tund dheun: nga një anë Skënderbeu “mbret gojëmjalt’ e luftëtar i rrallë / – që nuk ka lindur nëna deri sot. (f. 73), princat dhe luftëtarët arbërorë që mbrojnë trojet, mbrojnë lirinë, doket e zakonet, mbrojnë botën dhe shpirtin e tyre, ndërsa nga ana tjetër, Ballabani dhe luftëtarët otomanë që bëjnë luftë pushtuese.
Do ta shuajmë
Ne këtë fis, të mos i ngelë më
nishan mbi dhé, as emri! (f. 50)
Luftëtarët arbërorë, siç do të thotë Skënderbeu në fund të betejës së rrethimit të tretë të Kalasë së Krujës më 1467, japin dhe bëhen fli për atdheun e tyre “që bënë gjithë ç’kishin më të bukur —/ jetën e tyre – fli për mëmëdhenë!” (f. 126), ndërsa Ballabani dhe luftëtarët otomanë bëjnë luftë për t’i bërë qejfin Sulltanit ose për të fituar ndonjë pozitë brenda perandorisë: “i cili po përpiqej për të hyrë / në zemrën e sulltanit, madhërisht” (f. 46).
Kështu, sa herë Sulltani i fton ushtarët të hidhen në zjarrin e betejës, përdor dhelpërinë dhe dhurata:
zemër ai u jepte luftëtarëve,
me vdekje kërcënonte të lëkundurit,
dhe s’linte dhelpëri e kurth pa ngritur.
Por që të gjitha dëm atij i shkuan (f. 20)
Skënderbeu vepron të kundërtën: i nxitur dhe i frymëzon luftëtarët e vet duke përmendur dashurinë për atdheun, domosdonë e flijimit për të mbrojtur lirinë e vendit, duka ua përmendur të Parët, paraardhësit që përherë u flijuan për vendin e tyre dhe për nderin vetjak.
Në syrin tuaj shoh nurin burrnor
dhe përmbi kryet tuaja fitoren
që fluturon. Sikush nga ju njëqind
barbarë mund të mposhtë! Belzebuli
i zi do turpërohej, edhe sikur
të ngrinte kundër jush gjithë shejtanët
e ferrit! Ju ka falur fuqi Zoti!
Dyfishi juaj janë, miq, barbarët,
po për fitoren ju jini shumicë;
mjaftojnë edhe pak… (f. 90)
Ndryshimet janë të mëdha edhe kur prijësit e ushtrive, Skënderbeu (i asaj arbërore), dhe Ballabani (i asaj otomane), janë në logun e betejës dhe kur duhet të ballafaqohen me rrezikun e pandërmjemë.
Kryetrimi arbëror, pa u mëdyshur e pa frikë, hidhet në zjarrin e luftës ose ballafaqohet me trima e luftëtarë fort të guximshëm e me përvojë; ai bëhet shembull për luftëtarë e vet dhe në përleshje dëshmon se nuk kursente jetën e tij për ta mbrojtur atdheun dhe luftëtarët e tij:
Ashtu si tremb veriu ret’ e shiut,
që solli era e jugës dhe mbuluan
kupën e qiellit, divi Skënderbe
lëkundte pa pushim radhët e turqve
dhe grinte e korrte gjith’ ata që vala
ja shpinte atij përpara; në pak kohë
e çau dysh ushtrinë otomane,
mbuloi një shesh të gjerë me kufoma,
por nuk e gjet satrapin(f. 96)
ose
dhe pas shqiptarët duke vrar’ e grirë;
i trimëronin britmat e Fatosit,
që vringëllinte hurin pas të ikurve,
i dehur keq nga avujt e urrejtjes.
Ashtu si një tufan që vjen nga jugu,
përkul pemët e vogla të një kopshti
edhe si kallamishte i shkul nga rrënja
pemët e moçme — edhe Skënderbeu
vërsulej duke korrur majtas djathtas
ata që ngelnin prapa, o nga pesha
e mishit që pengon këmbët e shkathta,
o ng’ ajo frik’ e madhe që ngrin gjakun,
o nga një jet’ e butë rehatie (f. 122 – 123).
Udhëheqësi i ushtrisë otomane, Ballabani, bën të kundërtën: lavdërohet ose kërcënohet me fjalë duke u mburrë se do ta vrasë kryetrimin arbëror etj., po kur gjendet të thuash përballë tij, kur ka mundësi të ballafaqohet pandërmjetësisht me Skënderbeun dhe të dëshmojë forcën dhe mjeshtërinë e tij luftarake, e fton trimin e madh, Halilin, të ballafaqohet dhe ta vrasë Skënderbeun në mënyrë që të fitojë famë, të bëjë emrin e tij të pavdekshëm dhe t’i sjellë të mira vetes (do të bëhej sundimtar i një qyteti, do të bëhej pasanik), ushtrisë otomane dhe sulltanit, gjëra që asnjëherë s’kanë dalë nga goja e udhëheqësit arbëror, Skënderbeut.
“O bir, Halil, që je më i fuqishmi
nga otomanët q’erdhën nënë Krujë,
bën jetë pa lavdi — argjend në baltë, —
askush s’pyet për ty nëse merr frymë.
Ç’përfitim ka nga jeta e trishtuar
një luftëtar i ri që s’e ka shokun?
Trego ç’fuqi Allahu të ka falur,
duke ja marrë shpirtin këtij burri
gjaur, që po sulmon si ndonjë bishë.
Me sulm pas teje ne do të ndihmojmë.
Përpara burrë! Vish fuqin’ e trimit!
Do të të bëj — dëshmonjës qoft’ Allahu! –
një sundimtar qyteti të begatshëm,
që të jetosh i pasur, me lavdi!”(f. 102)
Edhe rrëfimi për dy kasnecët: Dinkon dhe Eminin, ndriçon ndryshimet thellësore: Emini pritet në kështjellën e Krujës me nderime të mëdha, ndërsa Dinko pëson tmerrin: e ngulin në hy për arsye se ia thotë pa ngurrim Ballabanit atë që i kishte thënë Skënderbe, trimi që në betejë “grinte e korrte”. Kjo mënyrë e shqiptimit vërehet edhe kur me robër që zihen në luftë nga arbërorët dhe nga otomanët, po dhe me dukuri e me përbërës të tjerë të veprës.
PAMJE DHE PËRSHKRIME POETIKE MADHË-SHTORE
Në fillim të epit “Skënderbeu”, siç u theksua dhe më parë, poeti Grigoriu Stavridhu i kërkon ndihmë Muzës që ta ndihmojë të shmangë çdo fjalë e çdo shprehje të tepërt që e rrënojnë një vepër poetike të rrafshit të lartë. Dhe kur e lexon me vëmendje tekstin e këtij epi, bindesh se Përliçevi iu përmbajt mirëfilli këtij parimi: vështroi poetikisht betejën – rrethimin e tretë të Krujës, duke krijuar tablo dhe përshkrime artistikisht të ngritura, që dëshmojnë për një vepër të madhe poetike.
Natyrisht ky rrafsh i lartësuar nuk është i rastit: Grigoriu Stavridhu – Grogor Përliçevi kishte lexuar autorë të shquar paraprakë, sidomos epet e Homerit dhe, siç thoshte me të drejtë Josif Brodskij: “Çdo njeri, aq më tepër një poet, është çka lexon ”, po njëherit dhe sa është në gjendje që ta shndërrojë e ta pasurojë atë që ka lexuar dhe mësuar, ta përshkojë me shpirtin e tij krijues dhe kështu të dëshmojë mëvetësinë e perceptimit dhe të shprehurit poetik, që përligjet përmes strukturës së tekstit të përftuar.
Pra, Përliçevi e krijon realitetin e ri përkatës përmes strukturës tekstore, përmes vargut dhe tablove poetike, përmes përshkrimeve, që i japin veprës së tij vlerën e pamohueshme.
Të përmend këtu, fjala vjen, çastin kur Skënderbeu, “stuhi e gjëmë sipër kësaj toke”, e godet me një gur të madh Ballabanin, pamje që të kujton këngët tona kreshnike, ku Muji është në gjendje të peshojë e hedhë larg gurë të mëdhenj që njeriu i rëndomtë nuk mund ta bëjë.
Një drithm’ i ngjethi trupin kryeprijsit
qimet e trupit driz’ atij iu ngritën;
iu flakërua zëmra Skënderbeut
edhe pa pritur ndjeu, i mahnitur,
trupin e tij të fortë e gjymtyrët
të shkathta, si në kohën e rinisë.
Ahere ai u unj mbi tokë, mori
një gur që ndodhej pranë, i shkëputur
nga muret e kështjellës, të madh fort
e t’ashpër (që as katër trima bashkë,
në lulen e rinisë, nuk do t’ishin
të zotë ta lëviznin, por ai
fill vetëm e vërtitte pa mundim)
edhe me një fuqi të padëgjuar
e flaku tutje gurin, që i ra
në mes të kraharorit Ballabanit,
ja shembi gjithë brinjët e si trung
e hodhi tutje kalit. Ballabani,
i shtrirë poshtë, s’bëri as gëk as mëk.
Ky realitet, më shumë përfytyrues (imagji-nativ) nuk e rrënon perceptimin dhe përfilljen e një realiteti të mundshëm të rrethanave të tilla të luftës dhe të përleshjeve, ku ushtarët gjakojnë ose fitoren ose vdekjen (“duke kërkuar vdekjen o fitoren”). Këtë realitet e përligjin dhe besimi në Hyjin dhe në Mbretërinë hyjnore, që është mjaft e pranishme në këtë vepër poetike.
Për ta konkretizuar pasurinë e tekstit poetik dhe disa nga veçantitë e stilit, përkatësisht të pamjeve poetike, që janë të shumta në këtë vepër, po sjell disa shembuj, që e dëshmojnë në mënyrë të mirëfilltë atë që u tha.
Trimi Skënderbeu sulmon dhe mbjell frikën akull të ftohtë tek ushtarët otomanë:
u sul
përpara mu si zjarr, vetëm me shpatë
frikën e ftohtë akull duke mbjellë
në radhët e armiqve.
ose kur poeti përdor metaforën e rrallë “një flakë armësh si vezullim rrufeje” të përshkuar nga buçima e egër (e thënë në gjuhën shqipe):
S’kuptova ç’thoshte,
se fliste shqip; por dukej ajo klithmë
si një kushtrim për luftë. Përnjëherësh
shkëlqeu sipër nesh një flakë armësh
si vezullim rrufeje, lart në mal,
buçim’ e egr’ u ndie pas asaj,
Ndërtimi i rrëfimit përmes gjuhës poetike të pasur dhe të veçantë, provohet sidomos nga shprehjet hëna e gjaktë e nga tërmete të nëndheshme, që në këtë pjesë lidhet me kohën para fillimit të betejës së Skënderbeut me Ballaban Pashën.
Tufan shtërgate t’egër ulërinte;
buçima shungullonjëse tërmetesh
të nënëdheshme pa pushim shpërthenin;
nënë themel të dheut qartë ndiheshin
valët e largme fort t’Adriatikut
që bulurinin rëndë; lehje qensh
dhe krrokëllitje vajtimtare bufësh
nëpër fushim t’ushtrisë oshëtinin;
hëna e gjaktë u pa mes resh të egra,
duke lëshuar dritë të llahtarshme;
për gjithë natën vetëtinte Zoti,
sepse ai të nesërmen do niste
në botën tjetër mijra shpirtra burrash
fisnikë, kryetrima. Frikë e madhe
u ngriu gjakun gjithë otomanëve,
askush prej tyre s’pat guxim të bënte
pak gjumë t’ëmbël, para se t’i lutej
Allahut, zemërdredhur, gjunjëthyer.
ose
As bubullima e frikshme, bij’ e reve,
s’gjëmon aq lart, kur erëra të kundërta
i shtyjnë ret’ e shiut pran’ e pranë,
as dallgët erënxitura të detit,
që brigjeve përplasen, nuk buçasin
sa fort buçitën mbrojtësit e Krujës.
Edhe kur shqiptohen ballafaqime dhe përleshje të ashpra luftarake, poeti gjithnjë i kushton kujdes të duhur të shprehurit poetik, pra ruan rrafshin e lartë të mundësisë së komunikimit estetik me marrësin, siç ndodh në këtë pjesë:
armën e frikshme duke vringëlluar,
dhe vdisnin para këmbëve të tij
pirgje të shtrirë, ushtarët otomanë,
dhe sytë i shkëlqenin si rreth dielli,
dhe vetullat e mvrejtura ngërtheheshin.
Kish një tërbim që s’ka si të rrëfehet;
vrullin e tij askush nuk mund ta ndalte,
aq ish ndezur; s’mund të numërohen
të gjith’ ata që vrau kryetrimi;
ose
Ndërkaq filloi të bjerë shi i madh,
edhe në çast’ i u bënë rrobat qull
e trupi luftëtarëve; rrëkera,
si gjarpërinj, ujturbull, rrodhën fushës
dhe rriteshin e rriteshin përherë
e balt’ e lluc’ e madhe mbushi’ dheun,
jehuan bubullima të potershme,
u flakërua qielli vetëtimash.
Kur panë këto shenja otomanët, .
Thanë, që u hap qielli, se Zoti
kishte dëshirë ta përmbytte tokën
si atëhere; s’dinin ç’mendon Zoti.
Për të pasuruar mënyrën e të shprehurit poe-tik, Përliçevi shpesh i gërsheton tablotë poetike me përshkrime të veçanta, të cilat e pasurojnë rrëfimin epik dhe e ngritin sistemin e të shprehurit artistik.
Kur i dëgjoi fjalët e Jakovit,
në çast iu ndrrua çehrja Skënderbeut;
si një përrua i vrullshëm iu lëshua
gjaku i tij njëherësh mbi fytyrë,
dhe dejt’ e tij u frynë si rrëkera,
xixa të zjarrta sytë i lëshuan,
fytyra e tij u ndez si një vullkan,
tri herë i ra tokës fort me këmbë,
tri herë u trand shtëpia nga themelet,
darkorët rreth e rrotull u tronditën,
u ngritën shërbestarët të tmerruar,
se mos tërmeti i qiellit e shëmbi
shtëpin’e i varros nëpër gërmadha.
Aq’i potershëm qe, aqë tronditës.
Përliçevi në mënyrë të veçantë përdor përshkimin poetik të dukurive, të veprimeve, të përleshjeve e të pësimeve, që janë përbërësi më i qenësishëm dhe më i natyrshme i rrëfimit epik të kësaj vepre, siç është rasti me përshkrimin e bukurisë së shtëpisë së Skënderbeut:
Shtëpia e Skënderbeut, me një derë
dyfletëshe prej druri të selvisë,
vendosur n’atë vend nga duar mjeshtri,
ish një banesë e gjerë dhe e lartë,
që vezullonte bukur kundrejt dritës
së diellit në perëndim e sipër .
ose
U nis Tanushi ahere drejt pallatit
dhe pas Emini, duke mbajtur shpatën
e duke iu gëzuar i mahnitur
shkëlqimit të banesës; vezullonte
si hëna e si dielli pallati
i lartë i kreshnikut Skënderbe;
mermerët e mëdha e të lëmuara,
të lyera me vaj, me katër qoshe,
shëndritnin gjithë nur…
ose
Çdo gjë shkëlqente
dyert gjer atje lart nga dru selvie;
tokmakët, ar safi, te Venedikut;
streha, nga plumb i tretur, e ndërtesës.
Shtrihej një kopsht para atij pallati,
ku lulëzonin pemë frytdhënëse:
bajame veshur bukur rroba vere;
arra rrufegoditura e shegë
kokërrargjenda; pjeshkë gjetheçarë;
mollë frytëmbla; dardha shtatpërpjetë;
fiq qumështlëngshëm e ullinj bleroshë;
qershi zogjndjellse, shpirti i çdo fëmije.
Tej e këtej, si në një pyll, lartoheshin
selvi të gjelbëruara përherë,
lisa të lartë, plepa majëveshur,
brenda shtatdrejtë, rrepa gjethedendur
dhe vidha hieshumë. N’ato pemë,
që s’japin fryt të ngrënshëm vdekatarit,
por pyjeve e kopshteve qëndrojnë
statuja të pamburrura, mes gjetheve
këndonin zogj të dashur fort për muzat
dhe dy nga dy festonin dashurinë,
verën lulestolisur. Midis kopshtit,
një shatërvan mermeri të lëmuar
lëshonte nga tre qyngje ujët lart
një pash, dhe rreth e qark piklëzat vareshin
si vesë e merrnin ngjyrat e ylberit
nga gjith’ ai shkëlqim purpur i diellit,
që n’atë kohë shkonte për t’u dergjur.
FRYMA HYJNORE E EPIT E SHKRIRË NË KONCEPTIN POETIK
Në vijim po vështroj, përmbledhtas, përmasën hyjnore që e cilëson epin “Skënderbeu” të Grigoriu Stavridhu- së apo Grigor Stavrev Përliçevit. Përcaktimi i poetit që të fusë dhe të shkrijë në konceptin e vet poetik besimin në Hyjin dhe në Mbretërinë hyjnore është krejt i natyrshëm: në epet e lashta dhe sidomos në “Iliadën” dhe “Odisenë” të Homerit, ku ai u mbështet më së shumti për hartimin e veprës së vet, hyjnitë, përkatësisht zotat bëjnë një përbërës qenësor në sistemin shtjellues dhe kuptimor të tyre. Pra, Përliçevi poet e vazhdon traditën paraprake që në veprën e vet epike të ndërthurë e të harmonizojë botën hyjnore në rrafshe e në vende të ndryshme, ta lidhë me veprimet e udhëheqësve të luftës e të ushtarëve që marrin pjesë, ku ndriçohet rëndësia që ata i japin besimit në Hyjin. Përliçevi e këmben në epin e vet besimin në shumë zota (nga tradita e leshtë epike) me besimin në një Zot, përkatësisht në Krishtin dhe Muhametin, në hyjlindësen, Shën Marinë etj.
Besimi në Hyjin e ka pasuruar qenësinë përfytyruese të veprës letrare poetike “Skënderbeu” dhe i ka mundësuar autorit që ta përligjet imagjinata krijuese më shumë.
Përleshjen ushtarake midis ushtrisë së Skën-derbeut dhe të Ballabanit, Grigoriu Stavridhu e ven-dos në një vend hyjnor: “Një lulëzim hyjnor stolis luginën” (f. 48), ndërsa Skënderbeu u thotë bashkë-luftëtarëve arbërorë “Ju ka falur fuqi Zoti” (f. 90).
Të dy palët: udhëheqësit dhe ushtarët e të dy ushtrive, janë besimtarë dhe në çaste vendimtare kërkojnë ndihmën e Hyjit: Skënderbeu dhe ushtarët arbërorë në Krishtin, birin e Hyjit, në Shën Marinë, hyjlindësen, ndërsa Ballabani në Hyjin (Allahun) dhe në Muhametin. Nisur nga koha kur Grigoriu Stavridhu e shkroi epin e vet, gjithë kjo është e lidhur ngushtë me jetën e përditshme dhe me besimin që njerëzit kishin tek Hyji dhe gjithpushtetshmëria e tij.
Se ky përbërës – besimi në Hyjin dhe në Mbretërinë hyjnore – është i qenësishëm dhe në epin “Skënderbeu” të Përliçevit, po sjell tekstin e fillimit të epit me përkthimin e Llambro Ruci, i cili bëri një përkthim të ri të këtij epi në një varg tjetër në krahasim me Çomorën , po nga teksti i përkthyer në greqishten e re, të bërë nga Niko Stylos . Në tekstin e botuar në Tiranë redaktorët, për shkak të ideologjisë komuniste, shmangën disa nga vargjet e fillimit të epit (!).
Në përkthimin e Rucit, në fillim të veprës “Skënderbeu” të Përliçevit, shprehet besimi i thellë i kryetrimit arbëror në Hyjin dhe në birin e tij, Jezu Krishtin :
Mendjen ç’më rrethoi një valle hyjnore heronjsh,
me dëshirën të këndoj marshin e Skënderbeut,
që dhe nëse u printe pak luftëtarëve trima
theu dhe shkatërroi agarinë dhjetëra mijëra
e përnderoi besën e shenjtë të Jezu Krishtit
dhe qetësoi rënkimin e hijes prindërore
që i fanitej shpesh atij kur nisej për plaçkitje,
vegim i zbehtë e i zymtë tre bij të tij vajtonte
tre djem të parritur në fshehtësirë helmuar
i qante pa pushuar e kërkonte hakmarrje .
Ose kur poeti rrëfen për lutjen e Skënderbeut para ikonës së Shën Marisë, përmes së cilit ai i drejtohet hirit të Hyjit (edhe kjo sipas përkthimit të Llambro Rucit), që t’i ndihmojë në mbrojtjen e vendit nga sulmet otomane.
U kthye nga lindja Skënderbe kreshniku
ku varej një ikonë e shenjtë e Shën Mërisë
dhe një kandil shkëlqente para saj porsi yll,
ngriti duart drejt saj përpjetë duke u lutur
gjersa heroi ngazëlloi Zotin me mirënjohje …
Përshpirtshmëria e Skënderbeut dëshmohet edhe kur poeti Përliçev rrëfen për qëndrimin e kryetrimit arbëror përballë papës, Piut, që ishte “një Krisht i gjallë ”, i cili prapësonte armët dhe të këqijat nga arbërorët e udhëhequr nga kryetrimi në ndërmarrje të shumta luftarake:
Pioja, kalorësi i madh e kryeprifti i Romës,
që besnikërisht e adhuronte Skënderbe kreshniku
si një pjesë e Krishtit dhe ikonë e gjallë
që shumë plumba topiti nga armë zjarri,
duke tërhequr ato mbi vete me forca të mëdha
dhe zmbrapste shfarosjen e Skënderbe kreshnikut .
Se Skënderbeu i lutet Zotit dhe lutjen drejtuar atij e ka pjesë të veprimit të rëndomtë, dëshmohet edhe kur ai në shtrat, para së të flejë, lutet për ta qetësuar shpirtin :
Pasi ia qetësoi shpirtin lutja
mbreti u dergj, e pranë mbretëresha
dhe afër saj i vogli në djep (f. 84)
Këtë përmasë të rëndësishme të epit e përligjin dhe shembuj të tjerë. Kështu, kur trimat arbërorë ulët ta hanë bukë dhe bëjnë kryq për ta lutur Zotin që beteja t’u shkojë mbarë:
Bënë të gjith kryq, përveç të huajt, f. 68
Kjo dëshmohet edhe me rastin e aktit të ngu-ljes në hu të kasnecit të Skënderbeut, Dinkos (me urdhrin e Ballabanit), kur edhe vetë ushtarët otom-anë e vlerësojnë si veprim të ulët, si një mëkat dhe përballë Zotit dhe Mbretërisë hyjnore, kur thyhet “gjyqi hyjnor” (f. 125) apo, siç thotë plaku i urtë, Karahasani, përbuzet “drejtësia hyjnore” (f. 44).
Edhe fjalët e Muharremit guximtar e dësh-mojnë këtë: kur vëren se ai dhe bashkëluftëtarët (të zënë robër) s’kishin më shpëtim, i drejtohet me zjarr fatosit Skënderbé që të ketë mëshirë për ta për arsye se ata, siç thotë ai, i kishte dënuar vetë Zoti:
Zemrim’ i madh i Zotit na dënoi,
se Ballabani vrau kasnecin tënd,
një burrë të pafajshëm, duke fyer
Gjyqin Hyjnor. O zemërmadh, mos ndyej
duar me gjak prej burrash të paarmë! (f.125)
Meqenëse Hyji ka në dorë gjithçka, siç del dhe në epin “Skënderbeu” të Përliçevit, ai vendos dhe për humbjen dhe për fitoren:
Zoti i ka në dorë
të dyja, dhe fitoren edhe humbjen. (f. 66)
Edhe vetë fitorja e arbërorëve mbi otomanët, sipas mendimit të ushtarëve otomanë, është fryt i dëshirës së Zotit:
Edhe gjaurit të pabesë i fali fitoren (Zoti, f. 53)
POETI MENDIMTAR
Në epin “Skënderbeu” Përliçevi i kushton kujdes të madh dhe mendimit që del nga struktura e tekstit, përkatësisht mendimeve që përftohen përmes tij dhe dëshmojnë dhe për një poet mendimtar. Janë shumë vargje që sa janë poetikë aq dhe të rëndësishëm si kuptime, që ia shtojnë vlerën e përgjithshme epit. Në shumicën e rasteve ato shfaqen në formën e fjalëve të urta, pra të mendimeve të përmbledhura që mund të qëndrojnë dhe më vete. Një gjë e tillë nuk është e rastit për arsye se kjo ngjet edhe në veprat epike ku u mbështet Përliçevi, sidomos në dy epet e Homerit, që janë frymëzimi dhe mbështetja e qenësishme e tij në përftimin e veprës së tij.
Po i sjell disa mendime të tilla dhe vargje të veçanta e poetikisht të ngritura :
Stuhi e gjëmë dua t’i këndoj, f. 17
Që vetëm emri i tij shkund Helikonën, f. 18
Dikur hordhit’ e tij si miz’ e lisit, f. 22
Kruja vorrezë për gjeneralë, f. 23
Fushë e Krujës në pak kohë u nxi, f. 24
Po kundër Zotit tënd mos mbaj mëri. f. 25
Një fis hyjnor tregon fytyra jote, f. 27
Napën e zezë ka lëshuar nata,
që siell gjumë t’ëmbël, e çlodh mundimet. f. 40
Kur flasin vepra nuk ka vend për fjalë. f. 40
Këshilla e urtë qeveris shtëpinë. f. 41
Luan e leopard e kishte quajtur Murati, f. 42
Zoti i frymzoi atij frikën, f. 42
Mesnatë. Gjum’ i thellë kish bashkuar
gjymtyrët e luftarëve të lodhur, f. 49
Lum ai trim që vdes duke luftuar! f. 51
kopé prej delesh që frikon luanin. f. 52
Nderi i një ushtari është pushka. f. 52
Kope prej delesh që frikon luanin. f. 52
si ujku mbi kopenë që mërzen. f. 53
Nata e zezë i mbulon vrasjet, f. 53
Dhe shpendët po u shqyejnë kufomat, f. 54
Të ngrysur, t’heshtur, me një gur në zemër, f. 54
Burri shpirtmadh duhet ta mund dhembjen. f. 57
Gëzimi është fqinj i hidhërimit. f. 58
Për mua përtacia është vdekje. f. 59
Të vigjilojnë çdo pusi dheltare, f. 60
qershi zogjndjellës, shpirti i çdo fëmije, f. 62
(dera) që u hap vrikme buluritje demi, f. 64
Mos vallë ma rren syrin terri i mbrëmjes? f. 66
Që i kish marrë bukurin’ Erosit, f. 67
si dallgë deti kur fryn jug’e marrë, f. 70
(otomanet) Malet e Shqipërisë patën varre, f. 75
Guximi lind fitore, frika ikjen. f. 76
Të korrat janë plot, por të pak argatët. f. 79
Të pagjakosur s’kthehemi në Krujë, f. 80
Dhe dejt’ e tij u frynë si rrëkera, f. 81
xixa të zjarrta sytë i lëshuan, f. 81
fytyra e tij u ndez si një vullkan, f. 81
Do të vuash ç’të ka shkruar ora e lindjes. f. 82
Dinkoja ra, po vatra e tij s’u shua, f. 83
Dielli u nis të dergjet dhe ra nata, f. 83
Hëna e gjaktë u pa mes resh të egra, f. 85
Atje veç trimëria sjell fitore. f. 87
Rrinte pa mbyllur sy, si drer’ i trembur, f. 87
(Kjo nat’ e errët)
Si ëndërr e agimit zbardhëlloi, f. 88
As pusit’ as dredhat
S’na hynë më në punë, vetëm zemra
e ndezur, trimërore, dhe qëndresa! f. 90
pa flakën e trimave që kishte ndezur, f. 90
dhe trimit
që ra ja veshi sytë errësira, f. 100
dhe shkëmbenin
vështrime ogurzeza që bashkonin
mërin’ e tyre – vdekjen s’e përfillnin, f. 105
grinin e korrnin me luanin pranë, f. 117
S’ka shpresë tjetër, vdekje o fitore. f. 118
si gjarpërinj, ujturbull, rrodhën fushës, f. 123
sikur nuk shkelnin tokën duke ikur, f. 124
Vdekja e shpejtë që fashit mendimet. f. 124
dergjeshin mbi shojshoq si kallinj gruri, f. 125
Në poemën “Armatollos” (1860), me të cilënfitoi më 1860 shpërblimin e parë në konkursin e Athinës, Grigoriu Stavridhu apo Grigor Stavrev Përliçevishkruan pos të tjerash: “[…] Të gjithë shqiptarët janë zemërgjerë, mendjemprehtë dhe mirënjohës të mëdhenj; janë mikpritës dhe të besës si asnjë komb tjetër; të ndershëm, thellësisht liri-dashës dhe të patrembur në luftime…”. Edhe po të mos e kishte thënë këtë mendim Grigor Stavrev Përliçevi, epi i tij “Skënderbeu” kushtuar kryetrimit tonë, e përligj atë në mënyrën më të thellë: është shkruar me një dashuri e ngrohtësi të jashtëza-konshme, sikur çdo pjesë e qenies së tij të ishte ngji-zur krejtësisht me gjak dhe rrënjë arbërore – shqip-tare, duke i ngritur Gjergj Kastriotit, një përmendore poetike të rrafshit të lartë dhe derisa të çmohet arti i fjalës dhe mesazhi artistik, ajo do të mbijetojë.

You Might Also Like