Libri

U përmbyll “Vjeshta letrare e Gjilanit 2022”

Me ekspozimin e botimeve të këtij viti si dhe me dhurim librash për Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli”, në Gjilan është përmbyllur “Vjeshta Letrare e Gjilanit 2022”.

Në këtë ngjarje të madhe të librit, kryetari i Ars Club “Beqir Musliu”, Sabit Rrustemi, ka theksuar se ishte kjo një vjeshtë e begatë në veprimtarinë letrare dhe afirmimin e librit dhe të shkrimtarit. Ky vit u përmbyll me 17 botime të reja letrare, katër numra të Revistës Letrare “Agmia”.

Sabit Rrustemi, tha se 50 tituj me nga dy ekzemplarë i dhurohen bibliotekës, kurse tre tituj u janë dhuruar lexuesve, siç më herët u ishin dhuruar libra shumë bibliotekave në Kosovë, por edhe në Maqedoni e Shqipëri, kudo ku ka lexues shqiptarë.

Rrustemi, tha se sivjet janë botuar libra cilësor, pati një vjeshtë të bereqetshme letrare, referime të shkëlqyera, deklamime, udhëheqje e promovime të librit.

“Vjeshta Letrare” duhet të përkrahet edhe më tej nga Komuna e Gjilanit e ky është edicioni i trembëdhjetë. Ai ka kërkuar më shumë përkrahje për librin, ngase libri e meriton, qoftë edhe mbështetje nga ministria.

“Libri të ushqen shpirtërisht, por krijuesi është qenie njerëzore edhe ai meriton përkrahje”, tha Sabit Rrustemi, që tha se është i lumtur për punën e bërë, ngase këta libra nuk janë libra çfarëdo, por ndër më të mirët, botime të zgjedhura, në poezi, por edhe në zhanret e tjera letrare. Ai ka falënderuar edhe botuesin Emin Azemi, i cili sivjet nëpërmjet Shtëpisë Botuese “Agora” nga Shkupi, si dhe gjatë numra të Revistës “Juvenilia”.

Qazim Azizi, drejtor në Bibliotekën Ndërajonale “Fan S. Noli”, ka falënderuar për librat që i janë dhuruar bibliotekës dhe ka shtuar se nuk ka kënaqësi më të madhe për bibliotekën se sa kur merr libra e sot një gjë e tillë ndodhi në këtë bibliotekë, që u pasurua me tituj të rinj. Poetët e letrarët janë miq të bibliotekës, sikurse që i ka miq edhe lexuesit, nxënësit e studentët që mbushin sallat./kryelajmi.com/.

You Might Also Like