Evi Kirmakidou nga Greqia është fituese e çmimit të parë në “Salloni Vjeshtor”, edicioni i trembëdhjetë që është mbajtur në Gjilan. Është kjo një ekspozitë ndërkombëtare e arteve të bukura, që ka mbledhur artistë nga shumë vende.
Fillimisht Jeton Rexhepi, ka thënë se tema e sivjetme e “Sallonit…” ishte nudo, temë kjo që nuk punohet shumë dhe që është specifike. Ai tha se secili student i artit e ka provim edhe këtë lloj të punimit dhe ka rikujtuar se në Shqipëri ishte Pjetër Marubi që bëri foton e parë nudo, derisa në Kosovë me këtë temë ka qenë tejet i preokupuar Fahredin Spahiu. Rexhepi ka thënë se janë përpjekur që të thejnë këtë mentalitet dhe ka shtuar se kjo ekspozitë është ndërkombëtare.
Shpresa Kurteshi, kryesuese e Asamblesë Komunale të Gjilanit, ka përshëndetur pjesëmarrësit në emër të Kuvendit Komunal të Gjilanit dhe ka thënë se është kënaqësi e vecantë që është pjesë e edicionit të trembëdhjetë me radhë.
“Arti ka vetëm një gjuhë, të cilën e kuptojnë të gjithë. Komuna i ka mbështetur gjithmonë aktivitetet dhe ngjarjet e tilla dhe se i motivojnë artistët që edhe në të ardhmen të merren me këtë veprimtari”, ka thënë Kurteshi, që ka hapur edicionin e sivjetmë.
Arian Rexhepi, piktor akademik dhe organizator i kësaj ngjarje, ka thënë se juri ka përzgjedhur punimet më të mira dhe ka dhënë këtë vlerësim:
Vendi i Parë: Evi Kirmakidou – Greqi
Vendi i Dytë: Meri File – Shqipëri
Vendi i tretë: Alma Islamaj – Kosovë
Cmimi special: Brilant Milazimi – Kosovë