Me një solemnitet rasti, ka filluar sot në Viti projekti për ndërtimin e urës mbi Lumin Morava, afër kompleksit të shkollave të mesme. Ky projekt është cilësuar si shumë I rëndësishëm për faktin se do të mundësoj qarkullimin sa më të lehtë të automjeteve transportuese, pasi që kjo zonë e qytetit është e stërngarkuar me qarkullim për shkak edhe të frekuentimit të nxënësve të shkollave të mesme. Me këtë rast, kryetari I komunës Sokol Haliti ka theksuar nevojën e madhe që ka realizimi i këtij projekti dhe ka shtuar se pos fillimit të kësaj ure, në kuadër të këtij projekti do të filloj edhe ndërtimi I urës tjetër që lidh Kabashin me Binçën, Vitinë dhe Beguncën, por edhe lokaliteteve tjera që mund të kenë një qarkullim më të lehtë ashtu siç e meritojnë. “Po e them edhe ne prezencën tuaj. Puna kërkoj të bëhet në kualitetin më të mirë nga kompania kontraktuese. Ashtu siç është e paraparë në projekt dhe nuk do të lejojmë që projekti të kryhet sa për të thënë. Dua përgjegjësi dhe dua kualitet. Gjithashtu punët rreth ndërtimit të këtyre urave do të kryhen në bazë të planit të paraparë kohorë, kështu që do të jeni dëshmitar edhe ju deri në finalizim e këtij projekti” ka thënë kryetari Haliti para të pranishmëve. Investitor i ndërtimit të kësaj ure është Ministria e Infrastrukturës dhe Komuna e Vitisë.