Futboll

Fahredin Sherifi, një jetë kushtuar arsimit e futbollit

Qyteti i Gjilanit në mesin e tij, me dekada të tërë ka pasur njerëz që tërë jetën e tyre kanë punuar për të mirën e popullit shqiptar. Njëri ndër ta është Fahredin Sherifi, i cili gjithë jetën e tij kontribuoi për të mirën e popullit gjilanas e më gjerë. I lindur në Gjilan, plot para 81 vitesh, Fahredin Sherifi një djalë i familjes patriotike – Sherifi, i edukuar në frymën patriotike. Sherifi gjithmonë ishte arsimdashës, sportist e udhëheqës i shumë funksioneve kulturore e sportive. “Farka” siç e thërrasin të gjithë, shumë i ri kishte marrë ditarin në dorë duke ligjëruar lëndën e Matematikës në Shkollën e Normales e në Gjimnazin e Gjilanit.

“Ishin kohëra shumë të vështira, pasi mbi gjysma e popullatës nuk dinin as shkrim e as lexim. Femrat ishin të ngujuara me punët e shtëpisë e as që mendohej të shkolloheshin, por gradualisht me emancipimin e jetës populli shqiptar po hapte rreze të diturisë – po fillonin të vijonin shkollën, ishte varfëri e madhe por ky popull gjithmonë ka pasur zemër të madhe dhe shumë sfidave ju ka dalur përballë”.

Fahredin Sherifi përcolli shumë gjenerata, i cili me një elegancë e kulturë të madhe arriti që nëpërmjet tij më vonë shumë nxënës të arrijnë të formohen e të studiojnë në fakultete të ndryshme.

Fahredin Sherifi, poashtu njihet edhe si njëri ndër futbollistët më të mirë që ka pasur qyteti i Gjilanit. Ai ishte një organizator i madh i lojës ë futbollit. ‘Farka’ karrierën e futbollistit e filloi në vitin 1958 dhe e përfundoi në 1974, ndërsa në vitin 1963 arriti të shpallet kampion krahinor me C. Zvezdën e Gjilanit.

“Këto ishin vitet kur popullata shqiptare dalëngadalë po merrte pjesë në shumë fusha. Në këto vite kemi pasur shumë pak shqiptarë në klub, por ata që ishin, ishin më të mirët. Më njërin tjetrin ishim si vëllezër dhe luftonim për qytetin e Gjilanit dhe jam shumë krenar e me fat që i takoj asaj gjenerate të artë të futbollistëve, ku për mendimin tim vështirë se do të përsëritet ndonjëherë”.

Fahredin Sherifi pas përfundimit të karrierës, inkuadrohet nga viti 1976-1980 si trajner i C. Zvezdës së Gjilanit, duke pasur suksese të jashtëzakonshme. Kur ishte organizuar Kampionati Botëror i Hendbollit në Kosovë për të rinj, në vitin 1979, Fahredin Sherifi ishte drejtori i parë i Palestrës Sportive në Gjilan. Këtë post ai e mbajti plot 14 vite.

“Ishin kohëra të arta të sportit në Kosovë, kudo po lulëzonin sportistët shqiptarë – si në ato ekipore po ashtu edhe individuale. Palestra për ne ishte një dhuratë e madhe për sportin me dorë, qyteti i Gjilanit në mënyrë spektakolare arriti t’i organizon disa ndeshje të këtij Kampionati Botëror, duke marrë mirënjohje të mëdha nga Federata e Hendbollit Botëror”.

Përpos sportit, drejtori Fahredin Sherifi në ato vite organizonte koncerte me këngëtarë nga Shqipëria, që askush në Kosovë as që mendohej të organizonte, por me inteligjencën e tij ‘Farka’ kishte arritur të bindë njerëzit e sistemit komunist edhe pse shumë herë ishte në biseda informative. Sistemi Komunist nuk e kishte harruar angazhimin dhe përkrahjen për popullin shqiptar nga Fahredin Sherifi, duke e thirrur atë vazhdimisht në biseda informative e më pas duke e shpallur ‘terrorist’ dhe kështu vendosi që të largohet në vitin 1992 deri në 2014 drejt shtetit të Turqisë me familjen e tij.

“U detyrova të braktisë Kosovën e të dashurit e mi në vitin 1992, e të shkojë drejt Turqisë, për arsye të represionit nga Policia Serbe, të cilën po bënin ndaj meje e familjes sime, por gjatë qëndrimit tim në Turqi gjerë në vitin 2014, shtëpia ime ishte një lloj Ambasade për njerëzit e Gjilanit dhe jam shumë i nderuar nëse sado pak kam kontribuar për të mirën e popullit tim”, thekson Sherifi.

Fahredin Sherifi për kontributin e tij jetësor nga Komuna e Gjilanit është shpallur “Nderi i Qytetit”.

Sot, Fahredin Sherifi, 81- vjeçar me qetësinë e tij prej intelektuali, shumë qytetarë e ndalin në rrugë për ta falënderuar për punën e tij jetësore, edhe pse një jetë të tërë ai punoi për të mirën e popullit shqiptarë, ai sot gëzon një pension vetëm prej 100 eurosh, pa iu njohur statusi i tij i punës, pasi që të gjithë dokumentacionin policia serbe ia kishte zhdukur duke ja humbur çdo gjurmë punës së të tij.

Qyteti i Gjilanit bashkë me qytetarët, nxënësit e sportistët, do t’i jenë mirënjohës për jetë Fahredin Sherifit për kontributin e dhënë për popullin shqiptar.

You Might Also Like