Arti pamor

Migjen Fazliu më 17 shkurt do të hap ekspozitë personale

Postim i Migjen Fazliut:
Shokë, dashamirë, artdashës, kam nderin të ju njoftoj për ekspozitën time të parë personale që do të hapet më 17 shkurt, për nderë të Pavarësisë së Kosovës.
Kjo ekspozitë do të jetë për, dhe me fotografitë e gjyshit tim të ndjerë, Muhamed Fazliut. Gjyshi im ka qenë një fotograf i jashtëzakonshëm, pedant e pasionant. Ndër të tjera, ka qenë edhe themelues i Foto Kino Klubit në kuadër të Fabrikës së Tekstilit, ku atëbotë është prezantuar me fotot e tij nëpër shumë qytete të ish-Jugosllavisë, në Stamboll e Ankara, dhe fare pranë vdekjes pat marr ftesë për tu prezantuar në Barcelonë të Spanjës, të cilën paraqitje nuk mundi ta realizoj.
Gjyshi im, Muhamed Fazliu ka trajnuar dhjetëra persona për fotografi si dhe këtë medium e ka lënë si trashëgimi tek pasardhësit e tij. Sot falë tij, me fotografi merret baba, nëna, axha, unë, dhe në të ardhmen shumë breza të tjerë.
Ndonëse edhe unë si fotograf kam pasur dëshirë të paraqitem me fotografi të mia personale në ekspozitë, për mua ka qenë primare paraqitja e talentit të gjyshit tim.
Ka qenë një projekt i imi i kamotshëm prezantimi i fotografive të gjyshit tim tek audienca e re. Prezantimi i punës së tij në realitetin e ri politik në shtetin e pavarur të Kosovës do ta bënte shumë të lumtur gjyshin tim, i cili nuk e pati fatin ta jetoj këtë kohë. Por, mbi të gjitha, është mëkat pa u shfaqur para artdashësve talenti dhe përkushtimi i tij për fotografinë.
Ekspozita do të përmbajë fotografi të viteve 80-ta e 90-tave, aparate të vjetra, fotografi të shfaqura me projektor përmes diapozitivave, si dhe do të dëgjojmë muzikë nga koleksioni i tij i pllakave të gramafonit.
Fotografitë i kam skanuar dhe përpunuar unë, ndërsa përzgjedhja është bërë bashkë me kuratorin e ekspozitës, Avni Rudakun.
Andaj, me 17 shkurt, në ora 20:00 ju ftoj të merrni pjesë në hapjen e ekspozitës tek Galeria e Arteve në Gjilan ku do të shoqërohemi edhe me një koktej rasti.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 3 mars 2024.

You Might Also Like