Dr. Kushtrim Jakupi
Qysh në lashtësi, popujt e kanë pasur traditë që t’u këndojnë princave të tyre, porse kjo ka qenë ndoshta më e theksuar ndër popujt e vegjël e me armiq të mëdhenj, si ne shqiptarët, prandaj gjatë gjithë kohëve kanë fiksuar në këngët historike çdo akt trimërie e atdhetarie, sepse siç thuhet në popull tek ne “kënga del prej grykës së pushkës”.
Gjergj Kastriot Skënderbeu është një nga figurat më domethënëse të historisë sonë kombëtare. Ai ka frymëzuar për shumë krijime folklorike- këngë, mite dhe legjenda. Shumë autorë e kanë trajtuar dhe vazhdojnë edhe sot të trajtojnë figurën e Skënderbeut në krijimtarinë e tyre. Ato janë të shumta në numër në formë, dhe karakter. Jehona e tyre ka qenë e vazhdueshme që nga koha e Skënderbeut, brez pas brezi duke arrit deri në ditët tona.
Figura e Gjergj Kastriotit, përveç se është bërë e njohur kudo në botë përmes dokumenteve, teksteve të historisë, tregimeve, romaneve e monografive të autorëve të huaj e shqiptarë, ato janë përcjellë gjatë tërë këtyre shekujve, nëpër gjenerata, nga këngëtari popullor shqiptar, rapsodi, amatori apo muziktari profesionist. Populli ynë përkujton me këngë çdo ngjarje të rëndësishme që e përcillte gjatë historisë. Kështu ai ka përkujtuar edhe heroin tonë kombëtar, luftërat që udhëhoqi për liri kundër pushtuesve osman. Këtë dedikim të këngës të cilin ia dha populli Skënderbeut e dëshmojnë shumë fakte të mbledhura nga studiuesit, shkrimtarët, dijetarë të shumtë, duke filluar nga bashkëkohësit e Skënderbeut. Kështu, së pari në veprën e Marin Barletit, jetëshkruesit bashkëkohor të Skënderbeut, përshkruhet vajtimi (këngët e vajeve) i Lekė Dukagjinit pėr Gjergj Kastriotin Skënderbeun. Pastaj, historiani venecian i gjysmës së dytë të shek. XV, Anton Sabeliko, i cili shkruan se pas vdekjes së heroit tonë këndoheshin këngë mbi trimëritë e Skënderbeut: “….në mesin e zjarrit të luftës, ku çdo gjë shungullonte nga armët e barbarëve, grupe vajzash mblidheshin çdo tetë ditë në kryqëzimin e rrugëve dhe i këndonin udhëheqësit të tyre, sikurse edhe siç e kishin zakon të vjetrit t’u këndonin lavdi heronjve të mëdhenj” .
Frang Bardhi me 1635 shkruan: “Vazhdimisht gjer në ditët e sotme bashkëkombësit tanë flasin për të dhe këndojnë nëpër gostitë me zë të lartë për trimëritë e tij” Më 1807 udhëtari i njohur francez Bartoldi shkruan për këngët e shqiptarëve, duke veçuar ato që përshkruajnë ngjarje nga historia e Skënderbeut. Këtë vazhdimësi të këngëve popullore për Skënderbeun na e dëshmon, gjithashtu, dijetari francez Ami Bue, i cili më 1840 shkruante se “…shqiptarët këndonin ende asokohe këngë për Skënderbeun”, etj.
Ndërkohë, vazhdimësia e këtyre këngëve popullore dëshmohet nga vetë botimet e folklorit tonë. Botimin e parë të një kënge popullore arbëreshe për Skënderbeun e kemi (të përkthyer në italisht) nga Vinçenc Dorsa në gjysmën e parë të shek. XX , por si mbledhës i këngëve arbëreshe për Skënderbeun njihet poeti Jeronim de Rada, i cili në përmbledhjen e tij të famshme “Rapsodi të një poeme shqiptare të mbledhur në koloninë e Napolit”, botuar në Firence më 1886, përfshiu tetë këngë për jetën dhe veprimtarinë e Skënderbeut.
Në vazhdën e kësaj duhet theksuar se shtrirja e këngëve dedikuar Skënderbeut është e gjerë dhe përfshin të gjith territorin etnik shqiptar dhe jo vetëm, Këto këngë i gjejmë edhe jasht këtyre kufijve, parasë gjithash në trevat e dikurshme apo aktuale shqiptare të cilat gjenden jashtë kufijve administrativ (Greqi, Maqedoni, Malin e zi dhe Itali). Për shkak të ndikimeve reale historike në disa zona këto këngë janë më shumë të pranishme dhe njëherit më autentike (Kruja, rrethi i Krujës, Lezhës, etj) gjithashtu janë ruajtur shumë mirë në trevën malore të së ashtuquajturës “krahinë e Skënderbeut” e sidomos në trevat shqiptare në Itali. Këngët e kolonive italo-shqiptare janë pa dyshim të kohës së para mërgimit, pra, të mesit të shek. XV.
Nga këndvështrimi tjetër, ai shkencor muzikor, format muzikore të dedikuara Skënderbeut, i gjejmë nga ato më të thjeshtat, ninullat (të ndërtuara nga fjali apo periudha) e deri te format më të mëdha muzikore (poema simfonike, suita dhe opera). Për sa u përket veçorive krahinore të këtyre këngëve mund të bëhet një dallim i përgjithshëm në mes dy dialekteve tona gjuhësore dhe muzikore; këngët e zonës veriore- homofonike të cilat janë më të gjata se ato të zonës jugore- polifonike.
Këngët e gjinisë epike e zënë vendin qendrorë në krijimtarinë dedikuar Skënderbeut disa shumë të vjetra e disa më të reja. Përmendim një “Vajtim shqiptar që këndohet në Krujë”, botuar në përkthimin frëngjisht (“Complainte albanaise chantée a Croia”) nga A. Degrandi më 1901, pastaj “Kënget popullore gegërishte” (Sarajevë, 1911), ku përfshihet kënga me titull “Skënderbegu nuk ka vdekë”. Në vitet 1948 u shënjua (transkriptua) një këngë popullore për rrethimin e parë të Krujës (1450), kënduar nga një rapsod plak i atij rrethi. Më 1957, gjatë një ekspedite folkloristike, u incizua me shirit magnetofoni një tjetër këngë për Skënderbeun, e këndoi një rapsod nga fshati Kaçinar i Mirditës, etj.
Edhe sot shumë këngë kushtuar Skënderbeut vazhdojnë të këndohen në tërë territorin etnik shqiptar dhe janë pjesë e repertorit të shumë rapsodëve, të ansambleve folklorike apo edhe këngëtarëve duke i sjellë këto këngë në forma dhe variante të ndryshme si në muzikën homofonike ashtu edhe atë polifonike. Këto melodi të bukura shpesh herë kanë shërbye edhe si material tematik për ndërtimin e formave të ndryshme në muzikën artistike. Temat e bazuara në këngët për Skënderbeun shumë shpejt u bënë pjesë e veprave më të mëdha artistike, operave, poemave simfonike, simfonive, suitave, rapsodive, por edhe formave tjera më të vogla, këngëve solo me përcjellje, këngëve korale, etj.
Dashurinë dhe krenarinë e popullit tonë ndaj figurës së Skënderbeut e dëshmon edhe kompozitori Martin Gjoka i cili shkroi simfoninë e parë shqiptare dedikuar Skënderbeut “Dy lule mbi vorr të Skanderbegut” më 1919- tën e largët pikërisht kur edhe muzika artistike shqiptare filloi të frymoj. Kjo vepër do të jetë shtytëse edhe për krijimet e tjera artistike serioze të cilat do të i dedikohen Skënderbeut.
Edhe bashkëvendësi i tij, shkodrani, Prenk Jakova, operisti i parë shqiptar, pas kryeveprës së tij njëherit operës së parë shqiptare “Mrika” kompozoi operën e dytë të cilën e dedikoi figurës së Skënderbeut. Kjo opera u vendos në skenë më 17 janar të vitit 1968 në vigjilje të përvjetorit të 500 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar. Në Operan “Skënderbeu” vërejmë intonacione epiko-heroike me një gjuhë të kuptueshme me ariet, duetet e koralet të cilat janë kompozuar me shumë mjeshtri nga Prenk Jakova. Opera Skënderbeu mbetet një vepër madhështore jo vetëm për nga muzika e pasur por edhe orkestracioni i përsosur, për nga rolet, personazhet dhe karakteri i saj madhështor.
Kolosi i kulturës sonë, Fan Noli, arriti të “pa arriturën” si student dhe entuziast i muzikës, në Konservatorin e New England-it (SHBA), më 1938, para komisionit, kishte paraqitë si punë diplome tri vepra me motive shqiptare ku njëra nga to ishte poema simfonike “Skënderbeg” vepër kjo që ishte ekzekutuar nga orkestra e studentëve të këtij konservatori, si pjesë e provimit të tij të diplomës.
Muzika e filmit “Skënderbeu” e ndërtuar në formë të suitës ka një vlerë shumë të madhe edhe për nga simbolika që ka por edhe për nga vlerat të cilat i përcjellë në partet e tija kompozitori, i konsideruar “baba i muzikës klasike shqiptare”, Çesk Zadeja. Ekspresivitetin dhe dramaticitetin të cilin e përcjellë kompozitori të kombinuar me imazhet e filmit të njohur shqiptar e sjellin “në jetë“ figurën e Skënderbeut. Motivi kryesor i kësaj Suite është nga malësia e Shkodrës me autor Martin Gjokën, “Kenkan mbushur malet me borë” (e njohur tek ne si kënga “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”).
Nga plejada e kompozitorëve kosovar duhet përmendur “Poemën dramatike” të kompozuar nga kompozitori kosovar Fahri Beqiri të dedikuar gjithashtu figurës së Skënderbeut. Edhe në këtë vepër kompozitori ‘shfrytëzon” motivin e njohur “kur ka ra kushtrimi n’Kosovë” si një lajtmotiv i cili do të shoqëron figurën e Skënderbeut edhe në vepra tjera të kompozitorëve tjerë.
Por, tërë kjo krijimtari e kompozitorëve shqiptarë mund të konsiderohen e mbetur nën hijen e krijimeve kolosale të shumë kompozitorëve të huaj të cilët dedikuan vepra të mëdha figurës së Skënderbeut. Kështu në shekullin XVII kompozitori francez Francois Francouer kompozoi një opera dedikuar “Skënderbeut”. Ajo u porosit dhe u shfaq për herë të parë para mbretit të tyre, Louis-it XV dhe Mbretëresha Maria Charlotte Leszcynska të Francës në Fontainebleau më 22 tetor 1763. Të gjitha partet e operas kanë mbijetuar duke përfshirë edhe një version original dhe janë vendosur në një bibliotekë në Paris.
Më pas opera e tretë dedikuar Skënderbeut, u kompozua më 1785 nga Bernard Germain Lacepede , naturalist, politikan dhe muzikant francez; gjithashtu edhe presidenti i Senatit Francez dhe i Kancelarit të Madh të Legjionit Lacepede. Kompozoi pesë opera ku njëra nga to e Skënderbeut.
Por kulmin e krijimtarisë artistike muzikore dedikuar Skënderbeut, padyshim që e mban kompozitori me famë botërore Antonio Vivaldi. Krahas Bahut ky kompozitor është figura qendrore e muzikës së barokut, etapës kryesore të kulturës muzikore evropiane kur edhe muzika artistike përjetoi zhvillimin dhe emancipimin më të madh. Vivaldi autor i kryeveprës “katër stinët e vitit” nuk i rezistoi figurës së Skënderbeut duke shkruar edhe operë- formën më të madhe skenike muzikore dedikuar Skënderbeut. Madhështinë e kësaj vepre e rritë edhe më shumë fakti se ajo u interpretua me rastin e inaugurimit të sallës, sot shumë të njohur, të operas Teatro de la Pergola në Firence të Italisë më 22 qershor 1718. Në mesin e një krijimtarie të pasur me mbi 600 koncerte dhe opera, italiani i famshëm Vivaldi i kushtoi një vepër unike të stilit kalorësiak pikërisht heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbej duke konfirmon peshën e madhe të cilën kishte figura e tij në Evropën e civilizuar. Kjo vepër kolosale pas 300 vitesh prej kurë është kompozuar u vendos në skenën shqiptare me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Së fundmi, me rastin e 550 vjetorit të ndarjes nga jeta të Skenderbeut krijimtaria shqiptare dedikuar figurës së Skenderbeut kulmoi me Operën Solemne të kompozitorit të njohur shqiptar Vaso Tole “Skenderbeu, Kryezot i Arbërit”. Në këtë vepër të madhe muzikore-skenike në qendër është jeta dhe përjetësia e figurës së Skenderbeut, libreti i së cilës është i mbështetur në disa motive të veprës së Fan Nolit “Skënderbeu kryezot i Shqipërisë” ku numerat e operës plotësohen me pjesët nga mesha solemne, gjë e cila edhe paraqet risi në krijimtarinë operistike por që edhe në mënyrë simbolike pasqyron përjetësinë e figurës së Skënderbeut!
Sot, krijimtaria muzikore dedikuar Skënderbeut vazhdon dhe është motiv për shumë kompozitorë jo vetëm të muzikës artistike por edhe të zhanreve tjera. Kënga e Skënderbeut dhe porosia të cilën e mbartë me vete si asnjëherë është aktuale edhe sot dhe ka nevojë për të përçuar nëpërmes këngës porosinë e tij që të vazhdojmë të bashkuar të dedikojmë dhe sakrifikojmë më shumë për kombin dhe atdheun, jo vetëm me fjalë por, psejo, edhe me këngë.