Libri

  FJALA NË KËRKIM TË NYJES FILOZOFIKE

Nexhat Rexha
FJALA NË KËRKIM TË NYJES FILOZOFIKE
( Për librin e Albina Idrizit, “TROKITJE TË PRUSHTA”, botim i shtëpisë botuese “Beqir Musliu”, shkurt, 2022 )
Fjala në zbërthim të ëndrrave në shumë raste krijon veçantitë e saja, ato vijnë si erërat e furishme për të çarë mjegullën me diellin e dashurisë. Brengat shqetësuese na ndjekin si hijet e pudukshme në fantaziinë e kërkimit për të prekur dashurinë e ëndrrave për fjalën që jeton në brendësi të shpirtit.
Në këto valë të kërkimit e klithjeve të pambarim, vijnë vargjet poetike në veprën e Albina idrizit ”Trokitje të prushta”, meditimet e brendshme poetike kanë depërtime të thella në botën imagjinative, ato kanë shtrirje të mjaftueshme në horizontin ekzistencaial të rrjedhave kohore. Poezitë e këtij vëllimi në kontekstin tematik kanë shtrrje të lirë, në funksionim të qenësisë së realitetit nëpër vegimet e zgjidhjeve poetike të autores.
Poezia e këtij vëllimi poetik ngërthen në vete evoluim në latimin e vargut, si përceptim dhe si konkretizim i kërkesave për të shkrirë anatominë e metamorfozës poetike. Semantika e tërësishme poetike, artikulon në dhënien e marrjen e fiksionit brenda trajtushmërisë si kodifikim universal. Në realitet disa nga poezitë e librit bartin në vete pjesë autobiografike, të cilat shpërndajnë rrezatim universal. Veçoria artistke komunikon në motivim të transparencës, e cila motivohet nga jeta reale, ajo depërton në përvijimet vrojtuese përmes figuracionit racional.
Në këto përvijime, zgjidhjet e përqëndrimi poetik vështrohet, përkufizon shfaqjen e mendimit në ide të përgjithme dhe në fiksion të arritshëm poetik, duke i dhënë intencën e mendimit filozofik me natyrshmëri të prekshme në parashtrim të zgjidhjeve në përditshmëri. Albina Idrizi, kërkon gjithnjë të gjejë zgjidhjen brenda vargut, në faktorizimin e diçkaje të veçantë që komunikon me procesin jetësor, për të ofruar të arritshmen e ngujuar brenda dramës njerëzore.
Poezia nëpër stinët e viteve ka bredhjet që specifikojnë në diçka të dalluar, e pastaj ato të diktojnë në çaste, të cilat të rikthejnë meditimin për të kuptuar nga vijnë kërkesat në memorien tonë. Disa ngjarje shpërthejnë, nxisin e motivojnë për t`i dhënë jetë fymëmarrjes sonë. Kështu në poezinë “Për t`u gurëzuar përsëri”, artikulimet bartin mistikën përtej meditimit mitologjik, ani pse autorja në ato mbrëmje të errësuara nuk ka vënë në shënjestër ndonjë figurë të ngjashme , në realitet ajo kërkon diçka që përjetëson ecjet e njeriut tonë nëpër kohë. Poenta e vargjeve të fundit arrinë kulmin e portetizimit të kërkesës së autores, sepse vetë enigma filozofike është kërkim shenjues për të ruajtur elementin e lashtësisë, si evokim në trashëgiminë e ecjeve tona ”pët t`u gurëzuar përsëri,qetë / pa rënë në sy”,fq.17.
Në vepër parashtrimet arrijnë të kenë shtrirje deri në pafundësi, duke kërkuar të arritshmen në bukuri të fjalës dhe në konfiguracionin autonom. Poezia krijon bazamentin e ekuilibruar në pikësynim, për t`i thënë materies poetike atë që vjen e funksionalizon botën shpirtërore të autores.
Përditshmëria e këtyre viteve ka sjlleur diktate të reja në botën njerëzore. Albina në poezinë “Përditshmëri”, të jep qëndrimin me pamje të kësaj kohe më ndryshe, sepse vetë rrethanat krijojnë imponime të një realiteti me veçanti në tërë hapësirën tokësore, kurse njeriu i saj vë në theksim këtë përditshmëri, si intimintet i shpërfaqur deri në zbardhje të kërkesave humane. Brenda vargjeve kuptojmë intencën e baraspeshimit konvencional të mesazhit brenda tekstit,si në:
Përgjumshëm, një copë ëndërr
vazhdon jetën e saj prej parazitareje
ngjitur në qepallat e të zot,
gjer në stadin e fundit të sklerozës
kur realja dhe imagjinarja bëhen një.
Fq. 23.
Ndërkaq , portretizimi i arrritshëm i kësaj përditshmërie, mobilizon vargun poetik dhe vazhdimisht kërkon lidhjet e vazhdueshme në thellim të krijimit origjinal të kësaj përditshmërie. Prania artistike ka rrjedhojën e saj në përcaktimet e rrethanave personale, si vlerë e rujatur në harmonizim të poetikes, si pohim i lirikës së lirë për të vendosur e ruajtur lidhjet shpirtërore të autores me krijimet artistike. Lidhjet konceptuale nëpër vargjet e Albinës përvetësojnë ngritjen e mozaikut artistik, përmes modifikimit e ruajtjes së rikrijimit në përjetim. Poezia e saj konkretizon peshën e korrespondimit në veprim të mendimit filozofik, gjithnjë në mbështetje të realizimit poetik.
Prirja për të arritur në pikëtakime nga më të ndryshmet, konsiton në kërkim të botës imagjinative si përjetim dhe avansim të gjërave të tejdukshme, në kërkim të metaforës dhe për të kuptuar substancialitetin e misterit, e në konsitim të logjikës së pranueshme me specifikat ekzistenciale që karatkterizojnë ëndrrat në vorbullën e konteksteve kohore.
Ngrohtësia familjare në ruajtje identitetit shpirtëror
Identifikimi në ligjërimin poetik të Albinës, krijon ngrohtësi në lexim e përjetim në poezitë: “ Kur qeshte nëna ime”, “ Në ditëlindjen e Jonës”, ”Me puthje të trokas”, ”Mall”, Sënduku i gjyshes”, “Fqinja Lumë”. Në këto portetizime artistke është ruajtur melodia e heshtjes në tingëllimën e brendshme, jehona e saj pandërpreje ka krijuar ngrohtësi e qortim, për të ruajtur në memrorien e shtegtimeve, dashurinë përtej mundimeve e të papriturave që krijon jeta. Poezia krijon dialogimin në përceptim të dashurisë, si emancipim dhe si rol dominues në edukimin e shpirtbardhësisë njerëzore.
Poezia si e këtillë ruan në vete enigmën e brenda nesh, sepse ajo kërkon shpalosje dhe të gjithë njerëzit, kalojnë nëpër këto përjetime biografike e familjare. Koha e rritës dhe roli edukativ, krijon mundësi e hapësirë për të ruajtur në kujtesë ditët e ecjeve tona. Albina në vargje ka risjellë pjesë të saj, të cilat marrin shtrirjen universale dhe krijojnë mundësi përjetimi për lexuesin. Buzëqeshjet dhe ngrohtësia në familje shqiptojnë zërat e njeriut nëpër kohë, këto shfletime e skalitje, ndërlidhin kohët dhe i japin poezisë natyrshmërinë artistike.
Dashuria në kërkim të përjetësisë
Dashuria në poezinë e Albina Indrizit ka vetëm një emër ajo është përjetësia, për fjalën peng, për ëndrrën e bredhjet e shtigjeve përtej nesh. Ajo të jep mundësinë për të kuptuar dhembjen dhe të rrahurat e zemrës, nëse bota e njeriut kërkimtar ledhaton bardhësinë shpirtërore. Poezia e Albina Idrizit në këtë motiv ka ndërtimin, dukjen e një skenografike të pranueshme në tërësinë e saj, sepse ajo në vete ka përjetimin që i ofron mundësi lexuesit të bashkëjetojë me të, dhe bartë te vetja ndjeshmërinë e gërshetimit të kësaj dashurie.
Gjuha poetike e poezive të këtij vellimi standardizon fjalën në ekulibrim të materies së brendshme, si vizion dhe si mision në vendosjen e tipareve dalluese në fokusim të lirikës poetike, e cila dëshmon në objektivitetin identifikues, mbështetës në melodinë e kërkuar brenda botës së mbyllur, për të hapur portën magjike deri në përjetësi.
Fjala në përditshmëri ka përgjasime të dukshme dhe të padukshme, ato në poezinë e Albinës marrin trajtën e dukshme, poezia e saj si e këtillë determinon kërkesat e njeriut nëpër pritjet trimfusese, si në vargjet:
Ju u nisët
e unë sa e sa herë ju them emrat
për t`u bindur nëse e kishit kuptuar
se në rrugë fituesi
nuk është gjithmonë i pari,
por dashuria.
Fq.33
Enigma e trokitjes së prushtë në poezinë e Alibinës, flet më shumë se të gjitha ditët e vonuara, ato krijojnë rizgjimin e kujtesës në zbardhjen e pikave të ndritshme, të cilat heshtjes i flasin me ngjyrën e dashurisë qiellore.
Vëllimi poetik “Trokitje të prushta” i Albina Idrizit, në tërësinë e saj të ofron mundësinë e përjetimit të trokitjeve të prushta, të gacave metaforike, të cilat kodifikojnë fjalën në përzgjedhje të mesazhit artistik.
______________
E lexuar më 26 Mars 2022, në Bibliotekën e Qytetit në Gjilan, gajtë përurimit të këtij libri, që u organizua nga Ars Clubi “Beqir Musliu”

You Might Also Like