Në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, me qëllim të mbrojtjes dhe ruajtjes së ambientit, është mbajtur një aktivitet me nxënësit e kësaj shkolle, kurse ligjërues në këtë temë, ishte profesori i biologjisë, Jeton Rexhepi, i cili është një ambientalist i paepshëm dhe njëherit është drejtor në Gjimnazin Shoqëror “Zenel Hajdini” në Gjilan.
Kontributin e saj e ka dhënë edhe Edrena Maliqi, lidere e grupit fitimtar “Frymo lirshëm’ e cila është fituese edhe e shumë projekteve të tjera.
“Frymo lirshëm” ka qenë motoja e fushatës nëpërmjet të cilës mëtohet ruajtja e mjedisit, parandalohet ndotja e ambientit dhe e ajrit, gjë që stopon ngrohjen globale, problem me të cilin po përballet planeti në të cilin jetojmë.
Jeton Rexhepi, ligjërues, ka theksuar se mjedisi i ynë është vetë jeta e jonë, duke cituar thënie me vlerë si ajo e dijetarit francez Zhan Iv Kusto që thoshte se “Dikur natyra frikësonte njeriun, sot njeriu frikëson natyrën”.
Rexhepi ka saktësuar se njerëzit janë vetëm 0,01 përqind e krijesave që jetojnë në tokë, por ndikimi i njeriut në degradimin e ambientit është më i madhi, andaj ka tërhequr vërejtjen tek gjeneratat e reja duke i udhëzuar ata që të bëjnë më shumë për ambientin.
Ai është ndalë edhe te rasti i Kosovës, e cila nuk ka rrjedha uji të bollshme, andaj kërkloi që uji të kursehet, derisa shtoi se përdorimi i thëngjillit për prodhimin e energjisë elektrike është ndotësi më i madh i ajrit në Kosovë. Sipas Rexhepit, dy faktorë ndotin ambientin, ai natyror që nuk është fort në dorën e njeriut dhe faktori artificial që është kryekëput përgjegjësi e njeriut.
Me shembuj konkret, ambientalisti Jeton Rexhepi, ka shpjeguar para nxënësve se si të ruajmë planetin tokë, si të ruajmë ambientin, ujin dhe ajrin e pastër, ndërkohë që nxënësit me interesimet e tyre e kanë begatuar këtë aktivitet. /kryelajmi.com/.