
Shkruan: Rexhë Hasani, redaktor i revistës “Horizonti”
Garat e enigmatëve në Gjilan – një traditë që mban gjallë krijues shqiptar nga lëmia e enigmatikës
Në qytetin e Gjilanit, enigmatika nuk është vetëm një lojë fjalësh, por një pasion që ushqen mendjen dhe shpirtin krijues të atyre që merren me përpilimin e enigmave. Garat enigmatike që mbahen këtu ndër vite janë dëshmi e gjallë e një tradite të rrallë, që e ka bërë këtë qytet qendër të mendimit enigmatik shqiptar. Kështu ishte edhe më 25 tetor 2025, ku Shoqata e Enigmatëve “Ndre Mjeda”, përveq që shënoi përvjetorin e 45- të të themelimit (1980-2025), ata, organizuan një sërë aktivitetesh ndër to, edhe garat e enigmatëve në sajimin e fjalëkryqit dhe anagramit. Kampion në sajimin e fjalëkryqit doli të jetë Ekrem Krasniqi, enigmat nga Mitrovica ndërsa, kampion në sajimin e anagramit, Sadri Husmani, poashtu enigmat nga Tetova.
Shoqata e enigmatëve “Ndre Mjeda” dhe revista “Horizonti”, që tashmë afrojnë drejt përvjetorit të 45-të (15 janar, 1981-2026), kanë qenë shtyllat kryesore të kësaj veprimtarie. Përmes përkushtimit të redaktorëve, autorëve dhe dashamirëve të fjalës së mençur të quajtur enigma apo gjëzë, Gjilani ka ruajtur e kultivuar një frymë të veçantë, ku logjika, gjuha dhe kultura përzihen në mënyrë harmonike për ti dhënë më pas, të panjohurës zgjidhjen.
Garat e enigmatëve nuk janë thjesht test i njohjes apo i zgjuarsisë, por një festë e mendjes. Aty përballen krijuesit më të mirë të fjalëkryqeve, anagrameve, rebuseve e enigmave të ndryshme, duke e kthyer garën në një arenë të bukur të dijes dhe kulturës. Çdo pjesëmarrës, pavarësisht rezultatit, largohet më i pasur shpirtërisht dhe më i lidhur me gjuhën shqipe.
Këto gara kanë edhe një dimension të rëndësishëm arsimor dhe kulturor. Ato ndihmojnë në zhvillimin e të menduarit logjik, nxisin dashurinë për fjalën e pastër shqipe dhe krijojnë ura bashkëpunimi midis brezave. Përmes tyre, të rinjtë njohin një botë tjetër të dijes dhe mprehtësisë, ndërsa të vjetrit gjejnë vazhdimësinë e punës së tyre në duar të reja.
Falë përkushtimit të organizatorëve dhe mbështetjes së bashkëpunëtorëve, garat enigmatike në Gjilan kanë fituar një vend të nderuar në kulturën shqiptare. Ato janë dëshmi se pasioni për gjuhën, logjikën dhe krijimtarinë nuk shuhet, përkundrazi, ringjallet çdo herë që enigmatët mblidhen për të matur forcën e mendjes dhe bukurinë e fjalës.
Në një kohë kur teknologjia shpesh e zëvendëson mendimin e thellë, këto gara mbeten një kujtesë e vlefshme se inteligjenca, mprehtësia dhe kultura janë thesare që duhet ruajtur e përçuar.
Gjilani, përmes enigmës, vazhdon të dëshmojë se fjala dhe mendja janë forca që bashkojnë njerëzit dhe e bëjnë kulturën enigmatike shqiptare më të pasur.
Gjilani, përmes enigmës, vazhdon të dëshmojë se fjala dhe mendja janë forca që bashkojnë njerëzit dhe e bëjnë kulturën enigmatike shqiptare më të pasur.




