Në një atmosferë të ngrohtë e miqësore, një grup gazetarësh nga Gjilani kanë vizituar futbollistin Oltion Bilalli duke i shprehur përkrahje dhe urime për një rikuperim sa më të shpejtë pas lëndimit që pësoi në ndeshjen ndaj Malishevës.
Gazetarët gjilanas Sylejman Ismajli, Enver Sadiku, Xhemajl Veseli, Muhamet Halili dhe Fatlum Kosumi sot kanë vizituar futbollistin e SC Gjilanit, Oltion Bilalli, në shtëpinë e tij. Vizita është zhvilluar në një atmosferë të ngrohtë familjare, ku ata kanë shprehur urimet më të mira për shërimin e tij të shpejtë dhe kthimin në fushë.
Bilalli kishte pësuar një lëndim gjatë një dueli ajror në ndeshjen mes SC Gjilanit dhe Malishevës, por falë ndërhyrjes së shpejtë të stafit mjekësor dhe trajtimit të duhur, gjendja e tij tashmë është e qëndrueshme dhe ai është në rrugë të mbarë drejt rikuperimit të plotë.
Gjatë bisedës me gazetarët, Bilalli ka falënderuar të gjithë qytetarët dhe tifozët për përkrahjen dhe kujdesin e treguar gjatë kësaj kohe sfiduese. Ai ka premtuar se shumë shpejt do të jetë sërish në fushë për të dhënë maksimumin për klubin dhe për të gëzuar familjen dhe tifozët e zjarrtë të SC Gjilanit – “Skifterat”.
Në fund të vizitës, gazetarët i uruan Oltionit një shërim sa më të shpejtë dhe kthim të suksesshëm në jetën aktive si futbollist. Ata shprehën bindjen se Olti shumë shpejt do të jetë ai i vjetri, gati për të dhënë kontributin e tij në fushën e blertë dhe për të sjellë emocione të reja për ekipin dhe tifozët.