Trimëria e shqiptarëve është e jashtëzakonshme, e papërshtashme fare me luftërat e sotme. Ata hidhen në sulm të befasishëm, pa i llogaritur pasojat. Por në rast të dështimit ikja e tyre merr po atë karakter të befasishëm dhe të paarsyeshëm.
Lev Trockij
Nga historia e një brigade
Korrespodentët shohin edhe shumë, edhe pak; ata kanë vëzhguar gjithë atë që i paraprin luftës, ata i kanë parë “produktet” e luftës: të plagosur, të zënë rob, reflektimi i zjarreve; kanë dëgjuar gjëmën e qitjes së topave. Por atyre nuk u dhanë mundësi të marrin pjesë në ekspedita (marshime) bashkë me armatën dhe të kundrojnë operacionet nga brenda. Andja na mbetet që përmes intervistave, dhe prandaj me pasion, nga fjalët e pjesëmarrësve – të rindërtojmë imazhin e jetës dhe vdekjes së armatës në fushëbetejë.
I
“Brigada jonë quhej fluturuese, sepse ishte dedikuar për mbajtjen e lidhjes së vazhdueshme midis armatës së parë dhe asaj të tretë. Diç më shumë se një ditë para shpalljes së luftës ne ishim në kufirin serb, midis fshatrave Svircë dhe Çuka e Novakut. Që do të ketë luftë, duhet pranuar, nuk besonim.
Ishte e qartë që nuk besonin as ushtarët, as ne, oficerët, se do të ketë luftime dhe se çdonjëri prej nesh – ja kështu, siç jemi – do të niset në luftë. Mjafton me kaq? Mendonin që gjithçka do të mjaftohet me një demonstrim ushtarak: do ta frikojmë Turqinë dhe do ta detyrojmë që të lëshojë pe. Por nuk doli ashtu. Që para shpalljes së luftës, rreth orës 12 të ditës, arriti njoftimi që arnautët (emërtimi turk për shqiptarët. – Red.) e kishin sulmuar pararojat tona kufitare dhe regjimenti ynë mori urdhër që menjëherë të hidhet në sulm.
Në pararojat tona kufitare gjendeshin policë, të armatosur me pushka të papërshtatshme ruse Berdanka. Numri i arnautëve ishte rreth njëmijë persona, nën komandën e Idriz Seferit, njërit prej komandantëve të Isa Boletinit (udhëheqës shqiptar me shumë ndikim. Ai udhëhoqi kryengritjen e viti 1909 kundër turqve. – Red.) ata ishin të armatosur me martina dhe ….. скорострелки serbe, me të cilat i kishim armatosur vetë gjatë kohës së kryengritjes shqiptare. Atëbotë ata kishin marrë nga ne madje edhe para. Dëshironim që në rast të luftës, ata të luftojnë përkrah nesh. Doli e kundërta. Me armët tona në duar arnautët sulmuan të parët pararojat tona dhe pa vështirësi i pushtuan ato? Natyrisht, doli në shesh lidhja religjioze me Turqinë, kurse kryesorja ishte që shqiptarët e kishin kuptuar se po bëhej fjalë për ndarjen e Shqipërisë midis Serbisë dhe Greqisë, dhe se u duhej të mbronin viset, kasollet dhe bagëtitë e tyre. Shpresa të zhgënjyera – si? Nga armatë tona, me paratë tona, pikërisht kundër nesh? – e zemëruan jashtëzakonisht ushtrinë tonë. Kjo edhe ishte, kryesisht, shkaku i egërsive të ardhshme, Por për egërsitë më pas… <…>
Pasi morëm urdhrin, i gjithë regjimenti ynë u nisëm drejt kufirit. Nxitonim me sa fuqi kishim, pa kurrfarë rendi, pa respektuar asnjë rregull dhe dispozitë, njësoj si vrapohet për të shuar zjarrin. Unë komandoja një “vod” (togë), që përfshinte rreth 70 burra, – kur arrita, rreth meje shihja vetëm ushtarë të panjohur nga kompani të tjera. Nuk kishin arritur të gjithë: duke shfrytëzuar tollovinë, frikacakët mbetën pas. Shqiptarët qëndronin midis pararojave të tyre dhe tonave dhe shtinin. Pas nja dyqind hapa, me britmën “ura”, ne filluam të sulmonin, duke hapur zjarr të parregullt. Shqiptarët u tërhoqën në pararojat e tyre më të afërta. Në ndërkohë çetnikët, të cilët ndodheshin në kufi bashkë me milicinë, me ndihmën e bombave të dorës morën parajsat pararojën e parë turke. Arnautët u tërhoqën deri në Çukën e Novakut, duke shtëna pa ndërpre, dhe morën pararojën e cila ndodhej në një distancë prej rreth 2.000 hapa nga ne. Atëherë arriti një bateri jona e topave. Gjëmuan tre të shtëna, shumë të sakta, – çatia e pararojës më të largët u rrënua para syve tanë. Arnautët braktisën pozicionet dhe ikën. Nuk arritëm t’i kapnim asnjë. Humbjet tona ishin 40 ushtarë të vrarë dhe 80 të plagosur, në mesin e tyre edhe 4 oficerë. Arnautët i morën me vete numrin më të madh të vrarëve dhe të plagosurve të tyre. Kjo për ta ishte detyrë e shenjtë.
Afër Svircës u zhvillua shkëmbimi im i parë i zjarrit. Vështirë ekujtoj. Plumbat, kur e kupton se gjuajnë kundër njerëzve të gjallë, kanë një tingull krejt tjetër! Tingull jo fort i pëlqyeshëm! Të ngulitet në tru. Të nesërmen, kur nuk kishte asnjë luftim, unë akoma i dëgjoja këto të shtëna. Ecë apo rri ulur, – dëgjon të shtëna.
Kanavaca e ngrirë e tendës kërciste nga era, kurse mua më bëhej se dëgjoja të shtëna pushkësh, të dendura dhe të kobshme. Afër pararojës, me të arritur, pashë armikun e parë të vrarë të shtrirë në shpinë, – ishte i ri, i dobët, qose, i mbledhë skrupull, me sytë të dalë jashtë: plumbi e kishte marrë në ballë dhe kishte dalë në pjesën e prapme të kokës. Pas kësaj kam parë edhe shumë të vrarë dhe të plagosur, por të gjithë janë shlyer nga kujtesa, kurse ai i pari, me sytë e dalë jashtë dhe vrimën e rrumbullakët në ballë, më ka mbetur në kujtesë përgjithnjë… Atë natë e kalova në pararojën turke, disa herë m’u desh të kontrolloja pozicionet dhe çdo herë kaloja në terr midis kufomave shqiptare: rreth dhjetë apo dymbëdhjetë sish qëndronin të shtrirë rreth ndërtesës. Kurse në brendi të pararojës një mace edhe një qen ulërinë gjithë natën, ulërinin tmerrësisht, – ky tmerr nuk mund të tregohet me fjalë… Nuk durova më dhe urdhërova ushtarët t’i vrisnin.
Shqiptarët, flitet, janë shumë trima. Mbase është kështu, por kjo trimëri e tyre është krejt e veçantë, e papërshtatshme për luftërat e sotme. Ata vërsulen në luftë me nxitim, pa marrë në konsideratë pasojat, shtypin gjithçka që mund të shtypin, janë të pamëshirshëm në sulm dhe në ekzekutimin e armiqve. Por në rast të dështimit, lehtë humbin toruan, ndaj nëse thyhen nuk ekziston frika nga grupimi i sërishëm për të sulmuar. Ikja e tyre ka po atë karakter të befasishëm dhe të paarsyeshëm, si edhe sulmi. Nuk ishin ushtarë, porse klane të armatosura, fise. Ishin pleqtë me mjekra të fuqishme gri dhe pranë tyre – djem të rinj 17 – 18 vjeç…
Të zënë rob, të ndarë nga të tjerët, janë tejet të trishtuar. Ka ndodhur disa herë që një arnauti zënë rob nga ushtarët e mi, binin përtokë, përdridhej me përulësi dhe lutej i trishtuar: “Aman, aman”… Unë e ndalohej rreptësisht vrasjen e tyre, por më duhet të jem i sinqertë: kjo nuk ndihmonte. Jepja urdhër që i burgosuri të dërgohej te komandanti, ushtari largohet me të rreth pesëdhjetë hapa, pastaj dëgjohet një e shtënë. Mbaroi puna. Prej nga gjithë kjo egërsi? Fillimisht mendoja se ushtarët-fshatarë ushqejnë idenë e transferimit në toka të reja dhe dëshirojnë t’i pastrojnë ato paraprakisht nga banorët e mëparshëm. Bisedova në mënyrë të veçantë për këtë: tani, fillova unë, do të keni tokë sa të doni. Jo, nuk dëshironin të transferoheshin këtu madje asa ata të cilën pikërisht nga këto troje ishin shpërngulur në Serbi, – kurse në regjimentin tim, si roje kufiri, të tillë kishte shumë. Toka këtu është e egër, ekonomia është e dobët, punimi i tokës është barbar, s’ka rrugë, as shkolla, as ndihmë mjekësore.
Asgjësimi i të burgosurve pjesërisht mund të shpjegohet edhe si hakmarrje për shpresat e zhgënjyera: lidhur me këtë unë kam shkruar; por, në radhë të parë, me kalkulimin: një armik më pak – një rrezik më pak. Në fillim ne shqiptarët vetëm i çarmatosnim dhe i lironim: por ishte një rrezik evident. Filluam t’i burgosim. Por kjo nënkuptonte që duhet ruajtur, dmth. të shpenzosh forca dhe t’i ushqesh, ndërsa ushtarët edhe vetë s’kishin çka të hanin. Ushtarët e guximshëm, inteligjentë kurrë nuk kanë vrarë të burgosur. Kurse frikacakët shfryheshin mbi shqiptarët e paarmatosur për frikën e përjetuar gjatë betejës. Varej shumë, s’do mend, nga komandantët. Brigadieri ynë, Stojan Milovanoviq, e ndalonte rreptësisht persekutimin e të burgosurve. Por në njësitë tjera vetë oficerët i ekzekutonin pa mëshirë.
Mos e merrni këtë si lëvdatë kombëtare, por më duhet të theksoj se është provuar ushtria serbe ishte shumë më humane, – nëse kjo fjalë është e përshtatshme këtu, – se ajo greke apo bullgare. Ato kalonin nëpër vendbanime si shakullinë e zjarrit. Një mik imi, i cili ditë më parë kishte operuar me regjimentin e tij në brigjet e liqenit Dojran, më kishte treguar se të gjitha ato vendbanime, kur kishte shkelur këmba e ushtrisë bullgare, janë shndërruar në shkretëtirë. S’kishte as njerëz, as vendbanime njerëzish, – gjithçka ishte rrënuar, djegur, fshirë nga faqe e dheut. Njësoj vepronin edhe grekët. Qyteza Sereviç, për shembull, ishte rrënuar tërësisht prej tyre, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë. Është e vërtetë që grekët deklarojnë: e kanë djegur turqit. Por në Sereviç, bashkë me shtëpitë e banimit, janë shkatërruar edhe xhamitë, faltoret turke, kurse kjo është shenjë e sigurt… në rrethinat e Bitolit (Manastirit), ku vepronin forcat tona, janë ruajtur të thuash të gjitha fshatrat, pos atyre të pastra turke. Çka të bësh, lufta është luftë, edhe ne kishim bërë mjaft…
Përgjegjësia për këtë egërsi bie, megjithëse, me një pjesë të vogël, te ushtria e rregullt. Sipas një rregulli, ata rrënonin vetëm shtëpitë e kaçakëve, banditëve shqiptarë. Pastaj vinin ushtria e rezervistëve të cilët e jepnin kontributin e tyre. Kurse më pas vinin milicia dhe çetnikët, – këta në kuptimin e plotë fjalës e mbaronin punën. Çetnikët – janë gjëja me keqe që mund të imagjinohet. Kishte prej tyre njerëz inteligjentë, plot ide, entuziastë kombëtarë, por ishin njësi e armatosur. Kurse të tjerët – ishin vetëm banditë, grabitës, të cilët i ishin bashkuar ushtrisë për të vjedhur. Nganjëherë ata ishin të dobishëm, nuk e çmonin jetën – as të huajën, as të vetën. Në fshatin Nagoriçani, afër Komanovës, vdiqën më shumë se dyqind syresh, duke luftuar trimërisht. Por në pushimin midis dy betejave ata ishin banditë të këqij. Çetnikët ishin organizuar që para luftës, në mënyrë ta ndryshme në vende të ndryshme: kishte çeta nga 20, 50, madje edhe 100 persona, nën komandën e vojvodëve të tyre. Në kohën e luftës ata iu bashkuan ushtrisë së rregullt, si pararojë dhe në shërbimin e zbulimit, kurse për komandantë ishin caktuar disa oficerë të rregullt. Gjersa çeta gjendej në kuadër të ushtrisë, disi mund të kontrolloheshin. Por kur operacioni përfundonte, ushtria lëvizte, kurse çeta qëndronte për të çarmatosur banorët, pa mbikëqyrje, – këtu edhe fillonin tmerret.
Në afërsi të Prilepit, ata kryen aq mizori dhe shkatërrime, me ç’rast jo vetëm ndaj turqve, por edhe ndaj serbëve, sa kundër tyre u desh të dërgohen forca e rregullta port t’i asgjësuar tërë çetën, para se të qetësohen.
Edhe dhuna ndaj femrave, nëse ka pasur, – këtë nuk e di, por mund ta supozoj, – janë kryer nga çetnikët dhe assesi nga ushtarët. Këtë ne absolutisht nuk e lejonim. Kontrolli ka qenë shumë i ashpër. Kur qëndronim në ndonjë fshat për të kaluar natën, patrulla në krye me një oficer paraprakisht i largonte të gjitha femrat turke në një pjesë të fshatit. Ushtarët vendoseshin nëpër shtëpi, në të cilat kishin mbetur vetëm meshkujt. Ndërsa nëse në harem edhe kishte gra, qasje për ushtarë ndalohej nga nënoficerët duke u kanosur me dënim më të rëndë. Ushtarët shumë herë ankoheshin: “Nëse turqit do të kalonin nëpër viset tona, ata do të kishin urdhra të tjera”. Në Bitol një ushtarë ishte dënuar rreptësisht sepse, për shaka, ia kishte ngritur velin një turkeje. Nuk bën ndryshe. Nëse në këtë aspekt do të kishte privilegje, do të humbnim ushtrinë: hajde i kërko pastaj ushtarët në mëngjes!
Përpiqeshim të mos lejonim as vjedhje. Me nikoqirët e shtëpisë ushtarët mund të komunikonin vetëm përmes nënoficerët, me ç’rast u lejohej të kërkonin vetëm ushqim. Por kjo nuk mund të respektohej gjithnjë, nga vetë oficerët. Nën pretekstin e “kujtimeve” materiale mbi ekspeditën, ata shumë shpesh merrnin nga shqiptarët dhe turqit e pasur armë të çmuara, qilima, mëndafshe, argjendurina dhe ari. Disa në këtë mënyrë e plotësonin inventarin familjar. Ushtarët, sipas mundësisë, merrnin monedha, ngase gjërat duhet t’i bartnin me vete…
Unë tashmë e theksova se luftë nuk prisnim. Por ajo erdhi, me të gjitha vështirësitë, rreziqet dhe tmerret e saj. Si e pritën luftën ushtarët? Jo njësoj. Elementët qytetar dhe kryesisht më inteligjent ishin shumë të kënaqur. Ata luftonin trimërisht, ndikonin tek të tjerët dhe luanin rol të madh gjatë gjithë marshimit. Kurse fshatarët ishin të mërzitur, vuanin shumë për shtëpitë e veta, për tokën, për familjet. Gëzoheshin vetëm atëherë, kur arrinin në ndonjë fshat serb. E shihnin varfërinë e popullatës së atjeshme dhe deklaronin: “Posi, kjo luftë është punë e drejtë”. Dhe vërtet, fshatrat atje ishin si mos më keq. Shtëpitë ishin të vogla, kasolle, rrallë nga tulla të papjekura, – të duket se njerëzit aty nuk jetonin përgjithnjë, por vetëm përkohësisht. Meshkujt atje ishin “rubin”, qiraxhinj në tokat e agallarëve ose pashait turk. Ekzistenca ishte e pasigurt, kurse ekonomia e dobët. Pa pyje, pa kopshte, pa rrugë. Fshatarët tanë, në veçanti ata skaj Moravës, ku kishte një sistem racional ekonomik, për eksport, e shikonin këtë me përvojë dhe deklaronin: “Jo, kështu s’jetohet dot.”
Ndërkaq e gjithë kjo krahinë, nga kufiri serb deri në Shkup (Yskub), kishte natyrë shumë pjellore. Në pjesën qendrore të Maqedonisë, rreth Tetovës dhe Kiçevës natyra është më e varfër, mirëpo popullata nuk ishte shembull i mirëqenies. Atje kishte fshatra shumë të pasura me shtëpi në dy e tre kate. Kjo shpjegohet me faktin që për shkak të tokës jopjellore fshatarët shkonin të punonin me punë sezonale – më Amerikë, atje grumbullonin para dhe pastaj ndërtonin shtëpi në vendin e vet.
Sipas planit fillestar, ne nga Svirca duhet të shkonim në Jug drejt Gjilanit, qendrën e kësaj pjese të Shqipërisë. Por, siç doli, atje s’kishim çka të bënim, shqiptarët ishin larguar dhe nga kjo anë nuk duhej pritur ndonjë rezistencë. Brigada jonë u drejtua për në Prishtinë, fillimisht përgjatë kufirit të Serbisë, nëpër Lisicë (Lisockë – S,S.), kurse pastaj më thellë, në malet e Prapashticës. Përleshje nuk pati, nëse nuk merret në konsideratë luftën e vazhdueshme me natyrën. Shtabi ynë i përgjithshëm, me gjasë, nuk kishte asnjë ide për këto vende kufitare. Pavarësisht këtij terreni malor dhe mungesës së rrugëve, nuk na ishin dhënë armë malore, por topa të rëndë. Kur po qëndronim ende në pozicione, filloi shiu, i cili nuk ndaloi për dy apo tri ditë. Toka ishte njomur rreth çerek metri. Rruga ishte e atillë sa e kishte të vështirë ta kalonte edhe një këmbësor, pale topat. Çdo top e tërhiqnin pesë palë kuajsh, kurse në vendet e vështira ndihmonin edhe ushtarët, lidhnin karrot me litarë dhe vendosnin gjysmën e togës për top. Kurse ushtarët bartnin në shpinë kapotën dhe thesin 25 kilogramësh.
Në Prishtinë ne nuk hymë dot, ajo ishte pushtuar më herët nga armata e tretë, por natën e kaluam në Graçanicë. Ajo ishte një vend historik me manastirin e njohur të carit Milutin. Kur arritëm në Fushë Kosovë, ushtarët u gëzuan pa masë. Unë madje u befasova. Kosova, Graçanica[70] – këto emërtime barteshin nga një brez në tjetrin dhe përsëriteshin në këngët popullore. Ushtarët filluan të pyesnin kur do të arrinim në Bakarno Guvno, afër Prilepit. Doli që atje ishte kufiri i mbretërisë së vjetër serbe; më duhet ta pranoj, për këtë nuk kisha njohuri. Kurse ushtarët vendosën që, sapo të arrijmë në Guvno, aty do të përfundojë gjithçka. Nuk ishte hera e parë që turpërohesha para ushtarëve me njohurinë time të pakët lidhur me historinë kombëtare. Si njerëz të arsimuar, ne nuk dëgjojmë këngë popullore, kurse historinë e lexojmë tejet sipërfaqësisht.
Nga Graçanica ne u nisëm drejt Shkupit – nëpër Gjilan dhe Karadag. Rruga ishte nëpër male mbi njëmijë e pesëqind metra lartësi. Detyra jonë ishte të lidhnim dy armatat, të parën dhe të tretën, dhe të shtypim kryengritje e shqiptarëve në këto vise. Por nuk hasëm në rezistencë. Fshatrat gjatë rrugë ishin herë vetëm shqiptare, herë të përziera, herë vetëm serbe. Por të gjithë shqiptarët në Kosovë flasin serbisht dhe serbët – shqip, por ka fshatra ku ishte krijuar nj gjuhë e përzier serbo-shqiptare. Fshatrat shqiptare ishin shumë më të pasura se ato serbe, me shumë bagëti. Kishin 50 deri 80 kuaj dhe mijëra krerë dele. Te një çipçi turk gjetëm 10 mijë krerë dele, gjysmë milion kilogram grurë në hambarë. Shtëpitë e tyre ishin më të bukura, me dy kate, në disa, në Badrovc, për shembull, afër Shkupit, kishin pajisje të reja bujqësore. Serbët nuk guxonin të mbanin shumë bagëti, që të mos ua vidhnin kaçakët (banditët shqiptarë). Serbët nuk ndërtonin as shtëpi të mira, madje as të pasurit, në ato fshatra, ku ka shqiptarë. Nëse serbi ka dy kate, atëherë ai nuk shtëpinë e lë pa suva, për të mos qenë më e bukur se e shqiptarëve. Më pas, kur e pushtuam Bitolin, në Resnje u desh ta kaloja natën te një mjek grek. Shtëpia ishte shumë e bukur, me komfort të plotë, por nga jashtë e suvatuar. Pse? – pyeta. Nuk guxon: përndryshe shtëpia e tij do të jetë më të bukurat në qytetin, në të cilin, meqë ra fjala, ka lindur Njazi beu, heroi i revolucionit turk.
Nga Prishtinë në Shkup rruga ishte… madje, nuk kishte kurrfarë rruge, të paktën që prej Naisano. Vende-vende gryka e malit ishte i ngushtë për dy persona. Dy topa të rëndë ne i lamë në Gjilan, që atëherë me vete kishim vetëm topa malorë. Ato mund të ndahen në pjesë dhe të ngarkohen në kuaj, nga katër kuaj për një top. Municionin bartej ndaras, në arka. Ishte e vështirë. Kurse kryesorja – uria të grinte. Bukë nuk kishte fare. Duke filluar nga kufiri e deri ën Shkup, nga 7 deri më 15 tetor, gjatë tetë ditëve ne të thuash nuk kishim parë bukë me sy. Vetëm në Gjilan na dhanë qindra bukë – për 8 mijë ushtarë! Mish kishte, – gjatë rrugës thernim dema, dele, – por nuk kishte kripë. As kripë, as bukë! Edhe njëra edhe tjetra shkonin me kolonën e furnizimeve, por ku ndodhej kjo kolonë, nuk e dinte njeri. E gjithë vëmendja e shtabit ishte e përqendruar në rezervat luftarake dhe jo ato të ushqimit. Supozohej që ushtarët do të siguronin vetë ushqim. Kur arritëm në Shkup dhe ushtarët, pasi hëngrën bukë, u trimëruan, ata filluan të bënin shaka: “Pa ngrënë as tetë bukë, e rrëzuam mbretërinë e sulltanit”. Por rrugës nuk u vinte të bënin shaka. Hanin misër të papjekur, grurë, ankoheshin për dhembje stomaku, ishin dobësuar shumë, nisën të dekurajohen. Vetëm takimet në fshatrat serbe i entuziazmonin ushtarët. Një takim i tillë më ka mbetur përgjithnjë në kujtesë. Në fshatin Dragovc, i cili gjendet para Gjilanit, femrat serbe na pritën me këngë. Një plakë këndonte: “jemi të lumtur që ushtria serbe na çliroi”; gratë e përsëritnin. Nga fjalët e kësaj kënge ushtarët nisën të rriten në sytë e vet, por edhe zërat e grave pushuan. Ishin të entuziazmuar dhe, ndonëse kishin ecur tetë orë deri në Dragovc, kaluan edhe tetë orë të tjera pa pushim dhe pa ankesa… vetëm para Shkupit, në fshatin Kuçevishtë, hasëm në një festë kishtare. Fshatarët filluan t’i gostitnin ushtarët me verë. Kurse këta ishin dobësuar aq shumë, sa pas dy tri gotave ishin të dehur deri në vdekje dhe u shpërndanë në anë të ndryshme. Të nesërmen mezi i mblodhën, kurse shumë syresh vetëm gjatë ditës tjetër arritën të hynin në Shkup, akoma nën ndikim të dehjes”.
II
“Afër Shkupit brigada jonë qëndroi në pararoja, disa në qytet, disa në paralarje. Nisi të binte borë. Ushtria jonë tashmë e kishin pushtuar Prilepin dhe ishte përqendruar para Bitolit. Filluan luftimet për Bitolin. Një regjiment i brigadës sonë u la në Shkup, kurse regjimenti im u nis në rrugë – nëpër Tetovë, Gostivar, Kiçevo, Gjevgjeli për t’i bashkuar divizionit rezervë të Moravës, e cila kishte për detyrë ndërprerjen e tërheqjes së garnizonit turk nga Bitoli në Resnje dhe të parandalojnë arritjen në Bitol të përforcimeve nga Resnja.
Këtu rrugët ishin shumë më të mira. Rreth Bitolit kishte toka të punuara mirë, gati të gjitha plantacione të orizit. Tani gjithçka ishte mbuluar me borë të imët. Ishte tejet vështirë të ecje nëpër arat e buta të orizit, të zhyteshin deri në gju. Rruga nga Kiçeva deri në Bitol ishte shumë e mirë, – autostradë. Ishim të habitur pas rrugëve të këqija të Serbisë së vjetër. Një rrugë njësoj e mirë shpinte nga Tetova në Veles.
Por vendbanimet ishin shndërruar në shkretëtirë. Duke filluar nga Kiçevo, të gjitha fshatrat ishin djegur nga turqit, në mesin e hirit dukeshin vetëm kishat. Kishat turqit, zakonisht, nuk i preknin, – kishat, priftërinjtë dhe gratë. Dy nëpunës të konsullatës sonë të dikurshme në Shkup më treguan një tregim tejet interesant: kur qeveria jonë i armatosi çetnikët në Serbinë e vjetër, revolet dhe municionet, që kalonin përmes konsullatës, i dorëzoheshin priftërinjve dhe grave – dhe thuaja gjithnjë arrinin në destinacion. Turqit nuk i kontrollonin gratë dhe klerikët, jo kaçakët shqiptarë, natyrisht, as të turqizuarit, dmth. serbët e osmanizuar – këta ishin më të këqijtë, – kurse turqit e vërtetë – osmanët: ata posedonin vërtet tipare të fisnikërisë kalorësiake.
Sërish filloi uria. As që mund ta imagjinoni çka do të thotë të komandoni ushtarë të uritur, njerëz, të cilët nuk kanë ngrënë gjë dy-tri ditë. Edhe vetë i uritur e i sfilitur dhe duke ndjerë vazhdimisht pafuqinë vetjake dhe turpin dërmues para ushtarëve. Fshatarët e zymtë murmuritnin dhe nuk bindeshin, kurse ata më inteligjentët e fshihnin me krenari urinë dhe sfilitjen. Nganjëherë ndonjë ushtarë, jo gjithaq i dobët (sapo kishte ngrënë dje) shkonte në fshatin turk për të kërkuar bukë. “Turp, – e qortonte ndonjë stoik, gjysmë i vdekur nga uria, – çka do të mendojnë turqit për ushtrinë serbe. Trumë e uritur, pa bukë dhe krenari!”
Kishte shumë raste të pedanterisë së çmendur të pushtetit, të marrë dhe të dëmshme. Ja një shembull i vogël. Çorba zinte në kazanë, gjithçka ishte gati për drektë, ushtarët kanë filluar ta marrin racionet. Befas vjen urdhri: përpara! Shumë mirë do të mund të pritej edhe dhjetë minuta, – orë e ditë të tëra kanë humbur pa asnjë qëllim. Por jo, trimëria kërkon injorimin e plotë të ushqimit, vlente për ushtarët. Kazanët derdhen, çorba derdhet mbi borë, toga e uritur tundet vendit.
Divizioni i Moravës, të cilës i ishte bashkuar regjimenti ynë, kishte zënë pozicion përgjatë rrugën, e cila shpinte nga Bitoli në Resnje. Nga ana veriut dhe ajo e lindjes Bitoli ishte i rrethuar nga ushtria jonë. Në jjug-perëndim turqve i ishte ndërprerë tërheqja drejt malit Pelister. Mbeteshin vetëm dy rrugë: në perëndim, nëpër rrugën e Resnjës, ku qëndronte divizioni ynë, dhe në jug, drejt Florinës; por andej duhet të sulmonte ushtria greke. Batalioni im u vendos afër fshatit Djavat, në një kodrinë, direkt mbi rrugë.
Bitoli u pushtua më 5 nëntor. Pas rënies së qytetit një pjesë e ushtrisë turke, – sa saktësisht, nuk e di, – u nisën drejt Florinës, kurse Xhavid-pashai dhe Feti-pashai, në krye të 20 mijë ushtarëve, me 6 – 8 topa, u nisën drejt Resnjës, dmth. drejt nesh.
Moti këto ditë ishte tmerrues. Bora me shi, era e ftohtë depërtuese nga liqeni i Prespës dhe mali Pelister, pos kësaj edhe një mjegull e dendur ngjitëse, si tym. Nuk shuhej asgjë, as ditën, as natën. Aradhet tona herë pas here afroheshin me ato armike në 10 – 15 hapa, por të dy palët tërhiqeshin, nga frika e të panjohurës. Thuaja asnjëherë nuk kishte ndodhur të përdoren bajonetat, mbase vetëm grupe të vogla janë ndeshur fyt-a-fyt.
Të nesërmen turqit provuan të pushtojnë pozicionet e Djavatit me sulm të befasishëm. Po ushtarët tanë hodhën disa bomba dore dhe sakaq e sprapsën sulmin. Efekti i këtyre bombave është shumë i rëndë: ato janë të punuara nga tela të copëtuar dhe me rastin e shpërthimit e grinë mishin e njeriut në copa, në tokë mbesin vetëm skeletet e shpërfytyruar.
Katër ditë e pesë net i kaluam kështu – në mjegullën e pasigurisë. Ne nuk kishim kurrfarë hartash për këtë vendbanim. Dy-tre nga oficerët më të lartë kishin hartat e shtabit të përgjithshëm austriak. Që pas pushtimit të Bitolit shtabi i divizionit tonë e shtypi në hektogram hartën e këtyre vendeve, por në të nuk mund të kuptohej asgjë – të gjitha linjat dhe emërtimet ishin shlyer. Thënë në përgjithësi për operacionet maqedonase shtabi i përgjithshëm ishte fare i papërgatitur dhe nuk solli gjë, pos konfuzion dhe joefikasitet. Tre vjet ishim përgatitur për luftë të përgjithshme në Ovçe pole, askush nuk mendonte që do të shkojmë tej Velesit, ndërsa kur aktivitetet vendimtare ranë mbi vende të tjera – Kumanovë, Bitol, të gjithë supozimet dhe planet dolën të qarta. Përkundër demoralizimit të ushtrisë turke, për fitoret tona i detyrohemi rastit dhe – mjegullës. Regjimenti 4 dhe 6 arriti ose, më saktësisht, pati fatin të depërtonte në Bitol (Manastir) në zemrën e ushtrisë armike, ta ndante atë në dy pjesë, duke dëbuar njërën në jug, drejt Florinës, kurse tjetrën – drejt Resnjës. Kjo edhe e zgjidhi problemin.
Falë panjohurish së plotë dhe pakujdesit të shtabit të përgjithshëm, ne u gjendëm në pozicionet e Devjatinos në pozicionin më të vështirë. Kishte shumë mundësi të kapnim Xhavid-pashain dhe Feti-pashain me gjithë ushtrinë. Por në krahasim me detyrën ne ishim teje pak: vetëm një divizion i rezervës. Ndërsa si përfundim ne nuk kishim as artileri fushore. Deri në Gjilan ne tërhiqnim me vështirësi të mëdha topat e rëndë, të cilët nuk na hynin në punë asnjëherë. Prandaj në pozicionet e Devjatinos ne arritëm me topa të lehtë, të cilët ishin të panevojshëm. Turqit shumë shpejt u bindën që s’kishim me çka t’u përgjigjemi, andaj hapën zjarr të fuqishëm kundër nesh nga topa të lehtë. Do të mund të na shpartallonin, sikur artileria e tyre do të ishte pak më efikase, por, për fatin tonë, granatat turke gati kurrë nuk shpërthenin. Mbi togën time ranë nëntë granata dhe asnjëra nuk në shkaktoi dëm. Specialistët tanë më konfirmuan se kjo nuk ishte ngase municioni i ishte i keq, por për shkak të artileristëve turq: nuk dinë llogaritje dhe çojnë dëm municione të vlefshme. Shrapnelat turq shpërthenin në lartësi të tilla – rreth 200metra, gjë që ishte fare e padëmshme: plumbat binin vetëm me forcën e rëndesës dhe shkaktonin lëndime të parëndësishme. Në batalionin tim u vranë 50 – 70 ushtarë, shumë ishin plagosur, të gjithë me plumba të pushkëve, asnjë i varë nga artileria, vetëm dy të plagosur: njëir rëndë, i dyti më lehtë.
Fryn një erë nga Pelisteri, e largon mjegullën, zbulohen pozicionet, – fillojnë të shtënat. Pastaj sërish mjegulla mbulonte luginën dhe artileria pushonte. Vetëm rrallë dëgjohej ndonjë e shtënë – pa cak, në mjegull, për paralajmërim, kurse shpesh edhe për inkurajim të shokëve.
Si pasojë e numrit të vogël, ne gjithë kohës ishin në rrezik të binim në rrethim të forcave turke. Prandaj çdo natë duhej të lëviznim nga pozicionet dhe të tërhiqemi në nyejt e përqendrimit, kurse në mëngjes sërish ktheheshim.
Katër ditë dhe pesë net nuk kishim ndezur zjarr, nuk kishim ngrënë dhe thuaja nuk kishim fjetur fare. Nga era, lagështia, uria dhe pagjumësia ushtarët i kishte kapluar një gjendje e indiferencës së plotë. Në postet e rëndësishme, ku ata çdo minutë mund të kapeshin dhe të vriteshin, flinin gjumë. Më duhej t’i kontrolloja vazhdimisht për t’i zgjuar. Të tjerët i braktisnin postet dhe zbritnin në fshatrat përreth për bukë. Në bazë të ligjeve të luftës, për këtë pasonte ekzekutimi, madje vetë ai mund të haste në në armiq. E megjithatë ikin. Nëse kapej nga oficeri, duronte dy-tri shuplaka dhe me këtë mbaronte puna. Është e vërtetë, kohë pas kohe ne akoma i godisnim ushtarët. E ndytë, e di vetë, madje edhe rregullorja ushtarake e ndalon, por nuk kishte rrugëdalje tjetër. Nga roja varet jeta e qindra ose mijëra, kurse ai fle gjumë ose ik në fshat për një kothere. Të tillët ndëshkoheshin me 10 – 12 goditje. Njëri e mban për duarsh, tjetri për këmbësh, i treti e godet me shkop. Nganjëherë, për turp më të madh, ia zhvishnin rrobat. Nuk e goditnin fort, por i rreshtonin përreth vendit të ekzekutimit ushtarët – për inkurajim moral. Në kohë paqe kjo kurrë nuk ndodh, por lufta është luftë, këtu nuk mund të kalohej pa të tilla … improvizime.
Më e vështira ishte pozita jonë, oficerët e ulët, “rreshterët”. Ne nuk mund të mos e kishim parasysh urinë dhe lodhjen e ushtarëve, siç nuk mund të mos kishim konsideratë mjegullën ose terrenin. Por ne kishim përgjegjësi para oficerëve më të lartë për devijim nga rregulli. Kurse ata lart ishin të pamëshirshëm. Ata nuk ishin në kontakt të përhershëm me masën, nuk shikojnë dhe nuk ndjejnë si ne, – ata kërkojnë. Kur gjatë marshimit ndonjë ushtar, i këputur nga lodhja, ulet skaj rrugës, është e vështirë t’i biesh shuplakë. Po duhet. Kurse ai ta kthen: “Sa mirë na goditni, z. oficer, kurse bukë nuk mund të siguroni”. Dhe, vërtet, ku mund të gjeja bukë? Pas kësaj shuplake ndihesh shumë keq në shpirt…
Turqit nuk kishin forca për të na sprapsur, si pasojë e pasigurisë së plotë të artilerisë së tyre. Andaj ata vendosën të sulmonin nën mbulesën e errësirës dhe mjegullës. Ky operacion i tyre kaloi me sukses të plotë. Pasi kishin pritur kur pararojat tona u tërhoqën natën në pozicionet kryesore, ata me një kolonë të ngjeshur depërtuar nëpër grykën Devjatino: në fillim artileria, pas tyre kalorësia, pastaj këmbësoria. Kur ne në mëngjes u kthyem në pozicionet tona, pamë vetëm bishtin e këmbësorisë turke dhe arritëm ta shkëputnim vetëm kolonën e furnizimit. Turqit nuk rezistuan, nuk iu përgjigjën të shtënave tona, por nxitonin sa më shpejt nëpër grykë. Tanët gjithashtu nuk treguan kurrfarë energjie për t’i ndjekur: kishin frikë nga epërsia në numër të armikut. Në fillim madje u komandua tërheqja. Toga imë qëndroi dhe vazhdoi të shtinte pas tyre. Kur u bë e qartë që turqit nuk do të ktheheshin, ne na u bashkuan njësitë tjera. Por misioni ynë dështoi: turqit depërtuan.
Feti-pashai, i cili më pas u gjet i vdekur në xhaminë e Resnjës, sipas fjalëve të turqve të burgosur, ishte i plagosur rëndë në marshimin e Devjatino-s. Pasi dha urdhër të ecnin para, ai vetë qëndroi në vend, gjersa nuk kaloi edhe ushtari i fundit. Në këtë mënyrë, pashai ndodhej në bisht dhe u plagos në kokë nga një plumb yni. Ishte burrë i mirë, i ditur dhe bujar, – një kohë ai kishte shërbyer në Beograd si emisar turk dhe gëzonte respektin e të gjithëve. Më pas oficerët tanë lëvdoheshin: “Unë qëllova një oficer turk me epoleta të arta, – mbase pikërisht ky ka qenë Feti-pashai”… Edhe nj tjetër kishte qëlluar një pasha, i cili ishte në kalë. Edhe nj i tretë, edhe një i katërt… Në fund doli që, hiç më pak se dhjetë burra kishin qëlluar në një cak të vetëm: në kokën e Feti-pashait.
Divizioni ynë u vu në ndjekje të turqve në drejtim të Resnjës, e cila u pushtua pa luftë. Vetëm tani, në Resnje, na sollën artilerinë e rënda… të tërhequr nga qetë. Turqit po tërhiqeshin në jug, nëpër bregun perëndimor të liqenit të Prespës. Tani kishim marrë guxim dhe po i ndiqnim, pasi që kishim armatim të rëndë. Kohë pas kohe turqit ndalonin dhe na gjuanin me zjarr të furishëm artilerie. Dukej se tani do të kalojnë në sulm. Por befas të shinat ndalonin, lëvizin dhe tërhiqen më tej… Granatat turke, thuaja të gjitha, binin në liqe, zhyteshin në ujë duke ngritur përpjetë fontana të mrekullueshme. Këto fontana të artilerisë ishin kujtimi im i fundit i luftës. Ftohja, të cilën e kisha injoruar aq gjatë, befas më pushtoi dhe, i tëri në ethe, isha dërguar në spitalin e Bitolit …
(“Dita” (Den’) NN 84 dhe 86, 25 dhe 29 dhjetor 1912.)
Dr. phil. Selim Sylejmani