Gjilan

GJILANASI RUDAKU NË AFRIKË

Shkruan: Avni Rudaku

 

Para shkuarjes në Ugandë të Afrikës Lindore, miqtë dhe të njohurit e tjerë më thonin lloj-lloj gjërash të kobshme: “Atje ka luftë, do të vrasin!”, “Do të marrin peng bandat e armatosura lokale”, “Do të sëmuresh nga malarja e SIDA!”, “Është shumë nxehtë atje, nuk mund ta përballosh!”. Ka pasur edhe disa reagime përtej qesharake dhe që të bezdisin: “Allahile, qysh s’po priton me shkue në Afrikë? Unë për vete, pare mem dhanë, nuk kisha shkue atje!” Sidoqoftë, shumë prej tyre bazohen vetëm nga lajmet dhe përgjithësimet për tërë kontinentin afrikan dhe inercioni i izolimit kombëtar që na kanë shkaktuar politikanët e korruptuar, pa vizion, pa përgjegjësi e pa llogaridhënie. Askush nuk ma kishte thënë një gjë para se të shkoja në Ugandë: mos shko atje, sepse aq shumë ka varfëri, sakaq dëmtohesh shpirtërisht kur sheh fëmijë këmbëzbathur, fëmijë që shtrëngojnë lëngun që ia bleni nga frika se dikush tjetër po ia merr pa e kërkuar një lëng për kohë të gjatë; fëmijë të prekur me HIV Pozitiv nga transmetimi i virusit pas lindjes nga prindërit me HIV Pozitiv dhe shumë prej tyre kishin mbetur jetim e duke u kujdestaruar nga halla, pas vdekjes së prindërve; fëmijë duke bartur kove me aq shumë litra ujë mbi kokë e dy duar, në distanca të largëta; fëmijë duke punuar punë të rënda; fëmijë duke mësuar në banka e karrige prej druri të forta e këmbëzbathur në dysheme të forta e të papërshtatshme; fëmijë që rriten edhe në mjedise ku besohet se ndëshkimi fizik po ashtu është mjet pedagogjik; fëmijë që nuk kanë kushte higjienike dhe stërpikin njëri-tjetrin duke urinuar në toilete të improvizuara, me disa shtaga si mburoja, me gurë përtoke dhe pa një vrimë të vetme të hedhjes së fekaleve e urinës, pra duke mos pasur toilete normale; fëmijë që luajnë sikur dikur fëmijët kosovarë para luftës, me goma të biçikletës; fëmijë që vdesin nga malarja dhe trajtimi i vonuar, i dobët, etj; fëmijë që nuk kanë transport publik a privat nga qendrat e qytetit në drejtim të fshatrave dhe anasjelltas; fëmijë që vrapojnë “Muzung, muzungu” kur e shohin një njeri të bardhë dhe të kërkojnë para apo çfarëdo gjëje tjetër dhe pamundësia që t’i përgjigjeni secilit që vrapon e të përqafon, të lëndon emocionalisht dhe të mbesin ato pamje në kokë për kohë të gjatë edhe pas kthimit në vendlindje; fëmijë që duan të të prekin dhe të vjen ndonjëherë frika se po merr ndonjë bakterie dhe e sheh veten sa paranoik bëhesh nga frika prej ndonjë infeksioni, herë në mënyrë të arsyeshme e herë të paarsyeshme; mbetja e fëmijëve shumë të vegjël, të vetëm në shtëpi për orë të gjata pa nënën  e tyre, duke pritur nënën nga puna në bujqësi e punë të tjera për mbijetesë; fëmijë të uritur dhe të kequshqyer, fëmijë me ëndërra të vrara që në lindje, etj.

Ethet e verdha

Edhe gjatë aplikimit për vizë, një nga kriteret është vaksinimi kundër etheve të verdha dhe marrja e kartonit të verdhë. Ne e bëmë këtë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik në Prishtinë. Mirëpo, vullnetarët e tjerë nga Holanda, Spanja, e tjerë e tjerë, me të cilët na ra të qëndronim në Ugandë, na tregonin se kishin marrë tableta antimalarje dhe vaksina të tjera po ashtu. Ata ishin shumë më të përgatitur me informacione, vaksina e këshilla sesa ne nga Kosova. Kjo ndonjëherë na frikësonte, por këshillat dhe përvoja e një punëtori kosovar në Entebe për punëdhënës të fuqishëm amerikan, na ndihmuan tejmase në ndjenjën e përgjithshme të sigurisë, pasi që punonjësit e tillë kanë sigurime të forta shëndetësore dhe po ashtu qasje në shërbime efikase profesionale-mjekësore. Pasi bëmë disa pyetje para nisjes nga një punonjësje e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, ajo na tha: ujë mos pi, por vetëm blej shishe të mbyllura me ujë; nëse han sallata, hedhi më shumë uthullë; sprejin mos e harro në asnjë mënyrë për shkak të insekteve dhe veçanërisht kundër mushkonjave. Ndërsa një kolege kosovare e cila kishte udhëtuar në Ugandë para disa kohësh, më kishte thënë këto gjëra: merr shumë spreja kundër insekteve, fëmijët duan të luajnë me flokët e tua dhe ta prekin dorën për shkak të kuriozitetit me ngjyrën e bardhë të trupit (kjo ishte gjë shumë e dashur dhe e parrezikshme) dhe më mirë të konvertohen paratë e dollarit në shilinga, prandaj eurot ktheji në dollarë para nisjes dhe atje i kthen më pastaj në shilinga ugandeze. Është praktikë e ime që para nisjes të marrë konsulta nga njerëzit që kanë pasur të njëjtën përvojë paraprake me mua!

Motivi si profesionist vullnetar në Afrikë

Që nga fëmijëria kur i shihja fëmijët afrikanë këmbëzbathur në lajmet ndërkombëtare, më lindte njëfarë dëshire e fuqishme për të shkuar e për t’i ndihmuar atyre. Dhe krejt vonë, erdhi një moment i përshtatshëm, kur aplikova në një organizatë ndërkombëtare si vullnetar profesionist dhe më dhanë jo vetëm mundësinë për një praktikë vullnetare ndërkombëtare, por edhe bursë. Më pas, organizata ishte jo serioze në planifikimin kohor dhe u bëra vullnetar direkt në organizatën e fuqishme lokale ugandeze “Eco-Agric Uganda”, e cila vepron në tri distrikte të mëdha: Wakiso, Hoima dhe Kibale. Isha i gëzuar që herë punoja në distriktin e dominuar nga grupi etnik Buganda a Baganda, e herë në Hoima që dominohet nga Runyoro. Historikisht, Buganda ka qenë ndër mbretëritë më të fuqishme të Ugandës dhe në kohën e kolonializmit britanik, konsiderohet se ka qenë më bashkëpunuese me kolonizatorët anglezë, prandaj edhe kanë marrë më shumë investime rajonet e tilla, si p.sh., kryeqyteti Kampala, etj. Edhe sot e kësaj dite, gjuha Luganda është më e përhapur; njerëzit nga rajonet bugandeze janë më të edukuar dhe më të arsimuar; më të urbanizuar e më të modernizuar, etj. Është shumë interesante se si Uganda ndonëse republikë me kushtetutë, ka disa mbretëri të cilat njihen edhe nga shteti. P. sh., mbretëria Buganda, Runyoro, etj., dhe në këto distrikte janë edhe pallatet ku flejnë e punojnë mbretëritë. Në fakt, këta mbretër janë krerë grupesh etnike, të cilët kanë pushtet simbolik për unfiikimin e pjesëtarëve të një grupi etnik dhe vijnë nga e kaluara e shumë mbretërve dhe konkurrencës së fiseve a grupeve etnike për pushtet e territore. Neve na ra të ishim prezent në takim edhe me gruan e mbretit të Bugandës, e cila gëzonte respekt të jashtëzakonshëm, me veshje super të veçantë, dukshëm me jetesë të dallueshme nga populli aq shumë i varfër ugandez. Mirëpo, kur shkuam në rajonin tjetër, më thonë se këtu, në këtë pallat, qëndron mbreti i Runjoros. E pyes: po sa mbretër i ka Uganda? Tetë. Dikush thotë katër. Sa e kuptova këtë çështje ishte fakti se shoqëria ugandeze është e përbërë nga aq shumë fise a grupe etnike dhe akoma edhe sot, njerëzit kanë ndjenja të fuqishme për komunitetin etnik, se sa për shtetin. Prandaj, mbretërit shënojnë të parin e fiseve/grupeve etnike më të fuqishme në vend. Por presidenti i vendit është njeriu më i fuqishëm në vend. Ai mban pushtetin nga viti 1986 dhe shtresat e arsimuara e urbane, janë kundër qëndrimit të tij aq të gjatë në pushtet dhe në takime private e quajnë edhe diktator. Por nuk është e kollajshme të kritikohet presidenti. Veçmas në fshatra, janë të lidhur më shumë me Musevinin dhe të vinte keq në kushte të tmerrshme varfërie, ta shihnit të varur fotografinë e tij në muret prej lloçi! Të gjithë ma thonë një gjë, qofshin me edukimin më të lartë universitar apo jo: Musevini për një gjë duhet shumë sepse ka paqe në vend. Njerëzit e duan atë sepse po ofron paqe, krahasuar me vendet e tjera si Sudani, Somalia, etj. Pra, krahasuar me vendet e tjera, Uganda është kryesisht me stabilitet politik, pavarësisht disa fërkimeve e tensioneve që mund të jenë ndonjëherë në kufi me Kongon. Rreth kësaj pjese, mësova në muzeun kombëtar të Kampalës se, është zbuluar një rrip i gjatë i pasur me gaz, prandaj ugandezët e ndërlidhnin tensionin ndërfqinjësor, edhe për interesa të gazit. Sidoqoftë, krahasuar me shumë shtete afrikane, Uganda është me stabilitet politik, ndonëse pakënaqësitë ndaj presidentit pushtetgjatë janë të rritura, vendi është shumë i varfër, në papunësi gjysma e popullatës, me infrastrukturë shumë të dobët, me mungesë dërmuese të trotuareve për këmbësorë, me rrugë të paasfaltuara në shumicën e vendit, me pluhur ekstrem, etj. Në shumë pjesë, toka apo balta është e kuqrremtë, por ka edhe vende që është gri, etj. Më ka bërë përshtypje sidomos edhe dënimi edhe me burg nëse të kapin duke pirë duhan në hapësirë publike. S’më ka rënë kurrë të shihja ndokë të pinte duhan për sa kohë kam qëndruar në Ugandë. Kam parë në disa fshatra duke punuar tabako, por njëri nga themeluesit e organizatës lokale ugandeze, më thotë se, shumica e duhanit të prodhuar në Ugandë, shkon jashtë vendit apo te fqinjët. Nuk ka thuajse blerës lokalë, nuk ka duhanpirës brenda vendit…

Kolonializimi britanik

Prej gjysmës së shekullit të XIX e gjer në vitin 1962, Mbretëria e Bashkuar kishte kolonizuar Ugandën. Gjurmët e këtij kolonializmi janë ende të gjalla. Shumica e veturave janë në stilin britanik, ku timoni gjindet në anën e ngjashme me veturat në Angli. Shumica e pallateve, si p.sh., i Bugandës në Kampala, në arkitekturë janë të ndikuara nga stili britanik dhe jetesa e studimet e mbretit në këtë shtet kanë pasur efekte. Gjuhë zyrtare e shtetit është gjuha angleze, e jo gjuhët lokale afrikane si luganda, runyoro, etj. Gjuha swahili pëlqehet nga popullata ugandeze dhe llogaritet gjuhë regjionale e Afrikës Lindore, pasi që flitet edhe në Ruandë, Tanzani, Kongo, Burundi, Keni, etj. dhe e llogarisin si një gjuhë ndërkombëtare, tregtare dhe gjuhë e zotëruar mirë nga ushtria ugandeze! Disa miq të arsimuar kanë akoma pezmatim për britanikët rreth trashëgimisë kulturore: ngjashëm sikur Serbia që ka marrë artefaktet kulturore dhe nuk ia ka kthyer akoma Kosovës, edhe pse parashihet edhe me Pakon e Ahtisaarit, ugandezët e përmendin se si britanikët shumë artefakte kulturore të Ugandës, i kanë marrë në muzeumet e tyre në Angli dhe nuk i kanë kthyer akoma të gjitha në Ugandë! Këtë e theksojnë më shumë njerëzit e arsimuar dhe më shumë edhe banorët e disktrikteve të dominuara nga runyorët, pasi që runyorët besojnë se kanë luftuar dhe rezistuar mjaft shumë kundër kolonizimit britanik, krahasuar p.sh., me bugandezët.

Puna ime në Ugandë

Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ndonëse e kemi kritikuar për secilën javë në kolumnet tona qe shtatë vjet dhe vazhdoj sa të kem frymë të jem zë kritik ndaj saj dhe në përgjithësi, kritik ndaj qeverive të njëpasnjëshme kosovare, i jam mirënjohës që më ka mbështetur financiarisht vetëm për biletën dhe jam zotuar po ashtu se jam në gjendje për Këshillet e Veprimit Rinor Lokal dhe Departamentin e Rinisë së ministrisë, sa herë të më kërkohet të jap kontributin tim në ndarjen e përvojës së vullnetarizmit ndërkombëtar. Gjatë punës sime vullnetare, kam punuar me organizata rinore, me fëmijët me HIV Pozitiv, me shumë shkolla ugandeze në nxitjen e kreativitetit, në ligjëratat për largimin e zemërimit dhe mërzisë, organizimin e orëve letrare dhe ekspozitave kolektive, e lloj-lloj aktiviteti tjetër në mbështetjen e stafit lokal në organizatat joqeveritare. Së fundi, pas intervistës, xhirimeve dhe fotove të bëra me disa fëmijë me HIV Pozitiv dhe familjarë të tyre, do të përpiqem të krijoj ndonjë fondacion bashkë me organizatën lokale ugandeze, për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve aq shumë të prekur me HIV Pozitiv në Ugandë. Thuhet se 7 përqind e popullatës së Ugandës janë të prekur nga HIV Pozitiv!

Kosova dhe Uganda

Nuk e di pse, por kahdo që shkoj, më pyesin: a është Kosova në Rusi? Më ka ndodhur edhe në Gjermani, e lëre më në Azi dhe Afrikë! Ndoshta pse Putini e ka përmendur shumë Kosovën dhe kanë krijuar keqkuptimin se Kosova qenka në Rusi pasi kreu i këtij vendi po e përmend shumë në fjalimet e tij. Ndoshta sepse rusët e kanë mbrojtur shumë Serbinë karshi Kosovës. Ndoshta sepse prapashtesa ‘ovo’, tingëllon rusisht. Edhe në Ugandë më pyesnin: A është Kosova në Rusi? Kur i thoja më tregoni ju lutem pse në Rusi, nuk e dinin përgjigjen. Uganda e ka njohur shtetin e Kosovës sipas MPJ-së dhe vizës që ma hedhën në faqen e pasaportës, por në aplikimet online për vizë, nuk e gjeja askund me shkronjë ‘R’ apo ‘K’, Republikën e Kosovës. Po e thërras mikun tim të njohur për udhëtime jashtë vendit dhe njohës shumë i mirë i praktikave të ndryshme të shteteve për vizë, se si mund ta gjej Kosovën në listën e shteteve, sepse nuk doja të përcaktohesha për ‘Serbinë’. Hajde tek unë e shohim bashkë ndonjë alternativë. Kur e pamë krejt rastësisht në shkronjën ‘R’, por me një emër krejtësisht tjetër e të gjatë: Resident of Kosovo to whom a travel document has been issued by the United Nations Interim Administration Mission in Kosovo (Banor i Kosovës të cilit i është lëshuar një dokument udhëtimi nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë). Në vitin 2012, Ministria e Punëve të Jashtme kishte njoftuar për mediet se Uganda është shteti i 88-të që ka njohur Kosovën. Kur arrita në aeroportin ndërkombëtar Entebe të Ugandës, ma vendosën vizën në pasaportë, pasi paraprakisht kisha aplikuar online për vizë dhe me një pagesë prej 50 dollarësh. Përgjigja e autoriteteve pas aplikimit online për vizë, ishte më se e shpejtë. Vetëm pas pak orësh, më konfirmuan pranimin e vizës. Përndryshe, do të doja ta shihja në listë: “Republika e Kosovës!”

Përpjekje për ta përfunduar

Aq mirë kam kaluar, sakaq ende nuk po e tejkaloj mërzinë që jam kthyer në Kosovë! Populli ugandez është shumë i dashur, i përzemërt dhe mikpritës. Fëmijët janë pasuria më e madhe e Ugandës dhe të mbushin me shumë ngrohtësi, qoftë edhe një foto të vetme kur e bëni me ta. Janë të jashtëzakonshëm, të bukur, inteligjentë, por fati i tyre të lindin në kushte të mjerushme ekonomike dhe sociale. Po ta kishte Kosova afër Ugandën e jo vendet e zhvilluara evropiane dhe mërgimtarët, jam më se i bindur se do të ishim një vend i zhytur edhe në varfëri të dyfishtë ekstreme nga kjo ekzistuese, të ngjashme me Ugandën. Kur e pashë një shtëpi shumë të madhe e të bukur në Ugandë, e pyeta mikun afrikan: Kush e ka ndërtuar këtë shtëpi? Ku punon pronari? Ai ma ktheu këtë përgjigje: Ka mërguar për shumë vjet në Britaninë e Madhe dhe tash është në pension, është kthyer në vendlindje dhe ka ndërtuar këtë shtëpi aq të madhe e aq të bukur. Menjëherë më ranë ndërmend mijëra kosovarë që kanë ndërtuar shtëpi të bukura, pasi jetojnë dhe veprojnë në shtete të pasura si Gjermania, Zvicra, etj. Ka shumë ugandezë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, por sikur ta kishin më afër, do të shkonin më shumë dhe më lehtë, prandaj do të kishin një jetë shumë më cilësore, vetëm fal mërgimtarëve ugandezë, sikur kosovarët me mërgimtarët e tyre në vendet perëndimore. Për sa i kemi politikanët me vizion, përgjegjësi e llogaridhënie, varfëria e izolimi s’do të na hiqet për kohë të gjatë! Madje edhe në këtë qeverinë e re, metafora më e shëmtuar është shpërblimi për zëvendëskryeministër dhe ministër, një sekser! E tmerrshme!

(Shkrimi është botuar me titull tjetër, ekskluzivisht në portalin dialogplus.ch, ndërsa ky titull është i redaksisë sonë nga kryelajmi.com. Për më shumë, ky është linku i publikimit të parë: http://dialogplus.ch/atje-ka-lufte-do-te-vrasin-127338)

 

You Might Also Like