Gjilan, 2 gusht / Komiteti për Gjeodezi, Kadastër e Pronë (KGJKP) ka miratuar propozimvendimin për caktimin e një lokacioni për groposjen e kafshëve të ngordhura, që, siç ka thënë Refik Shala, kryesues i kësaj trupe komunale, është kërkesë e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, për të gjitha Komunat e Kosovës, si njëra nga masat e fushatës për vaksinimin masiv të gjedheve për mbrojtje nga sëmundja gungore e lëkurës.
Shala ka kërkuar nga KGJKP që t`i përgjigjet pozitivisht këtij propozim-vendimi dhe të hapet rruga për procedurat tjera, deri në realizimin e këtij projekti, i cili nuk duhet të ketë asnjë ndikim negativ në ambient.
Përndryshe, Sali Fazliu nga Drejtoria e Gjeodezisë, Kadastrës dhe Pronës, ka dhënë më shumë hollësi rreth kësaj kërkese, duke nënvizuar faktin se zyrtarët përkatës, pas hulumtimit të disa hapësirave në terren, kanë ardhur në përfundim se lokacioni më i përshtatshëm për këtë qëllim është ai ndërmjet fshatrave Livoç i Epërm dhe Ponesh, meqë ndodhet ndodhët larg vendbanimeve, larg puseve, lumenjve dhe rrjedhave tjera ujore si është pronë komunale.
Komiteti i ka rekomanduar Kuvendit Komunal që të miratojë vendimin për ndarjen e këtij lokacion, me sipërfaqe prej 20 ari (2.000 m/2).
Anëtarët e Komitetit, Sami Ahmeti (LDK), Arjeta Rexhepi (VV), Venhar Haziri (LDK), kanë thënë se duhet të gjendet një mënyrë sa më e përshtatshme për menaxhimin e kësaj varreze, duke filluar që nga bartja e kafshëve të ngordhura, groposja e tyre e deri te mbulimi i shpenzimeve të nevojshme për kryerjen e kësaj pune. Është sugjeruar që në të njëjtën hapësirë të groposen edhe qentë, të cilët po ngordhin rrugëve.
Fazliu ka thënë se obligim i kësaj drejtorie dhe i këtij komiteti, është caktimi i lokacionit, ndërsa për çështjet tjera do të kujdesen drejtoritë përkatëse, Shërbimet Publike dhe Bujqësia.