Futboll

Gjilani huazon Albert Dabiqajn për ndeshjet e Evropës

Sport Club “Gjilani” dhe Klubi Futbollistik “Feronikeli” janë dakorduar për huazimin e futbollistit Albert Dabiqaj, raporton ekskluzivisht Gazetasheshi.com.

Marrëveshja është arritur ndërmjet dy presidentëve të klubit, ndërkohë futbollisti i “Niklit” do t’i bashkohet ‘kuqebardhëve’ të Gjilanit që nga data 5 gusht në seancat stërvitore.

Afrimi i Dabiqajt për ndeshjet evropiane ka qenë i domosdoshëm për nënkampionët e vendit, duke ditur cilësitë e jashtëzakonshme që posedon 24 vjeçari dhe mungesat e shumta të kësaj skuadre në repartin e mesfushës.

Aktualisht në dispozicion të trajnerit Mezani janë vetëm dy mesfushorët Keita Aziz dhe Fjori Jonuzi, pasi që Muhamed Useini është i lënduar dhe vështirë se do mund të arrijë ndeshjet e para të Evropës, teksa kur kësaj i shtojmë largimet e Kushtrim Shabanit, Salih Kosumit, Fatlind Azizit dhe Muamer Svrakës, atëherë konstatimi për afrimin e Dabiqajt në kampin e “Skifterëve” ishte një nevoje imediate.

Përveç këtij operacioni, i cili është realizuar në orët e fundit, drejtuesit e klubit gjilanas janë duke punuar në vazhdimësi që të ofrojnë futbollistë në afatin kalimtar të verës për të qenë pretendent kryesor për titullin kampion.

/Gazeta Sheshi/

You Might Also Like