Nëse deri dje së paku mund të krenoheshin se e kanë mbrojtjen e mirë, Gjilani tashti po dështon edhe në këtë aspekt e dëshmi më e mirë për këtë janë tri lojërat e fundit. Mesfusha e sulmi ka kohë që nuk po funksionojnë, andaj për Gjilanin mund të thuhet se është në krizë të thellë.
Trepça ’89 e ka mposhtur Gjilanin me rezultat të thellë e më brengosëse se humbja është loja shumë e dobët, pa ndonjë sulm të organizuar.
Gjilani e ka pësuar golin e parë në minutën 20 edhe atë nga pika e bardhë, kur Arb Manaj qëlloi në këndin e poshtëm të djathtë, aty ku u hodh edhe Koliqi por pa mundur që t’a ndal topin.
Gjilani pati mundësi që të barazojë në fund të pjesës së parë, por Nikaq, që ishte i vetmuar në vend të rrjetës qëlloi portierin vendas.
Në pjesëlojën e dytë u mendua se do të sulmojë më tepër, por ndodhi e kundërta, ngase lojtarët kuq e bardhë mundoheshin që me topa të gjatë e të lartë të shënojnë, gjë që ishte e pamundur.
Në pjesëlojën e dytë Gjilani pranoi edhe dy gola edhe atë falë mbrojtjes shumë të ngathtë. Në minutën 77, Sie kaloi tërë mbrojtjen e Gjilanit dhe në fund qëlloi këndin e poshtëm të djathtë të Koliqit. Se mbrojtja nuk është kërkah u dëshmua në minutën 83, kur Rilind Nimani shpërtheu nëpër mbrojtjen e Gjilanit, të cilët vetëm me sy po e përcillnin depërtimin e tij dhe kur erdhi në pozitë ballore e futi topin në rrjetë, duke e lënë Koliqin që të hidhërohet në mbrojtësit e tij. Në fund Trepça ’89 – Gjilani 3:0.kryelajmi.com