Futboll

Gjilani nuk u këndell as pas pushimit

Gjilani ka pësuar humbjen ndër më të thellat në këtë kampionat, në një ndeshje që nuk do të duhej të ishte e tillë, ngase pati një penalti të huqur si dhe topin më shumë në pronësi.

Gjilani është befasuar në fillim të ndeshjes që e ka luajtur në Podujevë. Një pakujdesi në mbrojtje i ka kushtuar shumë ekipit kuq e bardh. Kapiteni i Llapit, Hamdi Namani ka shërbyer shkëlqyeshëm sulmuesin në formë, Festim Alidema, i cili me një gjuajtje për tokë ka mposhtur portierin Kaqiu.

Gjilani që ishte më i mirë në pjesën e parë pati më shumë topin në pronësi dhe në një nga sulmet, portieri i Llapit shkaktoi penalti, kur në brendi ndali sulmuesin shqiptar të Gjilanit.

Nika mori përgjegjësinë për të gjuajtur nga pika e bardhë dhe e qëlloi këndin e poshtëm të majtë, aty ku u hodh edhe portieri i Llapit që me maje të gishtërinjve e dëboi topin në shtyllë dhe prej aty topi doli jashtë.

Rast të mirë për Gjilanin pati edhe Caesar, i cili ishte i vetmuar e portieri i Llapit Afrim Ademi me gjoks e priti topin që po shkonte drejt rrjetës.

Në minutën 54, Rexhepi i Llapit gjuajti me kokë e topi nga duart e Kaqiut u përplas për shtylle. Gjuajtjen nga këndi e dha Zhdrella, i cili harkoi në shtyllën e dytë, ku i vetmuar ishte Sinani që me kokë futi topin në rrjetë për 2:0.

Në minutën 60, Maliqi i Llapit për pak sa nuk shënoi autogol, kur pas një goditje këndi të Gjilanit, qëlloi topin me kokë, e i cili u përplas për shtylle.

Në minutën 66, i sapoinkuadruari Zeqiri është shërbyer nga Namani dhe me një gjuajtje për tokë ia doli që të fus topin nën duart e portierit Kaqiu të Gjilanit.

Gjilani më në fund ka shënuar në minutën 76, kur pas një pasimi nga e djathta, Magani gjuajti furishëm dhe zvogëloi rezultatin në 3 me 1.

You Might Also Like