Gjilan, 13 prill 2022 – Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës ka shënuar sot Ditën Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe, në ngjarjen ku mori pjesë nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku, drejtori i DKRS-së, Kushtrim Zeqiri, dhe sportistë të të gjitha fushave.
Nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina Bunjaku, ka konfirmuar para sportistëve mbështetjen e këtij sektori me të gjitha kapacitetet komunale.
“Vetë fakti që me propozim të kryetarit Hyseni është rritur shuma e përkrahjes për fushën e sportit nga 80 mijë në 120 mijë euro, tregon përkushtimin e Komunës ndaj sportistëve. Mbështetja e Komunës do të jetë e vazhdueshme pasi ju na keni bërë krenarë me rezultatet dhe të arriturat tuaja. Ju jeni ambasadorët tanë më të mirë”, ka thënë nënkryetarja e Komunës.
Drejtori i DKRS-së, Kushtrim Zeqiri, tha se kjo ditë paraqet një mundësi për të njohur rolin pozitiv që luajnë sporti dhe aktiviteti fizik në komunitete dhe në jetën e njerëzve anembanë globit.
“Sporti ka fuqinë për të ndryshuar botën, është një e drejtë themelore dhe një mjet i fuqishëm për të forcuar lidhjet shoqërore për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe paqen, si dhe solidaritetin dhe respektin për të gjithë”, ka thënë drejtori Zeqiri.