Gjilan, 25 tetor 2018 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në takim pune përfaqësuesit e Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar të cilët merren me trajtimin e rasteve me sindrom Down, të cilëve u ka ofruar mbështetjen për funksionalizimin e zyrës dhe krijimin e mundësive për dhënien e shërbimeve profesionale për fëmijët dhe të rriturit me sindrom Down.
“Komuna e Gjilanit me mundësitë që ka dhe në funksion të shërbimeve më të mira për fëmijët dhe të rriturit me sindromin Down, do të punoj për kushte më të mira dhe trajtim të personave me këtë sindrom. Është shumë e rëndë për prindërit të cilët kanë fëmijë me këtë sindrom, që për një shërbim të udhëtojnë në drejtim të Prishtinës që të marrin shërbime të veçanta për këtë kategori. Të gjithë do të jemi së bashku për kushte më të mira për këta persona dhe këto familje”, ka thënë në fjalën e tij kryetari Haziri.
Kryetari Haziri, gjithashtu ka bërë të ditur se Plani i veprimit do të hartohet së bashku me të gjitha organiztata, përfshirë edhe Forumin.
Kurse, Bujar Kadriu, kryetar i Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, ka shprehur falënderimet e tij për angazhimin dhe mundësinë e funksionalizimit të zyrës dhe njëkohësisht edhe përkrahjen gjatë të ardhmes për shërbime më të mira për këto raste që janë pjesë e shoqërisë dhe detyrë e jona për t’u përkujdesur.