LAJME

Lutfi Haziri takon diplomatë të 12 shteteve

Gjilan, 10 maj 2018 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në një takim pune diplomatë të 12 shteteve, të cilët i ka informuar për Gjilanin, me pozitën gjeografike dhe rëndësinë si qendër e mikroregjionit Kosovë, Maqedoni, Serbi, në aspektin e bashkëpunimit për zhvillim ekonomik, përkatësisht agrokulturës.

Në fjalën e tij, Haziri ka përmendur kulturën e duhanit, prodhimin dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve dhe sektorë të tjerë të cilët mund të zhvillohen në Komunën e Gjilanit dhe në këtë regjion në përgjithësi.

Haziri, gjithashtu, i ka njoftuar ata për përbërjen e popullsisë, për etnitë e ndryshme që jetojnë në Gjilan, për konfeksionet fetare që praktikohen dhe për tolerancën që është në përgjithësi si model në nivel vendi.

Se Komuna e Gjilanit është e hapur dhe bashkëpunuese edhe me komuna e qytete në vende të ndryshme të botës, kryetari Haziri në fjalën e tij ka përmendur binjakëzimet që ka Gjilani me qytete të ndryshme në regjion, Evropë dhe deri në Amerikë, duke pohuar se bashkëpunimet janë forma e drejtëpërdrejtë e shkëmbimit të investimeve, përvojave dhe praktikave të ndryshme në shërbim të qytetarëve dhe ngritjen e zhvillimit.

Së fundmi, ai tha se Gjilani në partneritet me Komisionin Evropian është duke implementuar projektin e bashkëpunimit ndërkufitar me Komunën e Kumanovës në fushën e bujqësisë, pastaj projekti tashmë i përfunduar për valorizimin e zejeve me Komunën e Çairit të Maqedonisë dhe projekte që janë aktualisht në proces të implementimit me organizatat ndërkombëtare në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, bujqësi dhe fusha të tjera.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Diplomatike, ambasadori Beqir Ismaili, ka folur për rolin  në trajnimin e diplomatëve të rinj të Kosovës dhe në përgjithësi punën e këtij institucioni. Ai tha se edicioni i shkollës pranverore, ka vënë theksin në ekonominë, e cila  është bërë një shkak i madh i shfaqjes së marrëdhënieve diplomatike midis shteteve, sepse sipas tij, nuk ka më tregje lokale apo kombëtare, por të gjitha janë bërë tregje globale.

You Might Also Like