Vizitë e veçantë në kuadër të binjakëzimit të shkollave
Gjilan, 24 tetor 2025 — Gjimnazi “Zenel Hajdini” pati kënaqësinë të mirëpresë një vizitë të veçantë në kuadër të marrëveshjes së binjakëzimit me Gjimnazin “Hydajet Lezha” nga qyteti i Lezhës.
Kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit arsimor e kulturor ndërmjet dy institucioneve.
Delegacioni nga Lezha u kryesua nga znj. Antoneta Suta, përfaqësuese e Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar Lezhë, dhe nga drejtoresha e gjimnazit partner, znj. Anila Nikollaj, e shoqëruar nga anëtarë të tjerë të stafit drejtues dhe kolektivit arsimor.
Delegacionin e mirëpriti drejtori i Gjimnazit “Zenel Hajdini”, z. Jeton Rexhepi, i cili i njohu mysafirët me të arriturat e institucionit, procesin mësimor-edukativ, kabinetet mësimore dhe kushtet bashkëkohore që ofrohen për nxënësit tanë.
Takimin e bëri edhe më domethënës prania e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, dhe drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit, z. Shpend Nuhiu, të cilët përshëndetën mysafirët dhe shprehën mbështetjen institucionale për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy gjimnazeve partnere.
Në vijim, ekipet drejtuese të të dy institucioneve zhvilluan një takim pune, ku u dakorduan për hartimin e një plani bashkëpunimi dyvjeçar, që do të përfshijë aktivitete të përbashkëta arsimore, kulturore dhe rinore, me synim thellimin e shkëmbimeve profesionale dhe rritjen e cilësisë së arsimit.
Pas pjesës zyrtare, delegacioni nga Lezha zhvilloi vizita kulturore në qytetin tonë, përfshirë Muzeun e Qytetit të Gjilanit, duke u njohur nga afër me trashëgiminë historike dhe kulturore të rajonit.
Takimi u mbyll në një atmosferë miqësie, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi, si dëshmi e vlerave që arsimi, kultura dhe rinia i sjellin shoqërisë sonë. Gjimnazi Hydajet Lezha Zyrtare






