ARSIMI

Gjimnazi “Xhavit Ahmeti” nëpërmjet Klubit të Anglishtes thellon bashkëpunimin me ushtarët amerikanë të KFOR-it

Klubi i Anglishtes, i cili tash e sa kohë vepron në Gjimnazin e Shkencave të Natyrës “Xhavit Ahmeti” dhe i cili udhëhiqet nga profesoresha e palodhur e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, Kujtesa Salihu – Keka, çdo ditë e më tepër po i zgjeron aktivitetet, duke sjell laramani ngjarjesh me interes për nxënësit.

Sa e sa debate janë mbajtur, sa e sa aktivitete nga më të ndryshmet, ku nxënësit tanë po dëshmojnë njohuri të shkëlqyeshme të Gjuhës Angleze. Personalitete të ndryshme vizituan, por edhe ligjëruan para Klubit të Anglishtes, pastaj u shfaqën filma e u rrahën tema me interes.

Tashti, së fundi, Klubi i Anglishtes kishte mysafirë ushtarë amerikanë që janë pjesëtarë të KFOR-it nga Kampi Ushtarak Amerikan Bondsteel në Sojevë të Ferizajt.

Oficerët amerikanë kanë shqyrtuar mundësinë e bashkëpunimit me nxënësit e Klubit të Anglishtes dhe për fillim kanë pasuruar Bibliotekën e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” me disa libra në gjuhën angleze, të cilët do t’u hyjnë në punë nxënësve që edhe më tepër dëshirojnë të thellohen në mësimin e kësaj gjuhe.

Ndër aktivitetet e radhës pritet të jetë një vizitë e nxënësve në Kampin Bondsteel, sikurse ndër aktivitetet e radhës pritet të jetë edhe këmbimi i letrave në mes të nxënësve tanë dhe atyre amerikanë, nëpërmjet të cilave do të thellohet edhe më shumë miqësia në mes të dy popujve.

Bekim Mustafa, drejtor i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, ka thënë se shkolla e jonë është e gatshme për bashkëpunim në çdo kohë, derisa edhe profesoresha Kujtesa Salihu – Keka, ka theksuar se nxënësit tanë janë shumë të interesuar për mësimin e gjuhës angleze, derisa nisma për themelimin e Klubit të Anglishtës ka patur si qëllim që të shkohet edhe më tej, duke organizuar aktivitete të larmishme e në të cilat gjuha angleze mbetet gjuhë komunikimi.

You Might Also Like