Gjilan

Haziri: Fatmirësisht ka një rënie të infeksionit dhe rritje të të shëruarve në Gjilan

Gjilan, 11 shtator 2020 – Komiteti për menaxhimin e emergjencave, në vlerësimin e gjendjes me Covid-19, në 24 orët e fundit në Komunën e Gjilanit, konstaton rënie të vazhdueshme të infeksionit, ku nga 20 mostra të punuar janë vetëm 5 raste positive, por kërkohet respektim i masave mbrojtëse për ruajtjen e shëndetit publik.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në konferencën me gazetarë ka pasqyrtuar gjendjen sipas statistikave dhe konstaton rënie të infeksionit në javën e fundit, që është falë edhe lojalitetit që janë duke treguar qytetarët në respektimin e rekomandimeve të shtetit.

“Në bazë të statistikave zyrtare, në Komunën e Gjilanit ka një rënie të infeksionit në javën e fundit dhe rritje të numrit të të shëruarve. Aktualisht kemi 116 raste aktive me Covid-19, nga 930 të infektuar gjatë gjithë përballjes me pandeminë që nga 13 marsi i këtij viti. Për fat shumë të keq, 41 qytetarë të Gjilanit kanë humbur betejën me virusin dhe 773 janë shëruar plotësisht. 27 pacient janë të hozpitalizuar, të cilët janë të konfirmuar me Covid-19 dhe vazhdimisht janë nën kontrollin shëndetësor të mjekëve. Mostra në pritje i kemi gjithsej 34 të mara nga qytetarët dhe 47 mostra të mësimdhënësve”, ka konfirmuar kryetari në fjalën e tij.

Kryetari Haziri ka potencuar se nga 14 shtator niveli primar i shëndetësisë ka edhe detyrën shtesë të monitorimit dhe kontrollit të shëndetit të nxënësve nëpër shkolla, për të qenë gjendja stabile dhe në bazë të parametrave të paraparë për parandalim të virusit Covid-19.

Ai njoftoi lexuesit se nga e hëna do të hapet edhe biblioteka e qytetit, por me numër të kufizuar të lexuesve dhe në kushte pandemie me respektim të plotë të masave mbrojtëse.

Dr. Ukshin Ismajli, drejtor klinik në Spitalin Regjional të Gjilanit, ka konfirmuar një rënie të numrit të pacientëve me Covid-19 dhe normalizim të gjendjes së atyre që janë duke marrë trajtimin mjekësor në repartin e infektivës dhe pulmologjisë.

Ndërsa, major Alban Ramushi, komandant i Stacionit të Policisë së Kosovës, ka konfirmuar se nga e hëna në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit, policia në komunitet do të jetë aktive si gjithmonë në menagjimin e situates dhe kontrollin rreth objekteve shkollore dhe gjithçka është përgatitur në bazë të planit të veprimit që ka policia në shërbim të sigurisë së përgjithshme.

Apeli i përbashkët i komitetit të emergjencave në këtë fazë, është përdorimi i masave mbrojtëse dhe lutja për prindërit dhe mësimdhënësit që në rast se vërejnë probleme shëndetësore te fëmijët ti mbajnë dhe trajtojnë në shtëpi sipas udhëzimeve dhe rekomandimeve të mjekëve.

Për ndryshe, çdo shqëtësim apo dyshim duhet të lajmërohet në numrat kujdestar të emergjencave, siç janë 112, 192, 193, 194 apo 0280321781, për të intervenuar shpejt pa lejuar daljen e gjendjes jashtë kontrollit.

You Might Also Like