Me rastin e ndarjes nga jeta të gazetarit shumëvjeçar nga rajoni i Gjilanit, Ganimet Klaiqi, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Klaiqi. Në telegram thuhet:
“E nderuara familje Klaiqi,
Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të gazetarit të njohur nga rajoni i Gjilanit, Ganimet Klaiqi.
Ganimetin e kam pasur rastin ta njohë tash e 30 vite dhe mund të them se ai do të mbahet në mend përgjithmonë si së pari për njerëzoren, sikurse që do të mbetet ikonë e gazetarisë së Gjilanit, Anamoravës dhe të mbarë Kosovës dhe shembull për gjeneratat e reja.
Pa Ganimetin, gazetaria e publicistika në Republikën e Kosovës do të jetë më e varfër, e më e mangët.
Ngushëllime familjes, shokëve, kolegëve, miqve e farefisit. Zoti ua lehtësoftë dhembjen!”, thuhet në telegram.