Gjilan

Haziri takon Shoqatën e të Burgosurve Politikë

Gjilan, 24 korrik 2017 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në një takim pune ka pritur kryetarin e Komunës së Kamenicës, dhe kryetarët e shoqatave të të Burgosurve Politik nga Komunat e Anamoravës, të cilët kanë biseduar konkretisht për gjendjen e burgut hetues, apo burgut famëkeq të Gjilanit, i cili është mbyllur më 15 qershor të këtij viti dhe është i hapur për vizitorët.

“Falënderoj shoqatën e të burgosurve, këta të cilët sot janë gjallë, sepse mbi sakrificën e tyre, mbi luftën dhe idealet e tyre, ne jemi frymëzuar dhe sot po e shijojmë lirinë. Këta për ne janë heronjtë e gjallë të Kosovës, përkundër që respektin dhe gjunjëzimin e bëjmë për heronjtë dhe dëshmorët e atdheut”, ka thënë kryetari Haziri.

Edhe sa i përket burgut famëkeq i cili sot gjendet në qendrën e qytetit të Gjilanit kryetari Haziri ka prezantuar dy çështje të cilat janë debatuar bashkërisht.

“Ne sot kemi biseduar për mundësinë e përcaktimit të destinimit final, apo shfrytëzimin e objektit të burgut të Gjilanit dhe mundësinë e restaurimit të një pjese drejtë konzervimit të një pjese për t’u shfrytëzuar për memorje historike dhe për shfrytëzim nga gjeneratat dhe njerëzit që vijnë në të ardhmen”.

“Aty do të kthehet dhe ndritet historia. Ky ishte burgu që përveç trajtimit të rëndë dhe torturave të vazhdueshme, aty kishte edhe shumë njerëz të cilët nuk kanë dalë të gjallë. Gjaku i tyre sot bënë dritë, por duhet të ruhet ajo dritë që del nga ai objekt që ishte famëkeq në të kaluarën, por në të ardhmen do të kthehet në një objekt që shërben për histori dhe për të ardhmen”, ka thënë mes tjerash kryetari Haziri.

Shefik Sadiku kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politik, ka falënderuar kryetarin Haziri për angazhimin dhe punën që ka bërë për hapjen e burgut më famëkeq për vizitorët.

“Burgu i Gjilanit për mënyrën se si i ka trajtuar të burgosurit në kohën e okuptimit që nga vitet e ’40-ta e deri në luftën e fundit të vitit ’99, njihet si burgu më famkeq. Nëpër këtë burg kanë kapërcyer personalitete të larta intelektuale, patriotike dhe për të gjithë ishte një torturë e paparë ndonjëherë. Këtu është burgosur një numër i madh i Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare”, ka thënë ai.

Kryetari i Komunës së Kamenicës shkurtimisht para gazetarëve ka thënë se periudha e paraluftës, burgun e Gjilanit e përshkruan si një hapësirë të trishtë të rinisë së asaj kohe, e popullit shqiptarë që për qëllim kryesor mbi të gjitha ato tortura barbare kishte lirinë e plotë të shqiptarëve.

You Might Also Like