Gjilan, 15 janar 2017 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka vizituar sot shkollën “Thimi Mitko”, shkollën “Nazim Hikmet”, e cila ka nxënës edhe nga komuniteti turk dhe është takuar poashtu edhe me menagjerët e shkollave të komunitetit serb, për t’i uruar nxënësit dhe personelin mësimor për fillimin e gjysmë vjetorit të dytë, duke shpresuar në suksese edhe më të larta.
Gjatë vizitës nëpër shkolla kryetari Haziri ka thënë se në shkollat e Gjilanit do të bëhet zhvillimi i programeve për mësimnxënie të suksesshme dhe integrimin e të gjithë fëmijëve nga të gjitha kategoritë dhe etnitë në procesin mësimor.
“Uroj të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit e Gjilanit për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë të mësimit, duke shpresuar shumë që sukseset e fëmijëve dhe të shkollave në përgjithësi në Komunën tonë të jenë gjithnjë më të larta. Kërkohet një angazhim i përbashkët nga mësimdhënësit dhe prindërit, që të kemi nxënës të suksesshëm”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri derisa ka vizituar shkollën “Thimi Mitko”.
Kurse në shkollën “Nazim Hikmet”, në fshatin Dobërqan, kryetari vizitoi nxënësit nga komuniteti turk, dhe është zotuar për angazhim maksimal për t’i mbështetur komunitetet në përgjithësi për integrim të plotë në sistemin arsimor.
Në kuadër të përgatitjeve për fillimin e mbarë të mësimit, Haziri ka takuar edhe menagjerët e shkollave të komunitetit serb, me të cilët kanë diskutuar për fillimin e procesit mësimor, për investimet në infrastrukturë, për integrim dhe përfshirje të të gjithë fëmijëve në sistemin arsimor, duke përfshirë këtu edhe fëmijët e komunitetit romë.