OPINION

Investimet publike në ndërtesat kolektive – Çështja e Soliterit dhe më gjerë

Shkruan: Latif Maliqi, këshilltar komunal

 
Qytetarët me të drejtë shtrojnë pyetje për mënyrën se si trajtohen ndërhyrjet publike në ndërtesat kolektive, veçanërisht në ndërtesën e njohur si Soliteri – një objekt simbolik i qytetit dhe strehë për shumë familje.
Pa asnjë dyshim, Soliteri ka nevojë urgjente për rehabilitim. Por po aq është edhe nevoja për ndërhyrje në dhjetëra ndërtesa të tjera, të ndërtuara që nga fillimi i viteve ’70 dhe që sot përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të infrastrukturës banesore të qytetit.
Por ku qëndron problemi?
A trajtohen këto ndërtesa si objekte “private” – me përgjegjësi vetëm të banorëve – apo përfshihen në ndonjë plan a kontratë të mirëmbajtjes publike?
A ka ndonjë ndarje të qartë mes ndërtesave private dhe atyre publike të ndërtuara para dekadash? Apo thjesht, për shkak të mungesës së një politike të qartë komunale, këto objekte mbesin në një “zonë gri” dhe rrjedhimisht lihen pas dore?
Për këtë arsye, si qytetar dhe si përfaqësues komunal, i drejtoj publikisht këto pyetje Kryetarit të Komunës:
Me çfarë kriteri po veproni në drejtim të mirëmbajtjes së ndërtesave kolektive të vjetra?
Nëse të gjitha ndërtesat e këtij lloji përfshihen në kontratat për mirëmbajtje publike, pse janë ndërprerë punimet në Soliter?
A është shpallur ndonjë procedurë e re prokurimi pikërisht për Soliterin pas fillimit të punimeve?
Propozimi im konkret:
Nëse ndërmarrja publike NTP “Tregu” është vërtet një histori suksesi dhe krenari e komunës, atëherë le t’i besohet edhe mirëmbajtja dhe pastrimi i hapësirave të përbashkëta në të gjitha ndërtesat kolektive të ndërtuara nga vitet ’70 e këtej.
Këto hapësira përfshijnë shkallët, hyrjet, korridoret dhe oborret përreth – që shpesh lihen në mëshirë të kohës.
Statusi juridik i këtyre ndërtesave është i ngjashëm – dhe edhe nevojat janë të ngjashme!
Qytetarët nuk kërkojnë trajtim të veçantë, por trajtim të barabartë dhe institucional.
Sepse një qytet i pastër, i rregulluar dhe i mirëmbajtur nuk është privilegj – por është e drejtë e çdo qytetari.

You Might Also Like