Gjilan

Jemi krenarë që e patëm shok e nxënës Dren Ukshinin

Dhimbja ka pllakosur nxënësit dhe mësimdhënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” dhe mbarë qytetarët e Gjilanit, të cilët sot kanë marrë lajmin e dhimbshëm për vdekjen e shokut dhe nxënësit të tyre të shkëlqyeshëm, Dren Ukshini.

Të gjitha vdekjet janë të natyrshme. Ne të gjithë jemi lindur për të vdekur. Por, disa nga to janë më të rënda, vdekja e Dren Ukshinit, maturant i shkollës sonë, tërë kolektivin e la pa frymë, na shtangu, në kohën kur Dreni po tentonte të përjetonte jetën që e kishte përpara.

Dreni ishte tepër i ri për të vdekur, por se ai ka me se të kujtohet, ngase ndonëse i ri, ai tashmë ishte bërë një nxënës shumë i mirë, shok i urtë, i dashur e punëtor.

“Ne mburremi me Drenin. Jemi krenarë që patëm mundësi ta njohim. Bashkëndjejmë dhimbjen me familjen. Vetëm ata mund të mburren me të më shumë se ne. Kanë për çka dhe për kënd. Paralelja e shkolla e jonë, por edhe vendlindja e tij Gjilani gjatë do t’a mbajë ne mend”, thekson Enver Hasani, kujdestar i klasës XII – 10, në të cilën mësimet i vijoi edhe nxënësi Dren Ukshini.

Bekim Mustafa, drejtor i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, ndarjen me Dren Ukshinin e ka cilësuar humbje të madhe për këtë vatër të diturisë e vdekja e tij e hershme ka tronditur thellë bashkëmoshatarët dhe mësimdhënësit e tij, të cilët bashkëndiejenjë dhimbjen me familjen e të ndjerit.

Vdekja e hershme e nxënësit tonë e birit të familjes Ukshini na pikëlloi të gjithëve. Ndaj, familje e respektuar e Drenit, bëhuni të fortë dhe pranoni ngushëllimet më të sinqerta për vdekjen e më të dashurit tuaj, nga kolektivi i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan.

You Might Also Like