Gjilan

Jepet prona për xhami në Nasalë e për kishë në Cërnicë

Komiteti për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë (KGJKP), ka miratuar të mërkurën dy kërkesa për lejimin e shfrytëzimit të pronës së palujtshme komunale, njëra për kishën ortodokse në fshatin Cërrnicë dhe tjetra për ndërtimin e xhamisë në fshatin Nasalë dhe i ka rekomanduar në Komitetin për Politikë dhe Financa, për procedurë të mëtejme.

Refik Shala, kryesues i Komitetit, ka thënë se Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan, në bashkëpunim me Këshillin e fshatit Nasalë, ka kërkuar një truall me sipërfaqe 15 ari, pronë komunale, për ngritjen e një xhamie për nevoja të banorëve të këtij lokaliteti.

Edhe Kisha ortodokse serbe në Partesh, ka kërkuar në shfrytëzim një sipërfaqe prej 6 ari, pronë komunale, për nevoja të kishës në fshatin Cërnicë. Kjo sipërfaqe kërkohet për ndërtimin e objekti ndihmës, me qëllim të zhvillimit të ritualeve të varrimit, ka thënë Shala, duke i prezantuar kërkeasat.

Sadudin Berisha, drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, ka sqaruar se dhënia e pronës komunale në shfrytëzim për bashkësitë fetare është e rregulluar me ligj të veçantë dhe nuk i nënshtrohet procedurave të ankandit.

Në të dyja rastet, prona jepet në shfrytëzim për 99 vjet, por pronësia mbetet e Komunës dhe ajo ka të drejtë t`i rikthejë këto ngastra në cilindo moment që paraqitet nevoja për interesa publike, ka thënë Berisha.

Në rastin e Cërnicës, Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, ka sqaruar se, sipas Planit Zhvillimor Komunal, parcela gjendet jashtë zonës së ndërtimit të pjesës rurale dhe jashtë zonës së zgjerimit të zonës ndërtimore të fshatit Cërnicë.

Arjeta Rexhepi (VV) ka kërkuar që shqyrtimi i këtyre kërkesave të shtyhet për takimin tjetër, me arsyetim se nuk e ka marrë materialin, prandaj ka abstenuar në votim, ndërkaq Fadil Hajdari

(PDK) e ka pasivizuar pjesëmarrjen e tij në Komitet, me arsyetim se nuk është sjellë lista e pronarëve të rrugës qarkore, që e kishte kërkuar në takimin e kaluar, duke thënë se nuk do ta ndryshojë qëndrimin e tij derisa të mos plotësohet kërkesa.

Sadudin Berisha, drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, ka thënë se lista e pronarëve të rrugës qarkore, që është një problem i trashëguar nga pushteti serb, ka kaluar nëpër të gjitha procedurat komunale dhe është e hapur për ata që dëshirojnë ta shohin, por jo të përdoret për qëllime politike.

Berisha ka thënë se ky problem është adresuar dhe riadresuar në qeveri, si kërkesë për shpronësim të pronarëve, meqë bëhet fjalë për një rrugë ndërkomunale.

Fadil Hajdari (PDK) tha se as ai nuk është i interesuar t`i jap konotacion politik këtij problemi, por shtoi se nuk do të heq dorë nga kërkesa për të parë se kush është shpronësuar dhe kush ka ngelur pa u shpronësuar ende nga pronarët e rrugës qarkore.

Sadri Arifi, sekretar i Kuvendit, ka thënë se nuk kishin mundur t`ia dërgojnë kërkesën drejtorisë për këtë takim, shkaku i pushimeve verore, por ka premtuar se kërkesa do t`i adresohet për takimin e radhës.

 

You Might Also Like