Libri

JETË E DYTË IMJA ËSHTË E RËNDË

ABDULLAH KONUSHEVCI

JETË E DYTË IMJA ËSHTË E RËNDË

( Me rastin e katërvjetorit të kalimit në amshim, të njërit nga penat më të shquara të poezisë shqipe )
LETËR FISHTËS

Shtetin e bëmë. Si t’i bëjmë shqiptarët?
Në Prishtinë
Ka pak shqiptarë
Shqiptare edhe më pak
Mësuesi im
Në Prishtinë
Ka shumë turq
Dhe një grusht llatinë

Imzot Nik Prela
Vdiq moti
Adem Jashari
Gati u harrua

Kakërdhi minjsh
Bajga buallicash
Kuturbon qyteti

Po të shkruaj
I teshur nga veremi
Mushkëritë m’i kanë grirë
M’i kanë bërë copë-copë

Në Prishtinë
Ka pak shqiptarë
Shqiptare edhe më pak
Mësuesi im
Sa janë bjeshkët tona
Nuk po plasin dhimbe
Atme e Fe s’po i vjerr kush në pe

PiIKAT AD

(A. Demaçit)

Foshnjat duhet t’i marrin
15 deri 20 pikë në ditë
Të rriturit që nuk kanë pirë
Qumësht Nëne
10 deri në 15

Pikat AD
I forcojnë eshtrat
Dhe e rritin mallin
Të kesh Nënë

Kujdes nga faktori Rh—
Nga kolori i rremë AG+FA
Mund të dalë letër kalk
Dhe të lëshojë ngjyrë të zezë të zezë

Sa më shumë pika AD

Nuk e shihni se na ranë këmbët
Duke ecur në gjunjë

E SIGURT ËSHTË VETËM VDEKJA

( Agim Ramadanit )

Nuk është e sigurt
Në më deshi më shumë se veten

Nuk është e sigurt
Në e desha me shumë se veten

Nuk është e sigurt
E ndoqën sigurinë nga unë
Apo e humba rrugës

Nuk është e sigurt
Ka sigurimi fytyrë burri
A bishe të trembur

Nuk është e sigurt
Jam një shuk drite
Apo njeri prej mishi e gjaku

Nuk është e sigurt
Po e shkruaj unë këtë vjershë
Po i shtyp unë shkronjat në tastierë
Këtë as sigurimi s’mund ta dijë

Nuk është e sigurt
Do të vdes në shtrat
Apo do të më vrasin

E sigurt është se dua
Të kem këmishë të bardhë
Të bjerë më shumë në sy gjaku

Nuk është e sigurt
Ç’do të bëhet me sigurinë e brendshme
Do të ma kthejnë një ditë
Apo do ta nxjerrin në treg

Nuk është e sigurt
Më përgjojnë telefonin
Apo ai jehon vetiu

Nuk është e sigurt
Cilën ditë do të më nxjerrin
Prapë në gjyq
Apo më parë do të më marrin në hetime

Nuk është e sigurt
Cilin rrugaç cilën kurvë
Do ta ndërsejnë nesër kundër

Nuk është e sigurt
Se nuk do të djersij
Se nuk do të pëlcas

E sigurt është vetëm vdekja
Dhe ringjallja po ashtu

( Prishtinë, më 28 prill 2011 )

ELEGJI NË RE-MINORE

Asasit janë të qimë nane
As më vrasin
As më lënë të gjallë
Merka i ka si fëmijët e vet

Gugatje pëllumbash
Dëgjohen te fqinjët
Edheasit
Po të kishin zemër
Edhe do të më vrisnin
Edhe do të më varrosnin

Krrokamë e një korbi
Vjen rëndë-rëndë nga largësitë
Dhe një sharrë pret pa mëshirë drutë

Oseasit i kam miq për shpirt
Më shohin e si nuk plasin

Është kjo këngë jona e mjellmës
Që po e këndoj

LUTJA XXXIX

I verbuar nga dritë e saj
Një ditë
Do t’i ha kryet

Ajo shemb mure
Çel shtigje shkëmbinjve
Të vij tek unë
Me kokë në trastë

E di shumë mirë
Mungesë e saj
Më çmerit

Dhe mirë shumë e di
Jam unë
Ai që po mbytet
Dhe mund ta marr
Me vete në greminë

Ajo është një stuhi
Dhe një puhi është
Që më rrëmben lehtë
Nga kthetrat e vdekjes

Zot
Le të jetë fundi ynë
Dy skelete që duhen

( Prishtinë, më 19 mars 2011

LUTJA E FUNDIT

Ç’do të bëjmë tash, e dashur
Tash kur kaluam matanë dashnisë
Nuk e sheh se lodhja vdekja
Më zënë pritë në çdo hap

Ç’do të bëjmë tash, e dashur
Tash që po më murosin të gjallë

Hijet e ethshme për gjak
T’i lus me ma lanë njërin sy
Me të shikue kur ke me ardhë

Veshur në të zeza
T’i lus me ma lanë njërën dorë
Me t’i përkëdhel flokët ngjyrëgruri

Ç’do të bëjmë tash, e dashur
Tash, kur fundi po më afrohet
Si një qen i çartur
Po m’i skërmit dhëmbët

Ç’të bëjmë tash, e dashur
Të bëjmë atë që s’mund të bëhet
Të lutem
Udhë tjetër nuk ka.

Prishtinë, 15 tetor 2012

TESTAMENT

Kur të mbërrish në fund të udhës
Mos ki frikë
Nuk është fundi
Është fillimi që vjen vrik

Kur të mbërrish në fund të udhës
Bëje vdekjen
Si të duash vetë
Nëse jetën në grusht ta mbanin
Në të samës të gjithë
Tash që u bëre mbret

Kur të mbërrish në fund të udhës
I ke dalë jetës në krye
Mos e kthe më kokën mbrapa
Dheu nuk ha më arsye

Kur të mbërrish në fund të udhës
Një rrugë e re fillon
Ta dish
Që merr dritë në tjetër vis

Kur të mbërrish në fund të udhës
Ashtu i drejtë si një lis
Do të klithin do të çirren
Tash në fund mos na vdis

Kur të mbërrish në fund të udhës
Dhe të zësh vend lart në qiell
Do të shohësh atje poshtë
Bajga që avullojnë në diell

Prishtinë, më 9 mars 2011

JETË E DYTË

Jetë e dytë imja
Është një foshnjë
Që mundohet me ecë vetëm
Nga një mur te tjetri

Jetë e dytë imja
Ka shumë ledhe:
S’bën me pi këtë
S’bën me ngranë atë
Duhet me marrë sa më shumë ujë
Mos me t’u prish gjaku

Jetë e dytë imja është e rëndë
Duhet me luftue symbyllur
Me Davudët Xhuxhmaxhuxhët
Këta engjëj të tmerrshëm të vdekjes

Jetë e dytë imja
Ka katër sy katër veshë
Njëqind palë mend nuk i mjaftojnë
Me mbarue rrugën e mbetur
Kudo janë Davudët Xhuxhmaxhuxhët
Shaluar nga Beelzebubi

(Prishtinë, 12 qershor 2012-22 shkurt 2013)

You Might Also Like