Libri

“Varg e Vi” organizoi diskutimin pas leximit të dramës “Djalli i Tasmanisë”

Me shkas “Djallin e Tasmanisë”, me autor, anëtarin e Varg e Vi-së, Avni Shkodrën, që u përkthye nga gjuha shqipe në gjuhën turke, me përkrahjen e “Regional Network for Cultural Diversity”, me partneritet të Qendrës Multimedia në Prishtinë, i përkrahur nga Bashkimi Evropian, “Varg e Vi” bashkë me Klubin e Leximit në Bibliotekën Ndërajonale “Fan S. Noli” në Gjilan, zhvilluan një diskutim me lexuesit, duke ndarë reciprokisht përshtypjet, mendimet dhe kritikat e tyre, pas leximit të dramës.
Anëtarët e Klubit të Leximit, bashkë me studentë të Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe lexues të tjerë me pasion librin, shprehën qëndrimet e tyre për dramën e Shkodrës. Drama zgjoi interesim për diskutim, pasi prekte fenomenin e gjakmarrjes në kontekst edhe të një emigrimi në një shtet të largët. Lexuesit e dramës përveç që shprehën mendimet e tyre, parashtruan edhe shumë pyetje e komente në prezencë të autorit, rreth gjuhës së shkruar dramaturgjike, pamjaftueshmërisë së konfliktit dramaturgjik, versioneve të mundshme të përfundimit të librit, katarsisin, sfidat e standardit dhe dialekteve e sociolekteve të shqipes, inskenimin në teatër, kohëzgjatjen e kalimit nga një akt në aktin tjetër dramatik, metaforat e Tasmanisë, vendshtrirjen e kodit tematik, kryepersonazhin e Leutrimit, luftimin e gjakmarrjes si traditë paramoderne e parashtetërore, simbolikat e Djallit të Tasmanisë e shumë çështje të tjera të dramës.
Në përgjithësi, kishte vlerësime shumë pozitive dhe inkurajuese, duke përfshirë edhe kritikat interesante nga anëtarët e Klubit të Leximit. Në fund, autori Avni Shkodra dhe drejtori i Varg e Vi-së, falënderuan pjesëmarrësit në diskutim, pasi gjatë hapjes së aktivitetit, drejtori Fazliu e informoi audiencën për ecurinë dhe sukseset e këtij projekti dhe mbështetësit e saj. Varg e Vi pas përkthimit të dramës, promovon librin edhe në fshatin Miresh të Gjilanit, dhe më pas, vazhdon përurimi i librit të përkthyer edhe në Turqi. Në diskutim kontribuuan lexuesit: Kastriot Kurti, Alisa Bekteshi, Albnor Sejdiu, Liridonë Mehmeti, Qazim Azizi, Albana Ajvazi dhe Blerina Morina.

You Might Also Like