Kaltrrina Biqkaj, futbolliste e KFF Mitrovica është shpallur futbollistja më e mirë në Kosovë, në Gala Mbrëmjen e organizuar nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Vajza me prejardhje nga Hogoshti i Kamenicës, është përzgjedhur më e mira në një konkurrencë të fortë.
Ajo qysh e re karrierën e kishte nisur në KFF Intelektualet nga Gjilani, për të vazhduar më pas edhe në disa klube të tjera kosovare, në prova në klube të ndryshme jashtë vendit dhe tash së fundi në kampionin e Kosovës KFF Mitrovica. Kaltrina është pjesë edhe e Përfaqësueses së Kosovës në Futboll dhe një ndër golashënuesit më të spikatura.
Krenarë me Kaltrinën sidomos ndjehen bashkëvendësit e saj të cilët në faqen zyrtare të KF Kika nga Hogoshti e kanë uruar atë për këtë sukses, duke i dëshiruar suksese të tjera edhe në të ardhmen.