Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës kishte dhënë urdhër që të hapen të gjitha shkollat në nivel vendi, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur në Shkollën Fillore “Asllan Thaqi” në Karaqevë të Poshtme, në afërsi të brezit kufitar Kosovë – Serbi.
Qëndron Kastrati, kryetar i Kamenicës vazhdon të qëndrojë pranë vendimit të tij për reformën në arsim, nga i cili 15 shkolla janë transferuar gjetiu, kurse sipas Selver Lenjanit, kryetar i Bashkësisë Lokale në Karaqevë, Shkolla Fillore “Asllan Thaqi” i plotëson të gjitha kushtet për mbajtjen e procesit të arsimit.
Sipas Lenjanit, ky lokalitet ka objektin shumë të mirë, numrin e mjafturdhëm të nxxënësve e mësimdhënësve, personelin teknik, por se stafi i këtushëm është kërcënuar nga kryetari dhe Drejtoria e Arsimit se do të dënohen me 30 përqind zbritje të pagës dhe largim nga puna.
“Ne jemi në mbrojtje të shkollës shqipe. Kjo shkollë i bëri ballë të gjitha kohërave edhe atyre më të vështirave, që nga koha e Alaksandër Rankoviqit , por edhe gjatë viteve të 90, andaj i bëjmë thirrje ministres Nagavci, që të mos lejojë mbylljen e shkollës me 100 nxënës në brezin kufitar, derisa të gjitha subjekteve politike që konkurrojnë në zgjedhje ia bëjmë me dije se nuk do të lejojmë mbylljen e shkollës”, thekson Selver Lenjani.