Një nga figurat më emblematike të sportit të karatesë në Gjilan dhe në mbarë Kosovën, karateisti dhe trajneri i mirënjohur Idriz Musliu, është nderuar sot nga Komuna e Gjilanit për kontributin e tij të jashtëzakonshëm jetësor në zhvillimin e këtij sporti.
Në një ceremoni solemne të organizuar nga Komuna, kryetari Alban Hyseni i dorëzoi z. Musliu një mirënjohje të veçantë, në shenjë falënderimi për afro gjysmë shekulli përkushtim ndaj karatesë, gjatë së cilës ai ka formuar dhe udhëhequr gjenerata të tëra karateistësh, duke korrur suksese si në skenën vendore ashtu edhe në atë ndërkombëtare.
Idriz Musliu, i cili aktualisht jeton dhe vepron me familjen e tij në shtetin e Floridës në SHBA, po qëndron për disa ditë në vendlindjen e tij, ku edhe nisi rrugëtimin si sportist dhe më pas si trajner. Ai është cilësuar si një ndër legjendat e vërteta të karatesë në Kosovë, dhe themelues i shumë sukseseve të Klubeve të Karatesë “Zenel Hajdini” dhe “Drita”.
Duke pranuar mirënjohjen, Musliu u shpreh thellësisht i prekur dhe mirënjohës për këtë vlerësim:
“Janë vite të gjata me plot sakrificë, gëzime e hidhërime, por jemi krenar që për gjithë këto vite kemi kontribuar për të mirën e sportit të karatesë. Jam shumë mirënjohës kryetarit Alban Hyseni që më nderoi me këtë mirënjohje për karrierën time afro gjysmë shekulli. Po ashtu, i jam falënderues dhe i përkulem çdo karateisti që ka qenë pjesë e KK ‘Zenel Hajdini’ dhe KK ‘Drita’. Pa ndihmën dhe kontributin e tyre, nuk do të isha ku jam sot. Jam i nderuar që një jetë të tërë ia kam kushtuar sportit të karatesë,” u shpreh Musliu.
Idriz Musliu me familjën e tij, sot jeton e vepron në Florida të SHBA-së.