OPINION

Kë po e pengon zhvendosja e përmendores “Luftëtari i plagosur” nga qendra e Gjilanit?

(Drejtuar “nostalgjikëve”, “demokratëve” e “evropianëve” të ditëve moderne)

“Dhe, para së gjithash, ruhuni nga mallkimi i historisë dhe mos e harroni atë kur të jepni mendimin tuaj!” – Hasan Prishtina.

Ditët e fundit në qytetin e Gjilanit po zhvillohet një debat ndërmjet grupeve të ndryshme shoqërore mbi aktin e zhvendosjes së përmendores “Luftëtari i plagosur” dhe zëvendësimit të lokacionit të saj me shtatoren e heroit të kombit shqiptar, Idriz Seferi.

Në këtë diskutim diakronik, që mori gamë të gjerë në institucione, administratë, organizata, universitet, shkolla, restorante, kafiteri e veçanërisht në rrjete sociale të internetit, u paraqitën qëndrime kundërthënëse mbi emrin e përmendores, simbolikën e saj, vitin e inaugurimit dhe vlerat identitare, politike, kombëtare, shoqërore, historike e kulturo-artistike që ajo përfaqëson për qytetin e Gjilanit dhe rrethinës.

Ndonëse ky veprim nxiti reaksion relativ tek masa, më poshtë po paraqesim opinionin tonë pse zhvendosja, muzeumi ose heqja e përmendores “Luftëtari i plagosur” nga zemra e qytetit të Gjilanit nuk e lëndon të kaluarën e vërtetë të këtij qyteti, por e çliron atë nga mitologjia dhe mashtrimi.

I. Kronologji e shkurtër historike dhe administrative e Gjilanit nga viti 1912 deri në vitin 1999

Në tetor të vitit 1912 Gjilani u pushtua nga Mbretëria e Serbisë. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në nëntor të vitit 1912, në emër të të gjitha viseve shqiptare përfshi edhe trevën e Gjilanit, nuk u njoh nga Fuqitë e Mëdha, të cilat me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913 copëtuan Shqipërinë. Lufta për çlirim e bashkim kombëtar në trevën e Gjilanit nuk u ndal, sepse shumicën e popullsisë në këtë trevë historikisht e përbënin shqiptarët. Në nëntor të vitit 1915 Gjilani u pushtua nga Mbretëria e Bullgarisë, e cila e administroi dhunshëm këtë trevë deri në shtator të vitit 1918 kur ndodhi ripushtimi serb i saj. Sikurse nga viti 1912 dhe ndërmjet viteve 1918-1941, nën Mbretërinë Serbe-Kroate-Sllovene përkatësisht Mbretërinë e Jugosllavisë, populli shqiptar në Gjilan e rrethinë përjetoi forma të ndryshme të shtypjes ekonomike, shoqërore dhe kulturore. Qëndresë e armatosur shqiptare në krye me Lotë Vakun, dëbime, kolonizim me serbë, reformë agrare, vrasje e masakra ndaj popullit shqiptar, janë fenomenet kryesore që e kanë shoqëruar këtë trevë përgjatë këtyre viteve. Në prill të vitit 1941, me pushtimin italian dhe bullgar të kësaj treve filloi një fazë relativisht e re. Gjendja e përgjithshme e shqiptarëve në zonën bullgare të pushtimit dhe administrimit ishte e njëjtë me vitet e mëparshme, ndërsa në zonën e pushtimit italian shqiptarët përjetuan një trajtim e status shoqëror, politik, administrativ e kulturo-arsimor të avancuar dhe autonom. U hapën shkolla në gjuhën shqipe, u lejua drejtimi i institucioneve nga shqiptarët, u lejua përdorimi për herë të parë i flamurit kombëtar etj. Megjithëkëtë, qëndresa e armatosur e shqiptarëve ndaj pushtimit fashist dhe nazist në këtë trevë nuk u ndal. Xheladin Kurbaliu e Kurtesh Agushi në njërën anë dhe Mulla Idriz Gjilani, Jusuf Baftjari (Hoxhë Lipovica), Sylë Zarbinca, Sylë Kopërnica, Muharrem Fejza etj., së bashku me dhjetëra, qindra, e mijëra vullnetarë të tjerë i bënë qëndresë të armatosur pushtuesve të rinj e fazës së ripushtimit serbo-jugosllav. Mirëpo, Lëvizja Kombëtare Shqiptare në këtë trevë nuk u shua. Programet e kolonizimit, terrorit, shpërnguljes masive, dëbimit, asimilimit, vrasjeve dhe gjenocidit serbo-jugosllav në Kosovë, përfshirë edhe rrethinën e Gjilanit, nuk mundën të shfarosnin prezencën etnike autoktone shqiptare. Aneksimi i dhunshëm i Kosovës nga ana e Serbisë më 1945 ngjalli lëvizje refraktare në Kosovë. Gjilani dhe viset përreth u shndërruan në çerdhe të Lëvizjes Klandestine Kombëtare, e cila aktivizoi reaksion të ashpër tek pushteti ushtarak dhe policor serbo-jugosllav. Proceset gjyqësore ndaj anëtarëve të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare në vitet 1947, 1950, 1956, procesi gjyqësor ndaj anëtarëve të Komitetit Revolucionar për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë më 1964, pjesëmarrja e gjilanasve në demonstratat e viteve 1968 e 1981 dhe dënimet e tyre, janë prova konkrete për një lëvizje organike kombëtare shqiptare në këto vise, e cila nuk pajtohej me regjimin hegjemonist serbo-jugosllav. Politika shoviniste e Serbisë ndaj shqiptarëve vetëm sa vinte e merrte formë. Vitet 1989 e këndej për Gjilanin shënojnë edhe një periudhë mjaftë të vështirë. Dhuna dhe presioni i vazhdueshëm, largimi masiv nga puna i shqiptarëve vetëm sa e bënte këtë gjendje më të vështirë dhe nxitën popullin për t`u organizuar në luftën çlirimtare dhe inteligjencën në sensibilizimin e çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Gjilani me viset përreth dha një kontribut të çmuar në luftën për çlirimin e Kosovës. Në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zona Operative e Karadakut, e cila përfshinte Gjilanin, Kamenicën, Vitinë dhe Novobërdën provoi luftë çlirimtare, e cila e sfidoi ushtrinë dhe policinë serbo-jugosllave. Gjilani me rrethinë luftën e fundit e përjetoi mjaftë rëndë. Nga data 24 mars deri më 20 qershor 1999 u vranë e masakruan më shumë se 116 shqiptarë pa dallim moshe e gjinie. Në veçanti pësuan banorët e malësive të Marecit e Zhegovcit si dhe ata të fshatrave Llashticë, Lladovë, Malishevë, Llovcë etj. Ekonomia shoqërore dhe familjare u shkatërrua shumë, për pasojë familje të tëra mbetën pa shtëpi (1402 shtëpi të djegura). Më 15 Qershor 1999, Gjilani sikur e gjithë Kosova u çlirua nga dhuna dhe gjenocidi serbo-jugosllav. Në këtë ditë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht ata të Zonës Operative të Karadakut hynë në Gjilan, aty ku u pritën me entuziazëm nga banorë të qytetit dhe viseve përreth. Në këtë kohë në Gjilan hynë edhe ushtarët francezë të KFOR-it, të cilët po përmbushnin detyrën e tyre, për t‘i lënë më pas vendin ushtarëve amerikanë. Në Gjilanin tashmë të çliruar, po vazhdonin të largoheshin forcat serbo-jugosllave, që duke ikur bënin vrasje dhe shkatërronin shtëpi.

II. E vërteta e përmendores “Luftëtari i plagosur”

“Luftëtari i plagosur mbanë në dorë një fëmijë”, është simbolika e përmendores në qendër të qytetit të Gjilanit, e ngritur më 16 nëntor 1963, në sheshin që në atë kohë quhej “Marshali Tito”, me rastin e 19 vjetorit të “çlirimit” të Gjilanit dhe 20 vjetorit të formimit të Batalioneve të Kosovës në “Serbinë Jugore”. Pra, kjo përmendore përfaqëson “dëshmorët” e rënë në Luftën Nacionalçlirimtare dhe është ngritur me motive të një politike të re të forcimit të vëllazërimit e bashkimit të të gjithë popujve të Jugosllavisë dhe atyre të Gjilanit e rrethinës në veçanti. Rrjedhimisht, synimi i ngritjes së saj ka qenë propagandistik e ideo-politik; hedhja e hirit në sytë dhe kujtesën e popullit shqiptar për të kamufluar të vërtetën historike të tij në këtë trevë. Në të vërtetë, më 16 nëntor të vitit 1944 në Gjilan hynë forcat partizane serbo-çetnike dhe konsoliduan pushtetin ushtarak e politik sllavo-komunist për viset e Anamoravës. Në kontekst real historik, 16 nëntori i vitit 1944, për shqiptarët e Gjilanit dhe rrethinës nuk konsiderohet si ditë çlirimi, por si ditë ripushtimi e shoqëruar me persekutime, dëbime, burgosje, vrasje e masakra ndaj tyre.

Në kronologjinë e tij shqiptare, Gjilani është çliruar më 1843/44, 1881, 1912 dhe 1999.

Pse në këtë kohë (1944-1999) nuk u ngrit së paku një pllakë përkujtimore që do të simbolizonte dhunën e masakrat e forcave partizane ndaj shqiptarëve të Gjilanit e rrethinës në vitet 1944 dhe 1945? Sigurisht, e dini përgjigjen. Ju, “nostalgjikë”, “demokratë” e “evropianë” të ditëve moderne, gumëzhini se kjo përmendore përfaqëson “identitet” të qytetit të Gjilanit në arenën ndërkombëtare dhe në UNESCO. Vallë, kur u anëtarësua Republika e Kosovës në UNESCO? Me “vlera” të tilla të trashëgimisë së dhunës serbo-jugosllave ndaj shqiptarëve synoni organizatat kredibile ndërkombëtare!?

III. Idriz Seferi dhe krahasimi absurd i figurës së tij me përmendoren “Luftëtari i plagosur”

Idriz Seferi ishte prijës i Lëvizjes Kombëtare dhe strateg luftarak. U lind në një familje me vlera patriotike. Mësimet e para i mori në odën e burrave, aty ku u edukua dhe arsimua në frymën kombëtare. Që në moshën 16 vjeçare u emërua si pleqnar nga Këshilli Gjyqësor, që shërbente për pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave. Me këtë veprimtari u mor deri në fund të jetës së tij. Në moshë të re u përlesh me çetat serbe në Hogosht të Kamenicës, ku mbeti i plagosur. Në vitin 1875, gjatë një beteje në afërsi të Preshevës kundër një trupe ushtarake osmane, u plagos në kokë, nga u zu dhe u dënua me burg prej 101 vjetësh. Deri në fund të jetës së tij kishte mbajtur në kokë dy plumba e një në qafë. Si rrjedhojë e Luftës Ruse-Osmane u lirua nga burgu. Mbrojti viset shqiptare të Vranjës, Leskocit e Gjilanit nga invazioni i ushtrisë serbe më 1877/78. Ishte anëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), të cilën e ndihmoi në përpjekjet e saj për të mbrojtur viset shqiptare nga copëtimi dhe për të çliruar një varg qytetesh nga pushtimi dhe administrimi osman më 1881. Mbajti lidhje të vazhdueshme me Sulejman Vokshin, Mic Sokolin e Ali Ibër Nezën. Mori pjesë në Kryengritjen e Drenicës e të Shalës së Bajgorës më 1893 dhe në Kuvendin e Pejës (23-29 janar 1899) përkrah Haxhi Zekës e Bajram Currit. Në korrik të vitit 1907 u përball me asgjësimin e çetës komite serbe të Pasjanit në Gjilan. Luajti një rol të rëndësishëm në organizmin dhe mbarëvajtjen e Kuvendit të Ferizajt (5-23 korrik 1908). Kontribuoi në emancipimin kombëtar të arsimit dhe të shkollës shqipe si në Gjilan e rrethinë të tij. Organizoi dhe mori pjesë në disa tubime kombëtare kundër regjimit xhonturk për ç’gjë u burgos në Gjilan, por më pas u lirua. Së bashku me Isa Boletinin dhe prijës të tjerë, ishte organizatori kryesor i Kryengritjes së Vilajetit të Kosovës më 1910. Ai, me mijëra vullnetarë, esfidoi ushtrinë osmane në Grykë të Kaçanikut, më 23 prill 1910, ku për një javë e mbajti atë nën kontroll. Gjatë kësaj kryengritje udhëhoqi shqiptarët e trevave verilindore në betejat e Drenogllavës, Pozheranit, Smirës, Nikocit, Kurbalisë etj. U dënua me vdekje në mungesë nga Gjyqi Ushtarak osman. Ishte ndër prijësit kryesor të Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912 përkrah Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Bajram Currit etj. Mbajti kontakte edhe me prijës fetarë me orientim kombëtar, siç ishte Arqipeshkvi i Shkupit, Lazër Mjeda. Ndihmoi Kuvendin e Junikut (21-25 maj 1912), organizoi tubime e kuvende në rrethinën e Gjilanit dhe më gjerë. Mori pjesë në Çlirimin e Qyteteve më 1912 dhe së bashku me Isa Boletinin hartuan planin strategjik për çlirimin e Shkupit më 12 gusht 1912. Organizoi dhe udhëhoqi qëndresën e armatosur të shqiptarëve kundër depërtimin të ushtrisë serbe në tetor të vitit 1912 në vijën e kufirit Merdar-Kumanovë. Në nëntor 1912 u zu nga ushtria serbe në rrethinën e Shkupit dhe u burgos në Beograd, ndërsa u lirua në prill 1913. Kundërshtoi vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-1913) për copëtimin e Shqipërisë. Deri në vitin 1915 luftoi pushtimin e administrimin serb në Kosovë dhe pengoi procesin e emigrimit të shqiptarëve drejt Perandorisë Osmane (Turqisë). Në vitin 1916 u emërua drejtues i Komunës së Zhegrës, por gjatë një përleshje të armatosur me forcat bullgare u kap dhe u burgos deri më 1918. Kundërshtoi vendimet e Konferencës së Paqes së Versajës (1919-1920) për shqiptarët. Vdiq në Zhegër, ku edhe u varros.

Vallë, a mos ju pengon juve, “nostalgjikë”, “demokratë” dhe “evropianë” të ditëve moderne lufta çlirimtare kombëtare që Idriz Seferi ka organizuar dhe zhvilluar kundër pushtuesve osmanë, serbë e bullgarë?

Idriz Seferit meriton t’i ngriten shtatore e buste jo vetëm në Gjilan, por në Prishtinë, Shkup, Tiranë, Vlorë e kudo që jetojnë shqiptarët.

Ku ishit ju, “nostalgjikë”, “demokratë” e “evropianë”, kur nga qendra e Gjilanit u hoqën përmendoret (“spomenikët”) e mizorëve të shqiptarëve, mbretërve e princërve serbë Petri I Karagjorgjeviq dhe Llazar Hrebeljanoviq, më 1963 përkatësisht 1999? Mos, mbase, sipas logjikës tuaj të preventivës së monumenteve duhet të rikthehen me peticione, protesta e reagime edhe shtatoret e tyre në emër të “demokracisë” e “multietnicitetit”?

Ku ishit ju kur më 20 janar 2013 forca të shumta të policisë e xhandarmërisë serbe larguan nga Presheva lapidarin e UÇPMB-së? Pse ju, në emër të “demokracisë dhe vlerave evropiane”, nuk reaguat së paku me një peticion në Gjilan drejtuar Brukselit e Nju Jorkut? Ai lapidar përfaqësonte vlera kombëtare të një populli të robëruar e të shtypur. Për dijeninë tuaj, Presheva është trevë historike iliro-shqiptare dhe e tillë do të mbetet.

Na thoni, po ashtu, ku ishit ju kur u bë zhvendosja e lapidarit të Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës në një distancë 20 metërshe nga vendi ku lapidari i tyre ishte inauguruar në vitin 2004 dhe u zhvendos këtë vit? Tregoni, ishte apo nuk ishte ky një veprim i duhur?

Prandaj krahasimet mbi peshën specifike dhe historike të heroit kombëtar, Idriz Seferi, dhe përmendores “Luftëtari i plagosur” janë absurde teorike-diakronike, historike e antikombëtare.

IV. Vrasjet në emër të përmendores “Luftëtari i plagosur” ndaj popullit shqiptar në Gjilan e rrethinë

Më 16 nëntor 1963, ditën kur kjo përmendore po inaugurohej në qytetin e Gjilanit, gjendja e popullit shqiptarë ishte fare e rëndë. Ata po vuanin akoma pasojat e Masakrës së Gjilanit, persekutimeve, vuajtjeve, burgosjeve e likuidimeve me e pa gjyq, që pushteti serbo-jugosllav po ushtronte ndaj tyre prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Dhjetëra e qindra familje u detyruan të lëshonin shtëpitë e vatrat e tyre shekullore dhe të emigronin në Turqi, Shqipëri e gjetiu. Një pjesë e tyre, për shkak të politikës antishqiptare që ndiqte regjimi i kohës, u shtrënguan të humbnin edhe karakteristikat e identitetin kombëtar. Meqenëse kjo përmendore përfaqësonte politikën e vëllazërimit dhe bashkimit të popullsisë të të gjitha kombeve dhe etnive në Gjilan, njëkohësisht ishte edhe simbol frymëzimi i pushtetit serbo-jugosllav për persekutimin, burgosjen e likuidimin e shqiptarëve heronj si Mulla Idriz Gjilani, Esat Berisha, Xheladin Kurbaliu, Jusuf Baftjari (Hoxhë Lipovica), Sylë Zarbinca, Muharrem Fejza, Shefki Desivojca, Feriz Lashtica, Halim Orana, Hasan Alia – Remniku, Haki Sermaxhaj, Agush Haziri, Ramiz Cernica, Vehbi Ibrahimi, Metush Krasniqi, Rexhep Elmazi, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Zija Shemsiu, Reshat Ymeri, Agim Rashiti, Agim Ramadani, Abdullah Tahiri, dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, martirët e luftës së fundit dhe dhjetëra e qindra shqiptarë të kësaj treve.

E kujtoni ju Masakrën e Gjilanit, Masakrën e Tivarit, Aksionet e Mbledhjes së Armëve, burgosjet, dhunën fizike e psikologjike, helmimet, dëbimet me dhunë e forma të tjera të shtypjes e gjenocidit që janë ushtruar ndaj shqiptarëve të Gjilanit nga pushteti serbo-jugosllav ndërmjet viteve 1944-1999?

Vallë, ju çoni pluhur për këtë përmendore që edhe në emër të simbolikës e propagandës së saj u persekutuan, u burgosën, u dëbuan, u vranë dhe u masakruan shqiptarët?

Druajmë se kjo përmendore ju frymëzon më shumë se sa lapidari e varret e heronjve, dëshmorëve, martirëve e të rënëve shqiptarë që ndodhen e prehen të qetë në “Kodrën e Dëshmorëve” në Gjilan!? Kur i keni vizituar për herë të fundit dhe kur keni bërë homazhe e vënë kurora lulesh? Ndjesi më të rëndë për familjet e tyre dhe shqiptarët e vërtetë nuk mund të ketë përderisa ju ia ngacmoni plagët, duke i bërë gardianin përmendores së dhunshme dhe rrjedhimisht duke tentuar t’i denigroni vlerat e mirëfillta kombëtare shqiptare.

Është zhgënjyese, tragjike e absurde për një shqiptar të vërtetë të mbrojë rrënjët dhe themelin e kësaj përmendoreje.

V. Përfundimi ynë

Për sa më sipër, ndonëse në kohë të prolonguar, kërkojmë nga subjektet dhe organet qeverisëse të Komunës së Gjilanit (Kryetari dhe Asambleja Komunale) të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zhvendosjen e kësaj përmendoreje nga zemra e qytetit të Gjilanit dhe në vend të saj të vendoset shtatorja e heroit kombëtar shqiptar, Idriz Seferi. Në vlerësimin tonë, përmendorja “Luftëtari i plagosur” më së paku meriton të qëndrojë në hapësira publike të qytetit të Gjilanit. Dhe, nëse bëhet zhvendosja e saj në ndonjë kënd të qytetit, për ne është e obligueshme t’i shoqërohet një pllakë sqaruese mbi datën e inaugurimit, simbolikën dhe karakterin e saj të vërtetë e antishqiptar. Ne sugjerojmë që kjo përmendore të ruhet në Muzeun e Gjilanit, sepse në këtë mënyrë shënon një statisfaksion për të kaluarën historike të popullit shqiptar në këtë trevë. Kësisoj, sipas qëndrimit të “nostalgjikëve”, “demokratëve” e “evropianëve” të kohës moderne do të mësohej drejtë e kaluara historike e popullit shqiptar në këtë trevë.

Për fund, historia nuk mësohet vetëm përmes monumenteve, por edhe përmes arkivave, muzeve, bibliotekave, librarive, revistave, gazetave, memoareve etj. Dhe ju, “nostalgjikë”, “demokratë” e “evropianë” të kohëve moderne, mos pandehni që nuk e njihni historinë elementare të popullit shqiptar. Atë e keni shfletuar e mësuar nëpër shkolla fillore e të mesme. Mjafton të keni vullnet dhe dëshirë për të lexuar e mësuar më gjerësisht. Bibliotekat e libraritë ua japin këtë mundësi menjëherë, por leximin e drejtë duhet ta bëni vet.

“Dhe, para së gjithash, ruhuni nga mallkimi i historisë dhe mos e harroni atë kur të jepni mendimin tuaj!”, porosiste atdhetari i shquar shqiptar, Hasan Prishtina.

Gjilan, 9 nëntor 2017

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Gjilan

You Might Also Like