Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” në Prishtinë së bashku me Kryesinë e degës së saj në Gjilan zyrtarisht kërkojnë nga kryetari i komunës së Gjilanit që të angazhohet për ngritjen e një shtatore të heroit të kombit, Idriz Seferi, në Qendër të qytetit të Gjilanit.
Në arysteimin që është nënshkruar nga prof. dr. Fehmi Rexhepi, kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” – Prishtinë dhe ma. Blerim Haziri, kryetar i kësaj dege në Gjilan, është thënë se Gjilani dhe rrethina e tij në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare zënë një vend mjaft të rëndësishëm. Ky territor verilindor i viseve shqiptare ka qenë pjesë e pandashme dhe rrugëkalim i përpjekjeve dhe lëvizjeve për të drejta dhe pavarësi kombëtare, që në çdo kohë ka qëndruar në ballë të detyrës kombëtare, duke i dhënë atdheut bijë dhe bija që vunë zemrat e tyre në altarin e lirisë. Njëri ndër udhëheqësit kryesor që organizoi luftën e popullit për çlirimin dhe mbrojtjen e viseve shqiptare nga pushtuesit osmanë, serbë, bullgarë etj., dhe bashkimin e viseve shqiptare në një shtet kombëtar, ishte kryetrimi dhe tribuni popullor i kësaj ane, Idriz Seferi.
Idriz Seferi u lind në vitin 1847 në një familje me vlera kombëtare. Meqë mungonin shkollat në gjuhën shqipe si pasojë e sunduesit të kohës, mësimet e para i bëri në odën e burrave dhe aty u kalit në frymën kombëtare. Që në moshë të re ai u përball me aktivitetin e çetave serbe e bullgare, ndaj qëllimeve të të cilave nuk mund të pajtohej në asnjë mënyrë. Kundërshtoi dhe luftoi autoritetet lokale osmane dhe u tregua mjaft aktiv në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Lidhjes Shqiptare të Pejës. Idriz Seferi në korrik të vitit 1907 mori pjesë në asgjësimin e çetës komite serbe të Pasjanit. Ai luajti një rol të rëndësishëm në organizmin dhe mbarëvajtjen e Kuvendit të Ferizajt gjatë korrikut të vitit 1908, i cili rezultoi me ngadhënjimin e Revolucionit Xhonturk. Pas këtij Revolucioni, Idriz Seferi dha ndihmesë të çmuar në emancipimin kombëtar të arsimit dhe shkollës shqipe si në Gjilan e rrethinë të tij, dhe kudo në vise të tjera të Vilajetit të Kosovës.
Politika demagogjike, obskurantiste dhe reaksionare xhonturke, në kauzalitetin e situatës dhe rrethanave nëpër të cilat po kalonin shqiptarët, diktonte në esencë nevojën e autonomisë territoriale dhe administrative të Shqipërisë. Ky program u proklamua jo si doktrinë e vetme e platformës së Rilindjes, por si komponentë e përkohshme dhe e hartuar në simetri me aktualitetin e përgjithshëm shqiptar, ballkanik e më gjerë. Për realizimin e kësaj platforme politike kombëtare, Idriz Seferi jo rastësisht u gjend në krye të udhëheqjes popullore në kryengritjet kundërosmane të viteve 1910 dhe 1912. Në Luftën e Parë Ballkanike, së bashku me vullnetarët e tij, Idriz Seferi luftoi heroikisht në mbrojtje të të atdheut. Pas Pavarësisë së Shqipërisë në kufij të cunguar, ndonëse ishte në moshë të shtyrë, ai nuk pushoi së rezistuari e luftuari pushtuesit serbë e bullgarë. Në ditët e fundit të jetës, Idriz Seferi do të shprehej: “Nuk paska ma vështirë për burrin se sa me vdekë në shtëpi”. Kështu, drejtuesi dhe strategu i kryengritjeve për liri dhe pavarësi kombëtare, ndërroi jetë në moshën 80 vjeçare, në mars të vitit 1927, në fshatin Zhegër, ku edhe u varros.
I nderuar Z. Kryetar,
Për sa u tha më sipër, figurat kryesore të kombit si Hasan Prishtina, Bajram Curri e Isa Boletini, me të cilat Idriz Seferi punoi dhe veproi vazhdimisht, tashmë kanë shtatoret e tyre jo vetëm në qytete të Kosovës, por edhe të Shqipërisë. Vlerësojmë se edhe Idriz Seferi është i pandashëm nga rruga e tyre dhe krahas meriton t’i ngrihet një shtatore në Qendër të qytetit të Gjilanit. Prandaj, kërkojmë nga ju të ndërmerrni të gjitha veprimet e duhura që kërkesa jonë profesionale dhe kombëtare të realizohet praktikisht, për ç’gjë jemi të gatshëm të bashkëpunojmë në çdo kohë.