Në prag të ndeshjes FC Drita – FC Differdange 03, që luhet sonte më 08 korrik 2025 në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë në kuadër të Europa Champions League, gazeta kryelajmi.com, ju sjell të gjitha ndeshjet e FC Drita në garat evropiane.
Shkruan: Enver Sadiku
Viti 2018
Skuadra bardh e kaltër nga Gjilani, ndeshjen e parë në kuadër të grupit preliminar në Champions League e kishte zhvilluar më 26.06.2018 ndaj kampionit të Andorës, Santa Coloma, në Gjilbratar, ku koha e rregullt e ndeshjes kishte përfunduar me rezultat 0:0.
Në vazhdime golin e parë e parë e pati shënuar Xhevdet Shabani në minutën 99, kur me një gjuajtje nga largësia kishte qëlluar këndin e epërm të majtë të portës së ekipit kundërshtar. Në minutën 107 ishte akorduar penalti për Dritën, të cilën e pati realizuar Fidan Gërbeshi.
Edhe në ndeshjen e dytë, të zhvilluar në Gjilbratar, FC Drita pati fituar në vazhdime ndaj ekipit Lincoln Red Imps, me rezultat 4:1. Kjo ndeshje është zhvilluar më 29 qershor 2018. Drita pati shënuar shumë herët, që në minutën e dytë, kur pas harkimit nga Xh. Shabani nga gjuajtja nga këndi, Liridon Leci ka shënuar me kokë. Edhe ekipi gjilanas pësoi nga gjuajtja nga këndi, ku pas një harkimi nga këndi, Petro Corral nga afërsia pati shënuar me kokë.
Vazhdimet patën nisur keq për Dritën, ngase Fidan Gërbeshi ishte ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë dhe është larguar nga loja. Mirëpo, përkundër kësaj, në minutën e fundit të shtesës së parë, pas një kundërsulmi të shpejtë Bernardo Lopes, ndali topin me dorë që po futej në rrjetë, andaj gjyqtari shumë i mirë e ndëshkoi me karton të kuq dhe dha penalti për Dritën. I pagabueshëm nga pika e bardhë ishte Liridon Leci, që dërgoi portierin në të majtë e topin në anën e djathtë. Në minutën e fundit të ndeshjes, Drita ka shënuar edhe njëherë, kur Livoreka iku nga e majta, gjuajti e portieri vendas mbrojti, por topi sërish erdhi te Livoreka, i cili tashti shërbeu Xhevdet Shabanin, që me urti e futi topin në rrjetë. Ndeshja u mbyll me një gol mjeshtëror të Haxhi Nezirajt, i cili paraboli portierin nga Gjilbratari dhe vendosi rezultatin përfundimtar Lincoln Red Imps – Drita 1:4.
Drita si fituese e mini-turneut preliminar fitoi të drejtën që të luaj në xhiron e parë ndaj ekipit Malme të Suedisë, ndaj të cilit humbi në dy ndeshje.
Në ndeshjen e parë, të zhvilluar më 10 korrik 2018 në Prishtinë, Drita ka pësuar humbje 3:0. Malmo kreu punën që në pjesën e parë, ku realizoi dy gola Carlos Strandberg dhe Arnor Traustason. Në pjesën e dytë golin e gjeti edhe Markus Rosenberg, duke e vulosur rezultatin final 3:0.
Në ndeshjen e dytë të zhvilluar më 17 korrik në Malmo, Drita ka pësuar 0:2. Ekipi bardh e kaltër fillimisht u ndëshkua në minutën 55, kur për ekipin suedez ka shënuar Carlos Strandberg e vendasit kanë shënuar për herë të dytë edhe në minutën 60 nëpërmjet Eric Larsson.
Pas largimit nga Europa Champions League, Drita ka luajtur në Europa League ndaj ekipit F91 Dudelange nga Luksemburgu. Më 26 korrik 2018 në Luksemburg. David Turpel realizoi nga penaltia të cilën e shkaktoi Endrit Krasniqi. Paraprakisht futbollisti Nicolas Perez barazoi rezultatin në minutën e 66-të, pasi gjilanasit po avanconin me golin e Xhevdet Shabanit të realizuar në minutat shtesë të pjesës së parë.
Në ndeshjen e kthimit Drita barazoi për eliminim. Në ndeshjen e zhvilluar në Mitrovicë, me 2 gusht 2018, Xhevdet Shabani dha një gjuajtje dënimi, Leci zgjati topin me kokë për kapitenin Limani, i cili nga afërsi me kokë e futi topin në rrjetë. Drita pati edhe raste të tjera të mira, por nuk realizoi më. Në pjesëlojën e dytë mysafirët ishin shumë më të mirë. Që në sekondën e njëzet ia dolën të barazojnë rezultatin 1:1 për kualifikimin tutje të ekipit nga Luksemburgu.
Viti 2020
Në kohë pandemie, Drita sërish kishte luajtur në kualifikimet për Champions League dhe pas shumë shtyrjeve kishte mundur ekipin Inter Club d’Esclades me rezultat 2:1, por e humbi pa luajtur fare ndeshjen ndaj ekipit Linfield, shkaku se lojtarët e Dritës dolën me coronavirus. Mirëpo Drita vazhdoi garat në Uefa League, ku më 17 shtator 2020 janë ndeshur në Shkup me Sileksin e Kratovës dhe kanë fituar me rezultat 2:0. Goli i parë është shënuar nga penaltia, pasi që më herët në brendi të zonës është rrëzuar Namani. Dënimin më të rëndë në futboll e dha Fidan Gërbeshi, që dërgoi portierin në njërën anë e topin në anën tjetër. Pas një asistimi të Hamdi Namanit, Ardian Limani ka shënuar në minutën 80 për të vulosur fatin e këtij takimi. 2:0.
Në xhiron tjetër Drita u ndesh me ekipin Legia nga Varshava më 24 shtator në Poloni. Drita humbi me rezultat 2:0. Goli i parë për vendasit erdhi në minutën 24, kur pas një harkimi nga e majta, lojtari polak Wszole gjuajti me kokë dhe topi që u përplas për tokë përfundoi në këndin e djathtë të epërm të portierit Maloku. Pekhart ka shënuar në minutën 42, pas një harkimi nga e majta ku qendërsulmuesi i ekipit polak gjuajti me kokë.
Viti 2021
Në vitin 2021, Drita luajti në Europa Conference League dhe në ndeshjen e parë u ballafaqua me ekipin nga Tuzi, Deçiq. Në ndeshjen e parë të zhvilluar më 8 shtator 2021 në “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Drita ngadhënjeu me rezultat 2:1. Në minutën e tretë erdhi një dush i ftohtë për Dritën, ku pas një dëbimi nga shtylla, Ilir Camaj ka shënuar për 0:1. Në minutën 10, pas një aksioni Drita ia ka dalë të barazojë në 1:1 nëpërmjet Almir Ajzerajt, kurse rezultati përfundimtar u arrit në minutën 78, kur Muja, lojtari më i mirë i ndeshjes, bukur futet në brendi, gjen Simonovskin e ky mbi trupin e Popoviqit e futi topin në rrjetë.
Në ndeshjen e dytë, të zhvilluar më 15 shtator 2021, Ardian Cuculi e ka shënuar golin e vetëm në sfidën e cila u mbyll me rezultat 0:1 në favor të gjilanasve.
Në xhiron e ardhshme, Drita në Prishtinë u përball me Feynoordin e famshëm dhe në ndeshjen e parë të zhvilluar në Prishtinë luajti baras 0:0, derisa në ndeshjen e kthimit në Roterdam për pak sa nuk bëri befasinë më të madhe, ngase u eliminua tek në minutën e fundit, kur u mposht me rezultat 2:3, duke bërë njërën ndër ndeshjet më të mirë në historinë e saj.
Viti 2022
Më 6 korrik 2022 në qytetin Turku të Finlandës Drita u përball me ekipin Inter Turku. Një pakujdesi në mbrojtje i ka kushtuar ekipit të Dritës me humbje në ndeshjen e Europa Conference League që e ka zhvilluar ndaj ekipit finlandez.
Pas një ndeshje të baraspeshuar në pjesëlojën e parë, FC Drita ishte shumë më e mirë në pjesën e dytë dhe po kontrollonte ndeshjen, por një pakujdesi në mbrojtje u ka kushtuar shumë atyre. Pas një topi të gjatë në anën e djathtë, mbrojtësi i Dritës Ilir Blakqori në vend që të qëllojë topin, e qëlloi sulmuesin e krahut të Inter Turkut dhe gjyqtari nga Çekia pos që dha goditje dënimi për ekipin vendas, Blakqorin e ndëshkoi me karton të verdhë, që ishte i dyti për të. Nga goditja e dënimit u harkua në brendi dhe pas goditjes së parë, portieri Faton Maloku ia doli që të prit topin, por shkurtazi deri te sulmuesi shtatlartë Jussi Niska që me kokë shënoi për epërsinë e vendasve për rezultatin 1:0.
Drita, ndonëse me dhjetë lojtarë në fushë u mundua që të barazojë rezultatin, por pa ia dalë që të shënojë deri në fund.
Në ndeshjen e luajtur më 12 korrik në Prishtinë, Drita e dërmoi ekipin kundërshtar. Me të filluar ndeshja Drita ka arritur të shënojë me anë të Marko Simonovskit që në minutën e dytë për 1-0. Sapo ka nisur pjesa e dytë, Arbnor Muja ka arritur të dyfishojë rezultatin, duke shënuar pas dy tentimeve për 2-0.
Në minutën e 51-të, Drita mbylli dilemën e fituesit, kur Baftiu asistoi te Muja, i cili me qetësi shënoi për 3-0. Dritën në ndeshjen e radhës më 21 korrik 2022 e priste Antwerpi i famshëm.
Skuadra gjilanase ka arritur të sigurojë një barazim pa gola, 0-0. Ekipi i Ardian Nuhiut zhvilloi ndeshje të kujdesshme që nga fillimi, duke u fokusuar në mbrojtje. Bardhë kaltrit tentuan disa herë nga kundërsulmet, por nuk arritën të krijonin ndonjë rast ideal shënimi.
Ky rezultat pozitiv padyshim se e motivoi edhe më shumë skuadrën gjilanase dhe tifozët e flaktë të tyre para ndeshjes së kthimit, e cila u zhvillua një javë më pas më 28 korrik 2022 në Stadiumin „Fadil Vokrri“ në Prishtinë.
Përkundër lojës së mirë të treguar, si në ndeshjen e parë, ashtu edhe në ndeshjen e dytë, gjilanasit nuk kanë arritur të tundin rrjetën e belgëve, ndërsa me golat e pësuar në pjesë të dytë u eliminuan me rezultat të përgjithshëm, 0-2 me golat që i kishin shënuar Laurit Krasniqi 52 dhe Michel Balikwisha 90+8.
Viti 2023
Më 27.07. 2023, FC Drita ka arritur një barazim të madh 0-0 në udhëtim te Viktoria Plzen në kuadër të ndeshjes së raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Klubi gjilanas është paraqitur mirë dhe është mbajtur për plot 90 minuta në ndeshjen e parë të raundit të dytë të zhvilluar në stadiumin “Doosan Arena” të Plzenit.Gjilanasit në pjesën e parë treguan një lojë të fortë dhe agresive në mbrojtje, megjithatë vendasit ishin skuadër më kërkuese dhe patën dy raste të mira shënimi, por ishte portieri Florian Smakiqi që mohoi golin dhe ekipet shkuan në pushim me rezultat të barabartë 0-0.
Në pjesën e dytë, Plzeni pati disa raste interesante për gol dhe vlen të theksohet ai i minutës së 80-të, kur Jhon Mosquera goditi traversën nga një gjuajte afër penalltisë.
Deri në fund të ndeshjes, Drita arriti të mbrohet mirë dhe të marr një barazim të madh 0-0 para ndeshjes kthyese në Prishtinë.
Ndeshja kthyese u zhvillua në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtin 137 më 3 gusht.2023 dhe përderisa afro 10 mijë tifozë krijonin një atmosferë impozante, dy skuadrat për më shumë se 15 minuta lojë nuk arritën të krijonin ndonjë rast serioz.
I pari që rrezikoi ishte mesfushori Muharrem Jashari, ai që gjuajti pranë pingules në minutën e 26-të prej rreth 15 metrave. Në minutën e 38-të, Blend Baftiu lëshoi një goditje të fuqishme, por që u bllokua nga mbrojta kundërshtare.
Pjesa e dytë ishte edhe më drithëruese, me dy skuadrat që shënuan nga një gol. Në fakt, në pjesën e dytë kishte ndërprerje, shkaku i një reflektori që ndalej.
Plzen shënoi nëpërmjet Rafiu Durosinmi në minutën e 76-të, por Drita nuk u dorëzua deri në fund dhe ia doli të shënonte golin e barazimit (1-1) me anë të Benik Krasniqi në minutën e dytë të shtesës me një asistim të Raddy Ovouka.
Kur u mendua se ndeshja po shkonte në vazhdime, golashënuesi i Dritës, Krasniqi u përjashtua me karton të kuq në minutën e 90+19-të, duke shkaktuar edhe penalti të cilën në gol e konvertoi Erik Jirka (90+23′) për rezultatin 2-1.
Viti 2024
Më 25.07.2024, në kuadër të Conference League, FC Drita ka fituar ndeshjen e parë si mysafir ndaj Breidablik me rezultat 2-1 në fazën e dytë eliminatore të Ligës së Konferencës.
Ndeshja nisi shumë mirë për Dritën që arriti epërsinë që në minutën e tretë, kur pas një aksioni fantastik Arb Manaj gjeti rrjetën pas asistimit të Albert Dabiqajt për 1-0.
Drita vazhdoi me lojë të mirë dhe arriti të gjejë sërish golin pas 20 minutash, me Dabiqajn që asistoi te Veton Tusha, i cili marshoi drejt portës kundërshtare dhe dërgon topin në rrjetë për 2-0.
Në minutën fundi vendasit kishin një rast shumë të mirë, por që Faton Maloku bëri pritje të madhe.
Drita në pjesën e dytë u kthye paksa prapa, duke ditur epërsinë që kishte nga pjesa e parë. Kjo i kushtoi paksa Dritës, pasi edhe pse kishte rast të shënonte në minutën e 71-të, nga një kundërsulm pësuan gol, me Isak Thorvaldsson që gjeti rrjetën për 2-1. Në këtë ndeshje, Besnik Krasniqi u largua nga loja pas dy kartonëve të verdhë, ndërsa deri në fund skuadra arriti ta ruajë epërsinë dhe ta marr fitoren e rëndësishme.
Në ndeshjen e kthimit që u zhvillua në Stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë ndaj Breidablik, FC Drita ka fituar me rezultat 1:0.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, me bardhekaltërit që patën iniciativën gjatë 45 minutave të para. Irlandezët kanë rrezikuar me goditje nga distanca në dy raste, duke kërcënuar portën e Faton Malokut.
Pjesa e dytë i takoj e gjitha Dritës, ku pas një aksioni fenomenal të ndërtuar nga Zylfiu, shënoj Kastriot Selmani për epërsiën e skuadrës së tij.
Nw xhiron e tretë më 8 gushte 2024, Drita ka luajtur si mysafir i Audas në Letoni, ku pësoi me rezultat 1-0.
Bruno Tavares hapi ndeshjen në minutën e 9-të me një gjuajtje të saktë nga goditja e dënimit për të shënuar për 1-0.
Pas golit të pranuar, Drita filloi të luajë më e organizuar, por nuk arritën të rrezikojnë dukshëm portën e portierit Krisjanis Zviedris.
Në pjesën e dytë Drita ishte shumë më serioze dhe rrezikoi më shumë portën e vendasve, por pa arritur të shënojë. Vendasit ishin të kënaqur epërsinë e krijuar dhe rrezikonin me kundërsulme.
Ndeshja kthyese u zhvillua pas një jave në Stadiumin “Fadik Vokrri”. Mysafirët që në minutën e tretë mbetën pa lojtarin e tyre Hrvoj, i cili pati një përplasje me Ovoukan u desh që të lëshojë lojën.
Drita rastin më të mirë e pati pas gjysmë ore lojë, kur Ovouka shpërtheu nga e majta dhe në vend që të harkojë në brendi gjuajti në portë, por që portieri mysafirë gjuajtjen e tij e priti me grushte.
Krejt në fund të pjesës së parë, Drita ka mundur të shënojë, por në dy raste sulmuesit e Dritës Tusha dhe Dabiqaj gjuajtën në portierin Zviedris.
Në pjesëlojën e dytë në minutën 59 pas një harkimi nga këndi dhe daljes së portierit Maloku, mysafirët huqën në portën e zbraztë nga afërsia. Në minutën 68, pas një harkimi të Blerim Krasniqit nga e majta, Besnik Krasniqi me kokë për pak gjuajti jashtë porte. Pas dy minutave i njëjti tentoi me gjuajtje nga largësia, por topi shkoi mbi portë.
Në minutën 73, Ovuoka e vodhi një top nga Traore e ky nga prapa e rrëzoi dhe gjyqtari dha penalti. Nga pika e bardhë gjuajti Besnik Krasniqi, i cili gjuajti në anën e djathë dhe topi ishte shumë i fortë, të cilin nuk mundi t’a ndalë portieri mysafir që e hetoi anën, por nuk mundi t’a ndalë topin dhe Drita udhëhoqi 1:0.
Ndonëse u luajtën nëntë minuta shtesë, shënime nuk pati, andaj kjo ndeshje u desh që të shkojë në shtesë.
Që në minutën e parë të shtesave, pas një gabimi të Ovouka, topi erdhi deri te këmbëshpejti Mortalla, i cili i vetmuar para portierit Maloku shënoi përtokë për të barazuar rezultatin 1:1.
Drita ia ka dalë që të vije në epërsi në minutën 101, kur Besnik Krasniqi ka dhënë një gjuajtje dënimi, topi ka ardhur deri te Blerim Krasniqi, i cili zgjati topin me kokë deri në brendi ku nga afërsia atë e ka futur në rrjetë Rron Broja për 2:1.
Në minutën 110 shumë lehtë kanë mundur të shënojnë Blerim Krasniqi dhe Zylfiu, por në rastin e parë priti portieri mysafir e në të dytin topi y përplas për shtylle.
Por, në minutën 115, pas një harkimi të Besnik Krasniqit nga e djathta ishte Albert Dabiqaj që për mrekulli qëlloi topin me kokë, duke dërguar në këndin e epërm të djathtë të portirit të Auda për rezultatin 3:1, i cili e dërgoi ekipin bardh e kaltër në xhiron tjetër ndaj Legias së Varshavës.
Më 22 gusht 2024, në ndeshjen e parë të Play Off-it të Ligës së Konferencës, Drita në Varshavë u mposht 2-0 nga Legia e Varshavës, që këtë ndeshje e nisi si favorite.
Pas një filimi relativisht të mirë, Dritës iu bë edhe më e vështirë ndeshja nga minuta e 30’, kur mbrojtësi Hasan Gomda, i ardhur këtë verë, u ndëshkua me karton të kuq.
Megjithatë, përkunder inferioritetit numerik ndaj një kundërshtari tejet të fortë, Drita u tregua e disiplinuar në mbrojtje dhe tregoi një paraqitje të pjekur, pavarësisht humbjes në fund.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, e golin e parë polakët e gjetën në minutën e 56’, kur slloveni Blaz Kramer shënoi me kokë për 1-0. Më vonë, erdhi edhe goli i dytë. Spanjolli Marc Gual shënoi në minutën e 83’ për përfundimtaren 2-0.
Kujtojmë që kjo është hera e parë që skuadra gjilanase arrin Play Off-in e Ligës së Konferencës, gjë që nga skuadrat kosovare deri tash e kishte arritur vetëm Ballkani.
Ndeshja kthyese u luajt më 29 gusht 2024 në Prishtinë, ku në një atmosferë të mirë të krijuar nga “Intelektualët” në “Fadil Vokrri”, Drita u mposht 0-1 nga Legia e Varshavës, për t’u eliminuar kështu nga Play Off-i i Ligës së Konferencës.
Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll pa gola, me mysafirët me përvojë që nuk e lejonin Dritën të ishte e rrezikshme.
Në pjesën e dytë, Dritës nuk i bënë punë as zëvendësimet sulmuese. Ndonëse e dominoi bindshëm posedimin e topit, raste për rrezik nuk pati shumë, me polakët tejet të disiplinuar në mbrojtje.
Gjërat Dritës iu komplikuan edhe më shumë në minutën e 77’, kur kapiteni Rron Broja u përjashtua nga loja. Mesfushori mitrovicas mori dy kartonë të verdhë.
Përveç që nuk e gjeti dot rrjetën, Drita krejt në fund të ndeshjes pranoi gol. Tomas Pekhart i polakëve e gjeti rrjetën në minutën e 90+2’ dhe kështu ndeshja u mbyll 0-1.
Bilanci i Dritës në garat evropiane është si në vijim:
UEFA CHAMPIONES LEAGUE: 6 ndeshje, 3 fitore, asnjë barazim, 3 humbje – 8 gola të shënuar, 9 të prabuar.
UEFA EUROPA LEAGUE: 4 ndeshje, 1 fitore, 1 barazim, 2 humbje – 4 gola të shënuar, 5 të pranuar
UEFA EUROPA CONFERENCE LEAGUE: 10 ndeshje, 3 fitore, 3 barazime, 4 humbje, 9 gola të shënuar, 9 gola të pranuar.
GJITHËSEJ LOJË NË EVROPË: 20 ndeshje, 7 fitore, 4 barazime, 9 humbje – 21 gola të shënuar, 23 të pranuar.
Viti 2025
FC Drita këtë vit do të luaj në kualifikimet për Champions Legue dhe sot, më 8 korrik 2025 ndeshjen e parë do t’a zhvillojë ndaj kundërshtarit nga Luksemburgu FC Differdange 03. Ndeshja e kthimit do të luhet në Luksemburg.
Kryelajmi.com