OPINION

KF Bashkimi klub futbolli që frymonte shqip

Shkruan Jakup Berisha, ish-futbollist

 Populli shqiptar, i ndarë padrejtësisht, më tepër se secili komb tjetër kishte përjetuar dhunën e pushtuesve që zëvendësoheshin njëri pas tjetrit. Edhe në kushte okupimi dhe jete tejet të rëndë, loja me top prore rreth veti kishte mbledhur të rinj, të cilët kishin dëshirë e vullnet të organizoheshin nëpër klube sportive, por që me gjithë përpjekjet në kohën e ish- Mbretërisë Jugosllave, në Gjilan nuk pati ndonjë klub sporti me emër shqip.

Periudha gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Gjilan sjell një klub të ri, me një emër shumë simbolik KF Bashkimi, i themeluar në gusht të vitit 1941, klub në të cilin u kyçën të rinj shqiptarë. Ëndrrat e gjeneratave të shumta u realizuan pikërisht në verën e vitit 1941, kur intelektualë shqiptarë të kohës ishin nismëtar për themelimin e këtij klubi.

KF Bashkimi nisi të frymonte shqip, edhe fanellat kishin ngjyrat  e Flamurit Kombëtar, kuq dhe zi, kurse ndeshjet ky klub i zhvillonte në qytet shqiptare që i ishin kthyer shtetit amë, në Gjilan, në Ferizaj, në Prishtinë, në Prizren, në Pejë e në Gjakovë.

Në këtë kohë, që ishte edhe gjendje lufte, KF Bashkimi me sukses ka garuar dhe ka arritur rezultate të dukshme. Ngjyrat e KF Bashkimi, që nga ditët e para i mbrojtën lojtarët si: Esat Berisha, Kurtesh Sylejmani, Esat Ali Qaushi, Nijazi Shabani, Galip Gjinolli – Begi, Ismajl Ademi, Milto Likoka, lojtar nga Shqipëria, Veli Rexhepi, Beqir Rexhepi, Tasin Zija, Halim Orana, Durmish Mekifali, Alush Rexhepi, Rexhep Ahmeti – Reqki, Selim Presheva, Sabri Mehmeti, Babush Tali, dr. Nijazi Halimi, Nijazi Yzeiri Koretinka, Raif Berisha (Abdullah Krashnica – Presheva, Hasan Kryeziu, Kadrush Neziri e lojtarë të tjerë), kurse klubi kishte edhe këshillin drejtues.

Këto shënime u siguruan nga deklaratat e personave të cilët edhe vetë kishin qenë protagonistë të asaj periudhe, që edhe vetë kishin qenë lojtarë e që kujtonin se si shumë bashkëlojtarë të tyre pas përfundimit të luftës u dëbuan nga vendi, u keqtrajtuan e u pushkatuan.

Me ndryshimin e sistemit rregullativ shtetëror, në fillim të vitit 1945, KF Bashkimi u shua dhunshëm, ndërkohë që u formua një klub që më nuk e kishte emrin shqip, Crvena Zvezda, klub në të cilin pati futbollistë që vazhduan veprimtarinë e tyre sportive në mënyrë aktive.

Gati shtatë dekada më pas, në Kosovën e lirë e të pavarur, KF Bashkimi nga Gjilani u ringjall, duke mëtuar që të kthejë shkëlqimin e gjeneratave të para dhe me synimin që me një organizim të mirëfilltë të bëjë emër në futbollin kosovar.

Tashti kur KF Bashkimi po feston 75- vjetorin e themelimit dhe kur futbolli ynë pas përpjekjeve shekullore është pjesë e familjes evropiane dhe botërore të futbollit, shoqëria dhe institucionet duhet t’i kushtojë rëndësi më të madhe sportit dhe sidomos futbollit, për të cilin u sakrifikuan gjenerata të tëra.

You Might Also Like