Trashëgimi

Kisha e Shën Gjergjit, e njohur si Shkolla e Parë Shqipe në Kosovë

artondini

Shkruajnë: Artan Hoxha dhe Sherafedin Kadriu, QRTK-Gjilan

Kisha e Shën Gjergjit, ndryshe e njohur si Shkolla e Parë Shqipe në Kosovë, ka një objekt të fortë, i cili është ndërtuar me gurë dhe llaç gëlqereje për bodrumin, si dhe tulla po me llaç gëlqereje për katin sipër. Objekti është i vendosur në drejtimin perëndim – lindje. Ndërsa hyrja për bodrumin ku është e vendosur salla e lutjeve bëhet nga dy hyrje të veçanta, njëra për priftërinjtë, e tjetra për besimtarët. Absida, ose më mirë një improvizim i saj është bërë  në murin përballë, pra në veri, pranë së cilës ndodhet edhe altari. Pranë hyrjes së parë, pra hyrjes nga hyjnë priftërinjtë ndodhen dy libra liturgjik: i pari është “Meshari Romak”, ndërsa i dyti është “Shenjtorët dhe festat”. Salla ka tri dritare në ballin jugor dhe dy të tjera në atë lindor. Nga hyrja e priftërinjve, salla ndahet me dy shtylla, të cilat mbajnë një mur në formë harku, ndërsa një ndarje tjetër ndërmjet altarit dhe pjesës tjetër të sallës është improvizuar po me dy shtylla pa kapitele.  Altari dhe tryeza e altarit janë veshur me gurë të përpunuar. Po kështu, edhe absida është e dekoruar me një friz, ngjyrash të shembullit të shamisë së Nënë Terezes, një dekorim i mëvonshëm. Në brendësi të absidës ndodhet një katror i gravuar në të cilin zë vend kryqi me Jezusin. Katrori është rrethuar me dru, ndërsa mbi të është gravuar viti 1846 me një laskar të hardhisë si bazë.

Në katin sipër bodrumit ndodhen disa kthina, të cilat kanë shërbyer për nxënësit si dhoma mësimi si dhe për udhëheqësit fetarë të kishës.

Hyrja në katin e dytë bëhet nga porta që është në perëndim, ndërsa kisha ka edhe hajatin e vendosur në tri shtylla. Vetë hajati ka një formë të gjysmërrethit, në dukje një absidë nga perëndimi.

Në oborrin e Kishës është përmendorja e Don Mikel Tarabuluzit, si dhe një monument kushtuar Martirëve të Karadakut 1846-1848.

Ish- Enti Krahinor për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës i KSAK në Prishtinë, me  aktvendimin nr.  02-258, të dt. 13. 06. 1978, këtë objekt e shpall monument të kulturës, duke e emërtuar: Muzeu i Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë, Kolegji i Shën Lukës 1584, Shkolla e Dom Mikelit 1905.

Përndryshe, objekti i Kishës së Shën Gjergjit, është përdorë si shkollë. Ndërsa historiku i saj është më i hershëm sesa koha e emërtimit të saj dhe, pikërisht është fjala për Kolegjin e Shën Lukës, i cili kishte filluar punën qysh në vitin e largët 1584. Gjithsesi që shkolla shqipe kishte funksionuar edhe gjatë vitit 1846, kur ndodh persekutimi dhe martirizimi i malësorëve katolikë nga pashai i Gjilanit. Shkolla ka funksionuar edhe gjatë vitit 1872, 1888, 1891, 1896, kohë kjo kurë, e frymëzuar edhe nga Lidhja e Prizrenit (1878), do të marrë hov lëvizja e jonë kombëtare për çlirim nga Turqia.

Shkolla e Parë Shqipe e Stubllës përmendet që më 1905, datë kjo shumë e rëndësishme, kur Imzot Pashk Trokshi themeloi famullinë e Stubllës dhe famullitarin e atëhershëm të Famullisë së Letnicës, don Mikel Tarabulluzin, e emëroi famullitar në Stubëll, ndonëse veprimtarinë e tij të gjithanshme Dom Mikeli do të ketë zhvilluar në Stubëll dhe në gjithë Malësinë e Karadakut që nga viti 1868, kur qe emëruar, nga Imzot Andre Logoraci, famullitar i Letnicës.

Si Shkollë e parë legale shqipe, dhe zyrtarisht e pranuar nga Austro-Hungaria dhe Imzot Pashk Trokshi, është pikërisht Shkolla e Stubllës e vitit 1905, me mësuesin Dom Mikel Tarabulluzit (1868-1933), pishtar i arsimit shqip në Kosovë. Ndonëse kjo shkollë ishte pengesë për pushtuesit, ajo vazhdoi punën e vet, ndërsa Dom Mikeli, prift, mësues dhe rilindës i madh dhe i dalluar, vazhdoi të jetë i përndjekur. Megjithatë, duhet thënë se edhe deri në vitin 1924 ai ishte i përndjekur dhe për këto shkaqe dhe të tjera kishte angazhuar të vëllain, Jakë Tarabulluzin për mësues, që ta zëvendësonte në shkollë, edhe që ta strehonte në Stubëll, sepse, si patriot dhe rilindës që ishte, Jaku kishte marrë pjesë edhe në Vlorë në Shpalljen e Pavarësisë (1912).

Dihet se shkollën katërklasash  të dom Mikelit e kanë ndjekur disa gjenerata.

Është me rëndësi të veçantë të theksohet edhe fakti se Dom Mikeli përdorte në shkollën e tij disa libra, që edhe sot ruhen te Kisha e Vjetër kushtuar Shën Gjergjit.

(Nga punimi janë hequr fusnotat për shkak të natyrës së portalit)

You Might Also Like