Futboll

Blerta Shala synon majat e futbollit evropian

Në Kroaci edhe brazilianeve u tregoi se si luhet teknikisht futbolli, Shqipëria e  do në kombëtare edhe  Kosova e do në përfaqësuese, kurse në KF Intelektualet është kreatore e lojës. Blerta Shala, që në fëmijëri ishte e pasionuar pas lojës së Cristiano Ronaldos. Ajo kishte prirje të jashtëzakonshme për lojën e futbollit, prirje që e kishte trashëguar nga babai, Blerim Shala, pedagog i sportit. Dikur, një fëmijë që luante futboll në Ponesh të Vogël të Gjilanit, tashti Blerta Shala është një tetëmbëdhjetëvjeçare, lojtare  e përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Më shumë se askush, Blerta Shala i ishte gëzuar formimit të  një klubi femëror në Gjilan dhe që në ditët e para ishte angazhuar në KF Drita e më pas karrierën e saj e vazhdon në KF Intelektualet, që udhëhiqet nga trajneri Afrim Mehmeti.

Loja e saj në mesfushë u kishte rënë në  sy trajnerëve të kombëtares shqiptare dhe në vitin 2015 e kishin ftuar që të grumbullohet në ekipin U19 të Shqipërisë. Asaj i ofrohet pasaporta shqiptare dhe menjëherë u paraqit në dy ndeshje me Malin e Zi dhe Maqedoninë, të cilave u shënoi gol.

Selektori shqiptar Nevil Dede e ftoi Blerta Shalën që të grumbullohet në kombëtare për kualifikime dhe ajo po përgatitej bashkë me shoqet e ekipit, por tashti gjërat kishin ndryshuar, përfaqësuesja e Kosovës ishte pranuar me të drejta të plota në UEFA e FIFA e Blerta që ishte në dilemë jetësore, vendosi që të djersit fanellën e vendit ku kishte lindur.

Shumë klube turke kishte shprehur dëshirën që Blerta Shalën ta kenë në radhët e veta. Ajo kishte shkëlqyer në një turne të mbajtur në Turqi, ku shënoi pesë gola për ekipin e saj Intelektualet, por duke qenë se ende nuk kishte përfunduar shkollimin e mesëm, ajo preferoi të mbetet në vendlindje.

Kroacia ishte një kapitull tjetër i saj. Bashkë me shoqet e saja ajo ishte shpallur kampione e Kosovës në futsall dhe bashkë  me ekipin që udhëhiqej nga pedagogu Selami Haziri dhe kryetari i Sportit Shkollor Blerim Sylejmani u përballën me ekipe nga shtetet e ndryshme të botës. Kapitene e ekipit, Blerta u ra në sy shumë trajnerëve nga mbarë bota.

“Tashti kur sivjet do të përfundoj shkollimin e mesëm, unë synim kam që të luaj diku jashtë vendit. Besoj se atje do të tregoj talentin tim për futboll”, thotë me  modesti Blerta Shala. Për këtë emër do të flitet shumë në futbollin femëror, ngase e ardhmja është para saj.

You Might Also Like