Gjilan

Komiteti për Politikë dhe Financa refuzon rekomandimin për shfuqizim të 16 vendimeve të mëhershme të Kuvendit    

Gjilan, 18 tetor / Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), në mbledhjen e radhës, nën drejtimin e Kushtrim Kadriut, kryesues, ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend raportin financiar janar -shtator 2023, raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Gjilanit për vitin 2022, rregulloren për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve, propozim-vendimin për shpalljen e interesit publik në katër parcela, tri prej tyre në Livoç i Epërm dhe një tjetër në Dobërçan, për nevoja të ndërtimit të dy sallave sportive dhe një çerdheje si dhe raportin e suksesit të nxënësve të gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2022/2023.

Ndërkaq, KPF ka refuzuar ta rekomandojë për Kuvend projekt rregulloren për taksat administrative për lejet e ndërtimit dhe tarifën për rritje të densitetit në infrastrukturë, me arsyetim se nuk ka kaluar nëpër komitetin përkatës.

Po ashtu, KPF ka refuzuar të rekomandojë për Kuvend edhe propozim për shfuqizimin e 16 vendimeve, të cilat nga MAPL-ja janë vlerësuar të kundërligjshme.

Drejtori i Urbanizimit, Ali Arifi tha se bëhet fjalë për 16 vendime të periudhës 2017-2021, për të cilat ka një rekomandim nga MAPL-ja për shfuqizim.

Sipas opozitës, e cila votoi kundër ose abstenoi, vendimet i kanë kaluar të gjitha procedurat e nevojshme, janë miratuar në Kuvend dhe me kohë janë dërguar në Ministrinë përkatëse për vlerësim të ligjshmërisë, e cila nuk ka kthyer përgjigje në afatin ligjor, gjë që automatikisht i bënë ato vendime të ligjshme.

You Might Also Like