Gjilan, 14 maj / Komuna e Gjilanit ka organizuar të hënën dëgjim publik për katër rregullore komunale, të cilat kanë të bëjnë me menaxhimin e shtëpisë së rinisë, bibliotekës së qytetit, stadiumit të futbollit si dhe palestrës sportive.
Hevzi Matoshi, shef i Zyrës Ligjore, ka thënë se dy rregulloret e para, janë akte të reja, ndërkaq dy të tjerat, kanë ekzistuar edhe më herët, por tani janë bërë disa modifikime që kanë të bëjnë kushtet e shfrytëzimit të këtyre hapësirave, duke nënvizuar faktin se nenet që i referohen pagesës, janë bartur te rregullorja për taksa komunale.
Ndërkaq, Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se dëgjimi ka për qëllim përfshirjen e publikut në procedurat paraprake të vendimmarrjes, duke iu krijuar mundësi atyre që t`i paraqesin vërejtjet dhe sugjerimet e veta, para se rregulloret komunale të procedohen në Kuvend Komunal për miratim.
Kurteshi-Emini i ka inkurajuar qytetarët, grupet e interesit dhe shoqërinë civile që të jenë sa më aktivë në proceset dhe procedurat që kanë të bëjnë me interesin e përgjithshëm, në mënyrë që komuna e Gjilanit të ketë rregullore të mira dhe të zbatueshme.
Përndryshe, kontributet e tyre në këtë dëgjim publik, i kanë dhënë përfaqësues të opozitës, zyrtarë të sektorëve përkatës, qytetarë, grupe të interesit si dhe shoqëria civile, si Nevzad Isufi (VV), Genc Mustafa (DKRS), Qazim Azizi (biblioteka e qytetit), Ilir Hoti dhe të tjerë.
Matoshi ka thënë se në seancën e këtij muaji do të dërgohen në Kuvend për miratim dy rregulloret e para, bashkë me rregulloren për varreza, e cila po ashtu i ka kaluar procedurat e parapara, ndërkohë që dy rregulloret tjera, ajo për stadium dhe tjetra për palestër, do të mbeten për muajin qershor, meqë jemi brenda afateve ligjore, ka thënë ai.
Te këto dy rregullore, nuk është prekur thelbi i akteve ekzistuese, por janë bërë vetëm disa korrigjime.