Gjilan

Komuna e Gjilanit fillon implementimin e programit të ri E-Prokurimi

Komuna e Gjilanit, si kampione në Kosovë për shndërrimin e administratës lokale në digjitalizim të shërbimeve për qytetarë, sot ka lansuar në prezencë të shoqërisë civile dhe operatorëve ekonomik, projektin tjetër nga fusha e Prokurimit Publik, që është fillim i ri për një sektor të ndijshëm.

 

Departamenti i Prokurimit, ka filluar edhe praktikisht zbatimin e ligjit të ri të Prokurimit Publik, ku për herë të parë në nivel të Republikës së Kosovës po bëhet lansimi i punës përmes platformës E-Prokurimi, me qëllim të rritjes së transparencës gjatë kontraktimit të punës nga ana e Komunës së Gjilanit dhe operatorëve ekonomik.

 

Lidhur me procedurat dhe programin në përgjithësi, drejtori i departamentit, Sali Kqiku, ka thënë se Komuna e Gjilanit është e para në nivel vendi që po nis përdorimin e kësaj forme, duke përfshirë të gjitha njoftimet për kontratë, pranimin e ofertave dhe procedura të tjera të cilat kalojnë vlerën 10 mijë euro.

 

Në të njëjtën kohë Kqiku, ka ofruar mbështetjen dhe bashkëpunimin me të gjithë operatorët dhe me të gjitha kapacitetet, sa i përket informimit të tyre që ta përdorin këtë program që eliminon kontaktin me stafin e prokurimit dhe njëkohësisht në mënyrën më transparente dorëzohet oferta dhe njoftohen hapur operatorët për mënyrën e përzgjedhjes së fituesit të një tenderi.

 

Kurse nënkryetari Rexhep Kadriu, ka thënë se kjo mënyrë e punës ka qenë kërkesë e hershme e kryetarit Haziri dhe angazhim i vazhdueshëm në shmangien e kontaktit mes operatorit me stafin e Komunës së Gjilanit.

 

Kadriu gjithashtu ka bërë thirrje për të gjithë operatorët ekonomik, por edhe për shoqërinë civile që të aplikojnë përmes kësaj platforme konform ligjit të prokurimit, sepse është shmangie e kontaktit të operatorëve ekonomik dhe zyrtarëve të prokurimit.

 

Përndryshe, përkundër vështirësive dhe mos trajnim adekuat duhet përmendur edhe faktin se Departamenti i Prokurimit tash e gjashtë muaj po përballet me mungesë të stafit për shkak të aktakuzës ndaj ish-zyrtarëve dhe ky mbetet shqetësimi kryesor i Komunës së Gjilanit. Ministria e Financave, si kreatore e ketij programi, duhet urgjent të ndërmarrë veprime për të lëhtësuar funksionalizimin dhe ndihmën Komunës së Gjilanit në E-Prokurim.

You Might Also Like