Komuna e Vitisë ka shpërndarë sot 70 motokultivatorë të shoqëruar me frezë, për fermerët përfitues të kësaj komune, në kuadër të mbështetjes për zhvillimin e bujqësisë dhe lehtësimin e punës së fermerëve.
Në ceremoninë e dorëzimit morën pjesë kryetari i komunës, Sokol Haliti, dhe drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Naim Pira, të cilët theksuan përkushtimin e komunës për të përkrahur vazhdimisht fermerët vitias.
Kryetari Haliti tha se ai dhe komuna e Vitisë gjithnjë janë krenuar me fermerët e saj punëtorë, të cilët kanë produkte të mira bujqësore si brende të njohura në gjithë Kosovën. Ai theksoi se kjo komunë njihet edhe si hambar i Anamoravës dhe se komuna vazhdon furnizimin e fermerëve përfitues me pajisje të ndryshme bujqësore. Drejtori i Bujqësisë, Naim Pira, bëri me dije se vlera e përgjithshme e këtij projekti është rreth 79 mijë euro, ku 20% e vlerës është participim nga vetë fermerët përfitues, ndërsa pjesa tjetër është e mbuluar nga buxheti i komunës së Vitisë. Sipas tij, brenda këtij viti janë ndihmuar mbi 500 fermerë vitias. Aziz Zuka
Komuna e Vitisë shpërndan 70 motokultivatorë shoqëruar me frezë për fermerët përfitues
