Libri

KOSOVA E DHEMBJES DHE E KRENARISË NË POEZINË E AGIM GJAKOVËS

 Shkruan: Kosovare KRASNIQI –

Ndjenja e atdhedashurisë është një nga shtytëset më të forta për krijimtarinë poetike, andaj edhe poetët shqiptarë figurën e Kosovës e trajtuan në një varg veprash letrare, mirëpo lloji letrar më i veçantë ku krijuesi shprehet ashtu siç ndihet, është poezia lirike. Kjo temë vazhdimisht e ka tërhequr vëmendjen e krijuesve, sepse në ngjarjet qё po kalonte populli shqiptar, Kosova kishte njё rol tё veçantë. Poeti që me fjalën e tij artistike, figurës së Kosovës i dha një përmasë mjaft të gjerë ne krijimtarinë e tij, është poeti Agim Gjakova. Poezia me temë Kosovën e poetit Agim Gjakova në thelb është poezi e kujtimeve. Realisht ky poet ishte larguar në Shqipëri nga regjimi komunist jugosllav, dhe, në shumë nga poezitë e tij hasim si motiv mallin për atdheun, për nënën, për shokët dhe qytetin e tij tё lindjes, për kodrinën e quajtur Çabrat etj.
Poeti Agim Gjakova nuk ishte nga ata poetë që e njehjetën e gëzimit e të dëfrimit. Ai më shumë njohu vuajtjet shpirtërore, dëshpërimin e vet dhe të njerëzve tё tij nё Kosovё. Anton Nikë Berisha në parathënien e librit me poezi tё zgjedhura “Gërmime në etje”, tё poetit Agim Gjakova, duke e ndarë krijimtarinë e tij në periudha letrare, për poezinë e krijuar në Shqipëri gjatë periudhës së diktaturës komuniste, thotë: “Poezia e krijuar në rrethana të kushtëzuara është poezi me flatra të shkurtuara, poezi që ‘flet’ më shumë në heshtje”.
Poetit nuk i duhet zëri të bërtasë për vuajtjet e tij, atij iu desh letra e bardhë dhe pena për tё shkruar vargjet e tij. Nё vargje ai gjeti prehjen e vet shpirtërore. Fjala artistike, pena dhe poezia bëhen “armë” me të cilat luftoi ai. Në vitin 1962 boton vëllimin e parë poetik “…Dhe thonë se ka paqe në botë”, ku në vargjet e poezisë së këtij vëllimi, “Përshëndetje shokëve dhe qytetit tim, Gjakovës”, kujton kohën e fëmijërisë së tij kur i bënin një mijë çapkënllëqe të lezetshme, edhe kur u kanosej rreziku:

Nëpër rrugë shkisnim në maje të gishtave kalldrëmit
Shokut mbrapa tue i tregue shputat në pikë dite
Vrap e shpejt, kaherë me gjithë tesha,
Hidheshim kryeshyt në ujë t’Erneikut
Tue stërpikë, bërtitë e qeshё prej gëzimit

Nga lidhja emocionale e poetit me Kosovën dhe nostalgjia që ka ai për vendlindjen e tij lindën jo pak vëllime poetike nga poeti Agim Gjakova. Gjithashtu një poezi tjetër e poetit Gjakova, po me të njëjtin motiv, është poezia titulluar “Çabrati”, e vëllimit tjetër të tij “Këngët e Drinit të Bardhë”. Është poezia e parë e këtij vëllimi e cila përmes vargjeve të saj na transmeton kujtimet e poetit për kodrinën e vogël që gjendet mbi qytetin e tij.
Kodrina e vogël e qytetit e quajtur “Çabrat” sa u sillte të mira “Me vneshta të arta, me venën, me mushtin, me rrushin plot lang”, po aq të këqija pritnin prej saj. Poeti i rikujton mjaft mirë historitë e vrasjeve të shqiptareve në shekuj, ku “Çabrati” ishte vendi prej tё cilit jo pak shqiptarëve u vinte e keqja. Pra, poeti Gjakova edhe pse gjendet jashtë Kosovës, pasqyron jetën e vështirë që e kaluan shqiptarët e Kosovës nëpër shekuj nga pushtuesit e ndryshëm: “Ku netëve të errëta turku pushkatonte shqiptarёt”, “Netëve të errtavjedhtasshqiptarёt i grinte krali”, “Gjermani i vari bijat tona-trime nga Gjakova”, “Titoja pushkatoi në Tabje me qinda e qinda veta”.
Albanologu i njohur Robert Elsie gjatë intervistës me Rudina Gjungën, thotë: “Letërsia është një pasqyrë e realitetit të vendit”, andaj poeti Gjakova i rrëmbyer nga dhembja dhe pesha e rëndë e atmosferës që mbretëronte nё Kosovë, kryesisht përmes poezisë lirike te tij e shpreh ndjeshmërinë e tij për fatin e Kosovës.
Liria për Kosovën nё atë kohë ishte vetëm e ëndërruar, dhe kjo e vërtetë ishte e lehtë të kuptohej. Poema e poetit Agim Gjakova “…Dhe thonë se paqe ka në botë” është poemë shumëdimensionale. Nё strukturën e saj ngërthen dhjetë këngë për Kosovën dhe të gjitha këngëtsajojnë motive të ndryshme që dallohen nga njëra-tjetra, por që i lidh po e njëjta teme – tema e Kosovës.
Që në hyrje të poemës, në këngën e parë, poeti paraqet atmosferën e mjegullt që mbretëronte në Kosovë: “Ashtë vjeshtë, Kosovë” dhe vazhdon me vargje tё dhembshme për atdheun e vet, prej të cilit ishte dëbuar me dhunë. Megjithëse i dëbuar, nuk e ndal kёngёn e tij dhe, i entuziazmuar, ndjek po atë këngë të maleve që këndohej edhe para mijëra vjetёsh nё atdheun e tij:

Dhe unë
Për ty do të këndoj, Kosovё,
Ma mirë të flas me fjalët tona të vjetra,
Që kanë tingllue maleve gjatë jetës sёrrozullimit.

Fati tragjik i popullit të Kosovës është edhe njёri nga motivet e kësaj poezie. Historia kishte qenë e pamëshirshme me shqiptarët dhe poeti me të vërtetat e kësaj historie mbush poezinë tij:

Kullën me top e rrahёn, e rrafshuen
E cifla ma e madhe sa një kokërr elbi mbeti,
Shtëpitë në zjarr i dogjën, tokat u shkretuen,
Liria, barazia… thellё nё hi tё tyne treti,
Fëmijёtn’hangar i prenë, gratë u perdhunuen,
Burrat t’paarmatosur rrah per rrah si xixa u shuan
Dhe sytё e pleqve mbas moshës tetëdhetë vjet
Lot e gjak rrodhёn

Që nga titulli i poemës “…Dhe thonë se paqe ka në botë” dallohet ironia të cilën e përdor poeti jo pak në poezinë e tij. Kosovarët nën pushtimin serb u vranë me egërsinë më të madhe përderisa Evropa mashtrohej me fjalët e tyre “Na do t’i kulturojmë kosovarët”, ndërsa shqiptarët e Kosovës gënjeheshin me fjalët: vёllazёrim – barazi. Dhe kur popujt e Evropёs po i gёzoheshinlirisё, paqja në Kosovë ishte larg, prandaj me të drejtё mund shtrohet pyetja: Ku ishte ajo paqe, kur në mëngjesin e çdo dite thuhet:

Hej, a ndjeve…?
Mbramë u vra një kosovar!
Hej, mbramë u pushkatue një kosovar!
Hej, mbramë u mbyt një kosovar!
Hej, mbramë u therr një kosovar!
Hej, mbramё u var një kosovar!
Hej, mbramë u përzunë qindamija kosovarë!

Përsëritja e pasthirrmës “hej” ngjan me një lloj proteste: ku është ajo “paqe” për të cilën flitet?! Poeti ngreh zërin e tij t’u tregojё të gjithëve se populli shqiptar në krejt historinë e tij njihet si popull mbrojtës dhe jo popull pushtues, andaj Kosova nuk e meritonte një trajtim tё tillë nё Evropë. Poema përmbyllet pa ndonjë shpresë për një të ardhme më të mirë për Kosovën dhe sipas poetit, Kosova do tё mbetet vetëm: “Muze përmbledhës për të gjitha vuajtjet shekullore”, sepse asnjëherë paqe për tё nuk do tё ketё.
Përfundim
Jo rrallё, vetё jeta u jep lëndën poetëve të shkruajnë, dhe në këtë rast Kosova është ajo e cila bëhet lëndë në artin e tyre. Udhëtimi nëpër vargjet e poetit A. Gjakova, ku si subjekt kryesor në ato është Kosova, ishte sa i dashur aq edhe i dhembshëm për mua.
Poeti Agim Gjakova, edhe pse ishte i deportuar në Shqipëri nga UDB-ja serbe, përballë atij realiteti që ishte në Kosovë, nuk qëndroi duarkryq, por figurën e Kosovës e beri “emblemë” në vargjet e tij. Nё poezinë e tij ndihet drama e poetit tё privuar nga atdheu i tij, nga vendlindja e tij, nga tё afërmit e tij, nga gjithçka e tij.Po mungesën e gjithë asaj prej së cilës e privuan, e gdhendi në vargje të pavdekshëm, me ç’rastKosova u kthye në kryefjalë të poezisë se tij.

P.s
( Vështrim i paraqitur më 2 dhjetor 2017, në Gjilan, me rastin e vlerësimit të krijimtarisë letrare të Agim Gjakovës, në edicionin e tetë të Manifestimit, “Vjeshta letrare e Gjilanit, organizuar nga Ars Clubi “Beqir Musliu”

You Might Also Like