Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti me bashkëpunëtor por edhe me përfaqësues të fshatrave Tërstenik, Sadovinë e Çerkezve dhe Vërban kanë zhvilluar sot një takim me përfaqësues të DORSCH/CDI-së dhe Kompanisë Regjionale të Ujërave “Hidromova” nga Gjilani. Në veçanti gjatë këtij takimi kryetari Haliti, ka kërkuar nga ta që sa më parë të bëhet funksionalizimi i ujësjellësit në këto tri fshatra, pasi që ato kanë kryer edhe kyçjet individuale dhe shtoi se menaxhimi i ujit duhet të bëhet nga KRU “Hidromorava”- Gjilan. Ndërkaq gjatë këtij takimi Kryetari Haliti, ka bashkëbiseduar me ta edhe rreth projekteve të tjera të ujësjellësit në fshatrat e ndryshme të Vitisë, duke kërkuar që ato të përfundojnë sa më parë.
“Komuna e Vitisë ka kryer shumë obligime për të përmbushur obligimet e veta në projektet e ujësjellësit, ndër to kemi paguar edhe borxhet e trashëguara. Është koha që sa më parë të funksionalizohen projektet e ujësjellësit dhe që qytetarët të kenë ujë të pijshëm të shtëpitë e tyre”, u shpreh Kryetari Haliti. Gjatë këtij takimi Kryetari Haliti është interesuar edhe rreth sigurimit të ujit të pijshëm në të gjitha lokalitetet e komunës së Vitisë në veçanti në fshatrat ku është punuar në rrjetin e ujësjellësit por që akoma nuk janë funksionalizuar dhe nuk janë në menaxhim të kompanisë së ujërave.Aziz Zuka