Viti

Dy familje skamnore nga Radivojci i Vitisë bëhen me shtëpi të reja

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me donatorët, Vezir Ramushi, Salih Abdullahu e Blerim Pajaziti, kanë përuruar shtëpitë e reja për dy familje sociale në fshatin Radivojcë të Vitisë.

Kryetari halite, në fjalën e tij gjatë përurimit të këtyre shtëpive ka thënë se sot jemi në një ditë gëzimi, sepse po përurojmë dy shtëpi të ndërtuara nga donatorë brenda dhe jashtë vendit. Sipas tij, ky aksioni i tillë human, po kontribuon në zgjidhjen e problemeve sociale të familjeve vitiase derisa ka siguruar se përkrahja e komunës nuk do të i mungojë asnjëherë askujt.

Me këtë rast, kryetari i Komunës, së bashku me donatorët i uruan familjeve duke thënë se tash e tutje ata t’i gëzojnë shtëpitë e reja.

“Është e 58-ta shtëpi që faktikisht sot po përurohet dhe shumica janë meritë e mërgatës vitiase, që fal organizimit të mirë dhe humanitetit në vepër po kontribuojnë në mirëqenien sociale”, tha Haliti.

Ndërsa, Vezir Ramushi, mërgimtar humanist me qëndrim në Zvicër, ka thënë se kjo është bërë falë angazhimit të kryetarit Haliti, të donatorëve brenda dhe jashtë vendit dhe dashamirëve të shumtë që ka Vitia.

Habib Hajrizi, kryefamiljar i cili pranoi sot çelësat e shtëpisë së re, ka thënë se ndjehet i lumtur me shtëpinë e re dhe me kushtet që janë krijuar për jetë tash e tutje. “Më parë kam jetuar në një dhomë të vetme, shtatë vite në kushte të rënda banimi, i falënderojë të gjithë ata që më kanë ndihmuar dhe për gatishmërinë e treguar në ndërtimin e shtëpisë së re,” u shpreh Hajrizi.

Faruk Beqiri, kryefamiljar i shtëpisë tjetër, ka falënderuar donatorët që ndihmuan që ai dhe familja e tij 6-anëtarëshe të bëhen me shtëpi të re.

Ai tha se vet e ka pasur të pamundur të ndërtoj shtëpi pasi nuk ka të ardhura të mjaftueshme.

“Kjo është dita më e gëzueshme e imja dhe e familjes sime, kemi jetuar në kushte të rënda të banimit në një shtëpi të vjetër”, ka thënë i emocionuar kryefamiljari Beqiri.

Me rastin e përurimit të shtëpive të reja, folën edhe donatori Blerim Pajaziti dhe Salih Abdullahu, i njohur me vite si një njeri humanist, të cilët u shprehën të gatshëm të bashkëpunojnë me komunën që ta zbusim gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale dhe familjeve në nevojë t’u ofrojnë kushte më të mira për jetë dhe për zhvillim të vendit.

Shtëpitë e ndërtuara kanë një hapësirë mjaftë të madhe me dhomë për qëndrim ditor, kuzhinë, banjë dhe me dhoma gjumi, dhe tërësisht të mobiluara çka janë të mjaftueshme për familjet përfituar nga donatoret. Aziz Zuka

You Might Also Like